Kërko

Kurora e Ardhjes, e diela e parë Kurora e Ardhjes, e diela e parë 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës I të kohës së Ardhjes “C”

Liturgjia e dielës I të Ardhjes na thërret t’ia përgatisim rrugën Zotit në shpirtin tonë! Zoti Jezu Krishti erdhi në të kaluarën, vjen në të sotmen e do të vijë në të ardhmen. Ai i rrok të gjitha përmasat e kohës, se vdiq e u ngjall, se është ‘i Gjallë e, ndërsa ndan me ne pasigurinë njerëzore, mbetet përgjithnjë Zot e na jep sigurinë e vetë Zotit.

R.SH. - Vatikan

Rrini zgjuar e lutuni në çdo moment. Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike, të dielës së Parë të kohës kishtare të Ardhjes, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së I të Ardhjes “C”

Me të dielën e Parë të Ardhjes, fillojmë Vitin e Ri liturgjik të Kishës. E siç dihet, kalendari kishtar nuk përkon me kalendarin civil, dhe ndërsa kalendari civil i referohet diellit, ai liturgjik kishtar e përshkon jetën dhe veprën e Jezu Krishtit, Zot e Shëlbues.

Etapa e parë dhe caku i kësaj udhe shpirtërore është Krishtlindja, ngjarje tejet e rëndësishme, madje vendimtare, për të cilën përgatitemi shpirtërisht për katër javë me radhë, që janë pikërisht të katër të dielat e Ardhjes. Kështu, me këtë të diele, fillon koha liturgjike e Ardhjës, pjesa e parë e vitit liturgjik, me një thirrje të madhe drejtur të gjithëve, për të qenë të kujdesshëm, për të qenë “vigjilent në çdo moment” të jetës (Ungjilli).

Pra, është Koha e Ardhjes, e Kisha na fton të shkojmë drejt takimit me Krishtin, duke marrë pjesë në lutje e duke e dëshmuar ditë për ditë dashurinë e krishterë. Bota bashkëkohore ka nevojë, sidomos, për shpresë. E shpresën mund ta gjejë vetëm në Jezu Krishtin.

Në këtë të diele nis një Vit i ri Liturgjik, që hapet me Kohën e Ardhjes, kohë e cila na përgatit për Lindjen e Zotit. Realiteti i Vitit Liturgjik, i parë me syrin e Zotin, mund të paraqitet kështu: Qendra e liturgjisë është Krishti, dielli, rreth të cilit, ashtu si planetët, sillen Zoja e Bekuar – më e afërmja – e më pas, martirët e shenjtorët e tjerë, që kanë arritur tashmë në qiell, ku i këndojnë Zotit këngën e lumnisë së përsosur e ndërmjetësojnë për ne.

Por çfarë rëndësie mund të ketë realiteti i Vitit Liturgjik, për njeriun, për historinë, për shoqërinë?

Përgjigjen na e këshillon dhe ofron pikërisht rruga e Kohës së Ardhjes, të cilën e nisim këtë të diele. Bota bashkëkohore ka nevojë sidomos për shpresë, Kanë nevojë si popujt e pazhvilluar, ashtu edhe popujt ekonomikisht të zhvilluar. Gjithnjë më shpesh vërejmë se jemi në të njëjtën barkë e se duhet të shpëtojmë të gjithë së bashku. Duke parë sesi shemben siguritë e rreme, vërejmë se kemi nevojë për një shpresë të besueshme. E këtë shpresë mund ta gjejmë vetëm në Krishtin.

Zoti Jezu Krishti erdhi në të kaluarën, vjen në të sotmen e do të vijë në të ardhmen. Ai i rrok të gjitha përmasat e kohës, se vdiq e u ngjall, se është ‘i Gjallë e, ndërsa ndan me ne pasigurinë njerëzore, mbetet përgjithnjë Zot e na jep sigurinë e vetë Zotit. Është prej mishi e gjaku si ne, e është shkëmb, si Zoti.

Kushdo që ka etje për liri, drejtësi e paqe, mund të ngrihet përsëri në këmbë me kokën e lart, sepse me Krishtin çlirimi është fare pranë. Jezu Krishti nuk u përket vetëm të krishterëve, e as vetëm besimtarëve, por të gjithë njerëzit, sepse Ai, që është qendra e fesë, është edhe themeli i shpresës. E për shpresë ka nevojë të përhershme çdo qenie njerëzore.

                                              Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Jer 33, 14-16

Premtimet që Hyji u ka bërë njerëzve nëpërmjet Abrahamit, Jakobit e Davidit do të realizohen, sepse Hyji është besnik. Do të bëjë të lindë një farë, nga e cila do të lulëzojë një mbretëri drejtësie dhe paqeje; një farë që është shkruar të vdesë e pastaj të ringjallet. Historia e re e botës ku paqja dhe drejtësia mbretërojnë e ka origjinën nga Krishti.

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Ja, po vijnë ditë - është shpallje e Zotit – e do ta çoj në vend fjalën e mirë që ia premtova shtëpisë së Izraelit e shtëpisë së Judës. Në ato ditë e po në atë kohë, do të bëj të ngallitë për Davidin një pinjoll drejtësie. Ai do ta çojë në vend të drejtën e drejtësinë mbi tokë. Ndër ato ditë Juda do të shpëtojë e Jerusalemi do të banojë në siguri. Dhe ja, emri me të cilin do të quhet qyteti: ‘Zoti është Drejtësia jonë’. Fjala e Zotit.

Psalmi 25

Tek ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.

----------

Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua

e m’i mëso shtigjet e tua.

Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso,

sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im.

----------

I ëmbël e i drejtë është Zoti,

mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,

të përvujtëve u prin në drejtësi,

të butëve ua mëson udhën e vet.

----------

Të gjitha udhët e Zotit janë mëshirë dhe e vërtetë

për ata që mbajnë Besëlidhjen e tij e urdhërimet.

Miqësisht sillet Zoti me ata që e druajnë,

për t’ua njoftuar Besëlidhjen e vet.

----------

Leximi i dytë 1 Sel 3, 12.13 - 4, 2

Pali na kujton se, deri në momentin e ardhjes së Krishtit, angazhimi i besimtarëve është që të rriten nën dijen e Hyjit dhe në dashurinë ndaj vëllezërve. Krishti ka realizuar besëlidhjen e tij me njerëzimin nëpërmjet dashurisë ndaj Atit dhe ndaj njerëzve. Paqja dhe drejtësia marrin kuptim dhe plotësi kur ashtu si Krishti heqim dorë nga vetja për të rilindur në Atin dhe në vëllezërit.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Vëllezër, bëftë Zoti që të rritet e të shtohet përherë e më tepër dashuria juaj ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj të gjithë njerëzve siç është dashuria jonë ndaj juve! Ai i forcoftë zemrat tuaja në shenjtëri të patëmetë para Hyjit dhe atit tonë për ardhjen e Zotit tonë Jezusit me të gjithë shenjtërit e tij. Mandej, vëllezër, ju lutemi ngrohtësisht dhe ju përbejmë në Zotin Jezus që, sikurse mësuat prej nesh si duhet të jetoni për t’i pëlqyer Hyjit, ashtu edhe jetoni që të përparoni edhe më tepër. Patjetër i dini urdhërimet që ju kemi dhënë prej anës së Zotit Jezus. Fjala e Zotit.

Ungjilli Lk 21, 25-28.34-36

Jezusi nuk do të na frikëson, madje do të na japë një kuptim të vërtetë për të gjitha tragjeditë njerëzore. Na mëson të kultivojmë një shpresë përtej historisë sonë, të rrimë zgjuar për të mos jetuar kot një jetë sipërfaqësore: duke na çliruar nga moskuptimi dhe ankthi i kësaj jetë. Na fton të shikojmë në thellësi ngjarjet e ndryshme dhe të bëjmë të mundur me angazhimin tonë drejtësinë e Hyjit që tani.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Mbi tokë popujt do të gjenden ngushtë, të tmerruar prej gjëmës së detit e prej valëve të tija. Njerëzve do t’u dalë shpirti prej frikës dhe pritjes ç’do të ndodhë me botën, sepse trupat qiellorë do të lëkunden e atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me madhëri.

Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj! Kini kujdes veten që zemrat tuaja të mos kalamenden prej grykësisë, prej shfrenime e prej kujdeseve të jetës që ajo ditë të mos ju vijë papritmas, sepse ajo ditë do të vijë porsi kurth mbi të gjithë banorët e tokës mbarë. Prandaj, rrini zgjuar e lutuni në çdo moment që të mund t’u shpëtoni të gjitha këtyre që do të ndodhin e të mund të qëndroni para Birit të njeriut.” Fjala e Zotit.

Lutu me Ungjillin

O Zot Jezus,

të falënderojmë për dhuratën e këtij Viti Liturgjik.

Na ndihmo të angazhohemi me besim dhe guxim në këtë Ardhje:

bëj që të dimë të shohim në lartësi Ty,

që ke ardhur, që vjen dhe që do të vish në fund të kohrave.

 Bëj që të dimë të çlirohemi nga shumë komoditete,

nga shumë idhuj dhe nga shumë parajsa të ndërtuara

mbi padrejtësi dhe mbi hipokrizi.

Bëj që besimi në praninë tënde shpëtimtare,

këtu në mes nesh,

të na mbështesë në vështirësitë e këtij Viti të ri Liturgjik. 

30 nëntor 2018, 12:08