Kërko

“Qielli e toka – thotë Jezusi – do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë”. “Qielli e toka – thotë Jezusi – do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë”.  

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 33-të gjatë vitit kishtar ‘B’

Krishti na fton të jemi të vetëdijshëm për dy gjëra: së pari se, historia, bota, krijimi nuk janë të përjetshme. Së dyti, se për ne është e pamundur të përcaktojmë kur do të vijë ky mbarim i botës. Është fjala për misterin që i përket vetëm Hyjit, Atit Krijues e plot Dashuri. 'Jezusi nuk na tregon orarin e saktë por na tregon udhën e vërtetë.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të së dielës, kësaj herët do ti dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së para fundit të këtij viti liturgjik, të dielës së 33-të. 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 33-të gjatë vitit kishtar ‘B’

Me afrimin e fundit të vitit liturgjik, Kisha na propozon për reflektim pjesën e fundit të fjalimit të madh eksatologjik të Jezusit (krh Mk 13). Para se të shkon drejt mundimeve, vdekjes e ngjalljes të tij (krh. 14-16), Jezusi u drejton nxënësve të vet një fjalë plot autoritet mbi mbarimin e kohërave, duke i mësuar mbi ngjarjen që do të rishqyrtojë e përmbledh tërë historinë e do t’i japë kuptimin e plotë dhe përfundimtar: mbi paruzinë, do të thotë mbi ardhjen e lavdishme të Birit të njeriut. 

Leximet biblike të kësaj së diele pohojnë e na sigurojnë se Hyji është Zotëria i kohës dhe i historisë. E ardhmja jonë është në duart e Tij. Tekstet biblike të liturgjisë së Fjalës të kësaj së diele flasin për seriozitetin e jetës së njeriut dhe na fton të presim ngjarjet e fundit të ekzistencës njerëzore mbi tokë duke ‘ndenjur zgjuar e duke qeni të gatshëm…sepse Zoti do të vijë’.

Kështu Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na fton të presim me besim dhe shpresë shfaqjen përfundimtare dhe ardhjen e lavdishme të Jezu Krishti, birit të Zotit e Birit të njeriut.

Fjala e Zotit e shndërron botën. Kisha këtë të diele, na fton ta pranojmë këtë farë, që i hap njeriut portat e amshimit.

Shtegtimi i lashtë, e gjithnjë i ri, i fesë, që kryen familja shpirtërore e Kishës gjatë një Viti liturgjik, i cili përfundoi pas dy javësh, është një dhuratë e paçmueshme. Viti liturgjik na mundëson të përshkojmë dhe të jetojmë në historinë e misterit të Krishtit, duke e pranuar në brazdat e jetës sonë personale e komunitare, farën e Fjalës së Zotit, farë përjetësie (amshimi), e cila e shndërron nga brenda këtë botë dhe ia hap portat e Mbretërisë qiellore.

Fragmenti i Ungjillit të kësaj së diele, nga Marku 13,24-32, ndalet tek profecia e Krishtit për fundin e kohëve: “Qielli e toka – thotë Jezusi – do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë”. Fjalët qielli e toka përdoren për të treguar universin.

Shkrimi Shenjt – Bibla nuk ka dyshime: e gjithë krijesa është e paracaktuar të mbrojë, duke përfshirë edhe elementet e hyjnizuara nga mitologjitë e lashta; nuk ka pështjellim, por vetëm ndryshim të qartë, ndërmjet Krijimit e Krijuesit, fjalët e Jezusit nuk do të kalojnë, sepse i përkasin Hyjit e prandaj, janë të amshuara. Krishti krahasohet me farëhedhësin dhe shpjegon se fara është Hyji, mbeten në botë, por nuk janë më të botës.

Kanë në vetvete një farë amshimi, një fillesë shndërrimi, i cili shfaqet që tani në një jetë të mirë, të frymëzuar nga dashuria e krishterë, e cila në fund do të prodhojë ringjalljen e trupit. E ky është pushteti i Fjalës së Krishtit.

                                                     Liturgjia e Fjalës se Zotit

Leximi i parë Dan 12, 1-3

Me një fjalor plot imagjinatë Danieli, një profet i Besëlidhjes së Vjetër, transmeton një mesazh të thellë shprese: të drejtët janë të thirrur në jetën e amshuar. Ky lajm do të shpallet plotësisht në Ungjijtë pas ngjalljes së Jezu Krishtit.

Lexim prej Librit të Danielit profet

Në atë kohë do të ngrihet Mikaeli, Princi i Madh, që i mbron bijtë e popullit tënd. Kjo do të jetë një kohë ngushtice të madhe. E tillë nuk qe qysh se filluan të jetojnë popujt e deri në atë kohë! Në këtë kohë populli yt do të shpëtojë: secili që do të gjendet i shkruar në Libër.

Një numër i madh i atyre që flejnë në tokën e pluhurit do të zgjohen: disa për jetën e pasosur e disa për turpin e përhershëm. Dijetarët do të shkëlqejnë porsi kthjelltësia e kupës qiellore, e ata që ua kanë mësuar shumëve drejtësinë, do të shkëlqejnë porsi yjet në amshimin e përhershëm. Fjala e Zotit.

 

Psalmi 16

Më ruaj, o Zot, sepse në ty shpresoj

----------

Zoti është pjesa e trashëgimit tim

dhe gota ime,

në dorën tënde është fati im!

Zotin e kam gjithmonë para sysh,

më rri në të djathtë,

nuk kam sesi të rrëzohem!

----------

Prandaj galdon zemra ime,

gëzon shpirti im,

mbarë trupi im pushon në qetësi.

S’do të ma lësh shpirtin në nëntokë,

as s’do të lejosh

që Shenjti yt të kalbet në dhe.

----------

Ti do të ma tregosh udhën e jetës,

gëzimin e plotë para fytyrës sate,

kënaqjen e amshueshme

në të djathtën tënde.

----------

 

Leximi i dytë Heb 10, 11-14.18

Në besimin e Besëlidhjes së Vjetër shpesh besohej se Zotit mund t’i merrej falja me forcë, nëpërmjet riteve, ofertave dhe flive. Nëpërmjet Krishtit ne e kemi marrë faljen njëherë e përgjithmonë dhe për të gjitha mëkatet. Hyji nuk do vdekjen e mëkatarit, por që ai të kthehet dhe të jetojë. Një i krishterë njeh praninë e mëkatin, por beson me qëndrueshmëri më të madhe në fitoren e Krishtit mbi mëkatin.

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Çdo prift tjetër qëndron gati për çdo ditë për të kryer shërbesën e kultit dhe shpesh kushton po të njëjtat fli, të cilat assesi s’mund t’i shlyejnë mëkatet. Krishti, përkundrazi, duke pas kushtuar për mëkate vetëm një fli të vetme, rri përgjithmonë në të djathtën e Hyjit, dhe qysh atëherë pret vetëm që armiqtë e tij të vihen shtrojë e këmbëve të tija. Dhe, vërtetësisht, me një kusht të vetëm i përsosi për amshim të shenjtëruarit. Tashti, atje ku u falën mëkatet, nuk ka më kushte për to! Fjala e Zotit.

Ungjilli Mk 13, 24-32

Jezusi shpall fundin e botës kur do të kthehet për të gjykuar historinë e njerëzve. Mund të ndodhë që njerëzit e sotshëm që janë të pangopur me pasuri, kënaqësi dhe pushtet, të goditen nga katastrofa të mëdha. Edhe në këtë rast për besimtarin mund të ketë “një lajm të mirë”, nëse njeriu pas katastrofës pranon të bashkëpunojë në ndërtimin e historisë sipas planit të Hyjit.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Jezusi u tha nxënësve të vet: “Porse, në ato ditë, pas aso vështirësie, dielli do të terratiset, hëna nuk do ta lëshojë dritën e vet, yjet do të bien prej qiellit, e trupat qiellor do të lëkunden. Atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me lavdi. Ai do t’i dërgojë engjëjt e vet e do t’i bashkojë të zgjedhurit e vet nga katër anët e botës – prej skajit të tokës deri në skaj të qiellit.

Mësoni prej shëmbëlltyrës së fikut: Posa i lëngëzohen gemat e qet gjethe, e dini se vera është afër. Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto, dini se është afër – te dera! Përnjëmend po ju them: nuk do të kalojë kjo brezni pa u bërë të gjitha këto. Qielli e toka do të kalojnë, e fjalët e mia nuk do të kalojnë. Sa për atë ditë e për atë orë, s’di askush, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.”  Fjala e Zotit.

16 nëntor 2018, 18:57