Patriarku kaldeas Louis Raphael I Sako Patriarku kaldeas Louis Raphael I Sako 

Konferenca e Patriarkëve të Lindjes, shenjë shprese për Irakun

Të thirrur nga Krishti për t’iu përgjigjur “të bashkuar”, si të krishterë të Lindjes, sfidave të ekstremizmit fetar dhe të emigracionit. Kështu, Patriarku kaldeas Louis Raphael I Sako, në hapjen e punimeve të Konferencës së Patriarkëve katolikë të Lindjes, dje, në Bagdad.

R.SH. - Vatikan

Kuptimplotë fakti, që ky takim mbahet për herë të parë në Irak, vend, ku “të krishterët jetojnë në rrethana të vështira e përballojnë sfida të papara”. Prania e Patriarkëve, vërejti kardinali, “është shprehje e fuqishme solidariteti me gjithçka ka jetuar e jeton populli irakian, mes persekutimeve, ikjeve, braktisjeve, emigracionit të detyruar. Kjo asamble na mbush me shpresë dhe i inkurajon familjet të kthehen a të rrinë në atdhe, duke ruajtur fenë, identitetin, rrënjët dhe traditat gjuhësore e morale”.

Thirrje drejtuar qeverisë së re irakiane për pajtim

         Patriarku kaldeas i ftoi të gjithë pjesëmarrësit  të thellohen në “përshpirtërinë dhe teologjinë e eksodit dhe të robërisë, në teologjinë e kthimit, të rindërtimit e të përtëritjes”, që përmbahen në Besëlidhjen e Vjetër, “trashëgimi e frytshme dhe frymëzuese” për “shumë familje të shpërngulura në Irak e në Siri”, që dëshirojnë të kthehen në atdhe e të rindërtojnë shtëpitë e tyre. Prelati i kërkoi “qeverisë së re irakiane, të sapoformuar, t’i japë përparësi një plani praktik e me autoritet, që synon pajtimin e bashkësive”, si edhe një strategjie, që u lejon të gjithë irakianëve të kenë liri, dinjitet, drejtësi shoqërore e mundësi të barabarta për të shfrytëzuar shërbimet në vend.

Dje, mesha në vendin e masakrës së vitit 2010

         Takimi i 26-të i Patriarkëve Katolikë të Lindjes do të vijojë deri më 30 nëntor e, në vazhdimësi me Sinodin e tetorit në Vatikan, u kushtohet të rinjve, “shenjë shprese në Lindjen e Mesme”. Pikërisht dje, në hapjen e punimeve, u kremtua mesha nga Patriarku siro-katolik Ignace Youssif III Younan, në katedralen siro-katolike të Zojës Ndihmëtare, teatër i masakrimit të 50 besimtarëve e dy meshtarëve nga një grup i Al Kaedës, më 31 tetor 2010.

Sot, takimi i Patriarkëve me të rinjtë irakianë

         Sot, Patriarkët u takuan me një grup të rinjsh të krishterë irakianë në katedralen kaldease të Shën Jozefit. Në Konferencë, nga e cila do të dalë një dokument përfundimtar mbi kushtet e vështira të bashkësive të krishtera në Lindjen e Mesme, marrin pjesë Patriarku maronit Rai, ai kopto-katolik Sidrak, ai melkit Absi, Patriarku armeno-katolik Chabroyan, ai latin i Jeruzalemit, ipeshkvi imzot Shomali dhe sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Kishave të Lindjes së Mesme, prof.sha Bechealany.

27 nëntor 2018, 14:32