Kërko

 Lumnohet Teodoro Del Olmo me shokë, martirë Lumnohet Teodoro Del Olmo me shokë, martirë 

I Lumi Teodoro Del Olmo me shokë: një “po” me plot gojën, për dashurinë

Lartohen në nderimet e altarit 16 martirë të tjerë të luftës civile spanjolle: 9 priftërinj, 4 rregulltare e 3 shekullarë, që shërbenin në dioqezën e Barcelonës.

R. SH. - Vatikan

Lartohen në nderimet e altarit 16 martirë të tjerë të luftës civile spanjolle:  9 priftërinj, 4 rregulltare e 3 shekullarë, që shërbenin në dioqezën  e Barcelonës. Kremtimin, pranë katedrales së Sagrada Familia – ku të Lumët e rinj  kujtohen në një kapelë anësore të kiostrit - e kryesoi Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Becciu, i cili i kujtoi të Lumët e rinj si “model për t’u imituar nga besimtarët e të gjitha kohëve”.

Lumnimi i sotëm na çon mbrapa, në kohën e grushit ushtarak të shtetit në Spanjë e të Luftës civile, që pasoi. Një nga periudhat më të vështira të historisë së persekutimeve kundër të krishterëve në Evropën moderne. Dhuna u thellua ndjeshëm ndërmjet korrikut 1936 e prillit 1939, trevjeçar gjatë të cilit u kallën flakë 70% e kishave në territorin kombëtar dhe u vranë 3 ipeshkvij, 4200 meshtarë e seminaristë, 2000 rregulltarë, 300 murgesha, 1000 shekullarë, me një akuzë të vetme, të përbashkët: “shërbëtorë të Kishës katolike”.

“Këta të lum të rinj, si martirë që janë - kujtoi në homeli kardinali Becciu -  e kumtuan Ungjillin dhe dhanë jetën për dashuri: me forcën e vuajtjes së tyre, janë simbol i dashurisë më të madhe, që përmbledh çdo vlerë tjetër”. Martirët na ftojnë të mendojmë për një mori njerëzish të persektuar edhe sot në botë - shtoi Hirësia e Tij - atje ku mungon liria fetare, ku është e pamundur të mbrohesh, ku të pret burgu, internimi, vdekja civile.

Martirizimi, fitore e fesë mbi persekutimin

“E kush mund të na ndajë nga dashuria e Krishtit?”- citoi kardinali Becciu Shën Palin, gjatë homelisë së lumnimit të 16 martirëve të Barcelonës - “Askush, as vetë vdekja!”.

Kjo, pra, është fitorja e të Lumëve të rinj martirë që, sa ishin gjallë, bënë vetëm mirë në famullitë, ku shërbenin; në kolegjet, ku jipnin mësim; në veprimtaritë e tjera të përditshme. E, në çastin më të vështirë të jetës, kur iu desh të dëshmonin fenë e tyre, pranuan më mirë vdekjen, sesa mohimin. Mbasi e dinin mirë se “kush e do jetën e vet në këtë botë, e humbet e kush e humbet, e ruan për jetën e pasosur”. Na mësojnë, kështu të mos e ruajmë jetën vetëm për vetvete - kujtoi kardinali Becciu - por ta dhurojmë edhe për të tjerët. Pikërisht siç bënë martirët. Vetëm kush është i aftë për të shërbyer, mund të thotë se ecën në udhën e Jezusit e se është dishepull i Zotit.

Sulmi i Shtëpisë së Kongregatës së San Pietro in Vincoli

Janë 9, meshtarët që u mbytën nga milicët e 1936-tës. Ngjarja nisi me sulmin e Azilit Toribio Duran, seli e Kongregatës San Pietro in Vincoli, në Barcelonë. Këtu u vra atë Teodoro Del Olmo, Eprori vendas, e katër meshtarë të tjerë, pas një burgimi të shkurtër, ku fliste vetëm tortura.  Pas tyre humbën jetën edhe Joaquín Gómez Peña, Máximo Franco Ruiz (Atë José); Bernardo Puente González (atë Emilio) Joaquín José Puente González. Agonia e tij qe e tmerrshme: katër orë pas ekzekutimit u flak ende i gjallë në lumë.

Janë, pastaj, edhe 4 meshtarë të Kongregatës San Pietro in Vincoli, që mundën të shpëtojnë nga sulmi i korrikut 1936, por jo nga sulmet e mëpasme. Humbën jetën pas burgimit të gjatë, të pushkatuar nga diktatura ushtarake “in odium fidei”. Ndër ta, atë Ismaeli, apo Estanislao de Kostka Tajadura Marcos, vrarë më 18 shtator. Pastaj, Angel de la Iglesia Ocina,   vrarë më 15 shkurt 1937, flakur në një gropë të përbashkët. E aty përfundoi edhe atë Albino, rregulltar. Së fundi Acacio Maria Calleja Santamaría.

Katër rregulltare të martirizuara

Kur nisi salvimi antikatolik, Nëna Carlota de la Visitación Duque Belloso, u fsheh në shtëpinë e disa miqve, në Barcelonë, por dikush e spiunoi. E arrestuan menjëherë dhe e vranë. Pas saj, vranë edhe tri motra, sot në nderimet e altarit: Motra Andrea Solans Ballesté; Motra  María Auxilio Noguera Manubens,  motra  Patrocinio Vilanova Alsina.

Të lum, edhe tre shekullarë

Janë edhe tre laikë, ndërmjet të lumëve të sotëm:  Gregorio Díez Blanco dhe motra e tij Camila si dhe i riu Eliseo Moradillo García. I vranë, sepse ndihmonin meshtarët, me të cilët ndanë edhe fatin e fundit, duke vdekur si martirë e duke u lartuar në nderimet e altarit!

 

10 nëntor 2018, 17:41