Cerca

Vatican News
Zoja e pikturuar nga Rafaelo Zoja e pikturuar nga Rafaelo 

Kisha kremton festën e Paraqitjes së Zojës në Tempull

E kremtja përkujton kushtimin e Virgjërës Hyjit me shpirt e me trup. Zoja, me ketë akt, bëhet modeli i gjithë atyre të cilët, aty e mbrapa, do t’i kushtohen Zotit me jetën rregulltare.

R.SH. - Vatikan

Mbi këtë paraqitje të Marisë, për t’iu kushtuar Zotit qysh në fëmijërí të parë, na flasin vetëm tradita e shkrimet apokrife. Liturgjia lindore e shënon festën që në shekullin e katërt, ndërsa në Perëndim hyri në Kishë rreth shekullit XIV.
E kremtja përkujton kushtimin e Virgjërës Hyjit me shpirt e me trup. Zoja, me ketë akt, bëhet modeli i gjithë atyre të cilët, aty e mbrapa, do t’i kushtohen Zotit me jetën rregulltare.

Prandaj sot, në përkujtimin liturgjik të Paraqitjes së Zojës së Bekuar në tempull, Kisha kremton edhe Ditën vjetore Pro orantibus, kushtuar rregulltareve të klauzurës, duke kujtuar se kuvendet e jetës kundruese u ofrohen njerëzve si oaza të Shpirtit e u bëjnë mirë të gjithëve. Maria, duke u paraqitur në tempull, është ikonë profetike e atyre, që dhurojnë jetën për lavd e lumni të Zotit e për kthimin e zemrave, përmes kushteve rregulltare. Kisha i shpreh mirënjohjen Zotit për këtë dhuratë dhe i kushton vëmendje të veçantë manastireve, posaçërisht atyre, që kalojnë çaste të vështira.

Gjatë Ditës kushtuar rregulltareve të klauzurës, themeluar nga Piu XII më 21 nëntor 1953, besimtarët luten për ata që ia kushtojnë gjithë jetën kundrimit, duke bashkëpunuar në këtë mënyrë për ndërtimin e mbretërisë së Hyjit. Zgjedhja e rrugës kundruese nuk është e rastit: buron nga dashuria e thellë, pa kushte, për Krishtin dhe nga dëshira për të marrë pjesë shpirtërisht në problemet e Kishës e të botës. Shembulli i murgeshave mund të kthehet në forcë tërheqëse e t’i japë hov ecjes në gjurmët e Krishtit, që kërkohet nga çdo i pagëzuar.

Kjo Ditë u kujton gjithë të krishterëve se Krishti duhet të jetë në qendër të jetës së tyre, se duhet të luten e të dëgjojnë fjalën e Zotit, për ta jetuar plotësisht fenë e tyre.

21 nëntor 2018, 17:09