Papa Françesku me kardinalin DiNardo Papa Françesku me kardinalin DiNardo 

Ipeshkvijtë e SHBA-ve: të bashkuar me Papën e me Kishën mbarë në luftën kundër shpërdorimeve

Në përfundim të plenares së ipeshkvijve të SHBA-ve, kardinali DiNardo shprehu besimin se Kisha do të ecë përpara e bashkuar, duke iu kundërvënë me force e vendosmëri plagës së abuzimeve

R. SH. - Vatikan

Përfundoi dje, në Baltimora, plenaria e Konferencës ipeshkvnore të SHBA-ve (Usccb): në qendër të punimeve, çështja e shpërdorimeve seksuale, kryer nga njerëz të Kishës. Asambleja u mbyll me një deklaratë nën shenjën e shpresës të kardinalit Daniel DiNardo, kryeipeshkëv i Galveston-Houston dhe kryetar i Usccb.

Dashuri, besnikëri e bindje ndaj Papës, nga ana e ipeshkvijve të SHBA-ve

“Shpresa ime - theksoi - bazohet, para së gjithash në Krishtin, i cili dëshiron që Kisha të pastrohet e që përpjekjet tona të jenë të frytshme”. Hirësia e tij i shprehu përsëri Papës, në emër të të gjithë ipeshkvijve, “dashuri, bindje e besnikëri”, në këto ditë të vështira. “Jam i sigurt se, i udhëhequr nga Papa Françesku, takimi që Kisha botërore do të ketë në shkurtin e ardhshëm, do të ndihmojë për ta çrrënjosur të keqen e abuzimeve seksuale nga Kisha jonë. Do t’i bëjë përpjekjet tona më globale e perspektiva globale do të na ndihmojë në këtë drejtim”.

Takimi i rangut të lartë, në Vatikan

Në këtë kuadër, u sqarua edhe kërkesa e Selisë së Shenjtë drejtuar prelatëve të SHBA-ve, për ta shtyrë votimin mbi parimet e përgjegjësisë ipeshkvnore lidhur me rastet e abuzimeve, pikërisht  duke pasur parasysh  ftesën e Papës drejtuar kryetarëve të Konferencave ipeshkvore të të gjithë kontinenteve për të marrë pjesë në takimin e rangut të lartë, në Vatikan, më 21 deri më 24 shkurt të vitit të ardhshëm e për ta përballuar kolegjialisht çështjen.

Jemi në rrugë të drejtë

Kardinali DiNardo i falënderoi të mbijetuarit e shumtë të abuzimeve si dhe specialistët, që dhanë këshilla e orientime të mira gjatë plenares, duke kujtuar tre objektivat, për të cilat u fol aq shumë gjatë verës: të bëhet e pamundura për ta çuar deri në fund çështjen McCarrick; të lehtësohet  sinjalizimi i shpërdorimeve dhe sjellja e keqe nga ana e ipeshkvijve;  të gjinden mënyra për të përcaktuar përgjegjësinë e ipeshkvijve, që janë realisht të pavarur,  edhe me ndihmën e laikëve. Tani - saktësoi - jemi në udhë të drejtë për t’i arritur këto objektiva. Ky është drejtimi që ju dhe të mbijetuarit nga abuzimet në të gjithë vendin tonë, më dhatë për takimin e shkurtit, në Romë”- nënvizoi kardinali.

Aksione sa më të forta, në një kohë sa më të shkurtër

Po largohemi nga ky vend - pohoi - të angazhuar për të ndërmarrë aksione më të forta, mundësisht në një kohë sa më të shkurtër. E bëjmë këtë në bashkim me Kishën Universale. Ecja në harmoni me Kishën në gjithë botën, do ta bëjë Kishën në SHBA më të fortë, e edhe mbarë Kishën, më të fortë!

Reforma e vërtetë, shenjtëria

“Gjithsesi shpresa jonë për një reformë të fortë e të vërtetë - saktësoi kardinali - nuk mbështetet në forcën e strukturave, por në shenjtërinë, në bindjen e thellë në të vërtetën e Ungjillit dhe në gatishmërinë për t’u shndërruar nga kjo e vërtetë në të gjitha aspektet e jetës”. Imzot DiNardo citoi edhe fjalët shqiptuar të hënën e kaluar nga nunci apostolik në SHBA, Christoph Pierre: “Nëse Kisha duhet të reformohet e t’i reformojë strukturat, atëhere reforma duhet të burojë nga misioni i saj. E ky mision është që të gjithë ta njohin Krishtin, Birin e Zotit të gjallë”. “Kurrfarë sistemi, qeverie a vigjilence, sado e shkëlqyer të të jetë - nënvizoi kryetari i ipeshkvijve të SHBA-ve - nuk mjafton, të ligshtë siç jemi, të na bëjë të aftë ta jetojmë në lartësinë e duhur thirrjen, që morëm nga Krishti. Duhet të përtërijmë angazhimin  e shenjtërisë e të misionit në Kishë”.

Të bashkuar me Papën e në dialog me gjithë Kishën

Kardinali përfundoi me fjalët: “Kam besim të plotë se, në bashkim me Atin e Shenjtë e në dialog me Kishën universale, në shkurtin e ardhshëm ne do të ecim përpara. Mbetet akoma shumë për t’u bërë, por kjo që bëmë është shenjë shprese”.

15 nëntor 2018, 11:46