Kërko

 Papa Françesku takohet me Konferencën ipeshkvnore të Kroacisë, në Vizitë ad Limina Apostolorum Papa Françesku takohet me Konferencën ipeshkvnore të Kroacisë, në Vizitë ad Limina Apostolorum 

Imzot Devčiċ: Papa i priti ipeshkvijtë e Kroacisë si atë

Baritoria rinore dhe emigracioni, ishin ndërmjet çështjeve kryesore, që u prekën gjatë vizitës ad Limina të Konferencës ipeshkvnore kroate të 12 nëntorit. Kryeipeshkvi i Rijekës: “Ne nuk jemi ishull!”.

R. SH. - Vatikan

“Ishte takim i atit me bijtë. Kjo, atmosfera. Ati i Shenjtë na inkurajoi e ne e njoftuam për situatën e Kishës në Kroaci. Gjithçka u zhvillua në një atmosferë pa tensione”- kështu e tregon imzot Ivan Devčiċ, kryeipeshkëv i Rijekës, takimin e së hënës së kaluar të Konferencës së ipeshkvijve kroatë, në vizitë ad Limina me Papën.

Të rinjtë dhe familja

Papa Françesku është njeri i madh e, kur erdhëm, na ftoi të flasim të gjithë pa kurrfarë tensioni, as frike - vijoi prelati - i pranishëm, së bashku me ipeshkvijtë e tjerë kroatë, në një takim të Dikasterit për Komunikimin. Imzot Devčiċ preku, së bashku me ipeshkvijtë e tjerë, problemet aktuale të jetës së Kishës kroate: “baritoria e të rinjve është çështja më e rëndësishme për ne, përveç punës baritore me familjen” - theksoi.

Identiteti katolik dhe evropian

“Ne nuk jemi ishull” - saktësoi imzot Devčiċ, duke kujtuar sa ndikimin e madh të fesë katolike mbi identitetin kombëtar, aq edhe përkatësinë e Kroacisë në Bashkimin Evropian, në të cilin bën pjesë që në vitin 2013, si vendi i 28-të anëtar. “Ne jemi shumë të kënaqur e të lumtur  që i përkasim Bashkimit Evropian - pohoi - nuk jemi ende në zonën Schengen, por jemi kufi i jashtën i BE-së

Emigracioni

Ndërmjet çështjeve për t’u përballuar, është edhe ajo e “udhës ballkanike”, ndjekur nga emigrantët për të arritur në vendet e Bashkimit. “Ne e kemi përvojën e emigracionit, sepse gjatë luftës në pjesët perëndimore të Kroacisë, kishte shumë emigrantë nga Bosnja e edhe nga pjesa lindore e Kroacisë, më të goditurat nga konflikti. Tek ne emigrantët mirëpriten - përfundoi kryeipeshkvi i Rijekës - por duhet të dimë kush janë, sepse tani emigrantët vijnë pa dokumente e vendi ka detyrim ndaj gjithë Bashkimit e duhet t’i ruajë mirë kufijtë”.

16 nëntor 2018, 16:24