Konferenca e Patriarkëve të Lindjes, shenjë shprese për Irakun
R.SH. - Vatikan
Kuptimplotë fakti, që ky takim mbahet për herë të parë në Irak, vend, ku “të krishterët jetojnë në rrethana të vështira e përballojnë sfida të papara”. Prania e Patriarkëve, vërejti kardinali, “është shprehje e fuqishme solidariteti me gjithçka ka jetuar e jeton populli irakian, mes persekutimeve, ikjeve, braktisjeve, emigracionit të detyruar. Kjo asamble na mbush me shpresë dhe i inkurajon familjet të kthehen a të rrinë në atdhe, duke ruajtur fenë, identitetin, rrënjët dhe traditat gjuhësore e morale”.
Thirrje drejtuar qeverisë së re irakiane për pajtim
Patriarku kaldeas i ftoi të gjithë pjesëmarrësit të thellohen në “përshpirtërinë dhe teologjinë e eksodit dhe të robërisë, në teologjinë e kthimit, të rindërtimit e të përtëritjes”, që përmbahen në Besëlidhjen e Vjetër, “trashëgimi e frytshme dhe frymëzuese” për “shumë familje të shpërngulura në Irak e në Siri”, që dëshirojnë të kthehen në atdhe e të rindërtojnë shtëpitë e tyre. Prelati i kërkoi “qeverisë së re irakiane, të sapoformuar, t’i japë përparësi një plani praktik e me autoritet, që synon pajtimin e bashkësive”, si edhe një strategjie, që u lejon të gjithë irakianëve të kenë liri, dinjitet, drejtësi shoqërore e mundësi të barabarta për të shfrytëzuar shërbimet në vend.
Dje, mesha në vendin e masakrës së vitit 2010
Takimi i 26-të i Patriarkëve Katolikë të Lindjes do të vijojë deri më 30 nëntor e, në vazhdimësi me Sinodin e tetorit në Vatikan, u kushtohet të rinjve, “shenjë shprese në Lindjen e Mesme”. Pikërisht dje, në hapjen e punimeve, u kremtua mesha nga Patriarku siro-katolik Ignace Youssif III Younan, në katedralen siro-katolike të Zojës Ndihmëtare, teatër i masakrimit të 50 besimtarëve e dy meshtarëve nga një grup i Al Kaedës, më 31 tetor 2010.
Sot, takimi i Patriarkëve me të rinjtë irakianë
Sot, Patriarkët u takuan me një grup të rinjsh të krishterë irakianë në katedralen kaldease të Shën Jozefit. Në Konferencë, nga e cila do të dalë një dokument përfundimtar mbi kushtet e vështira të bashkësive të krishtera në Lindjen e Mesme, marrin pjesë Patriarku maronit Rai, ai kopto-katolik Sidrak, ai melkit Absi, Patriarku armeno-katolik Chabroyan, ai latin i Jeruzalemit, ipeshkvi imzot Shomali dhe sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Kishave të Lindjes së Mesme, prof.sha Bechealany.