Kërko

Atë Pedro Arrupe, jezuit Atë Pedro Arrupe, jezuit 

Hapet çështja e lumnimit për atë Pedro Arrupen, jezuit

Lajmi u dha nga atë Arturo Sosa, epror i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit, i cili kujtoi cilësitë e jashtëzakonshme të meshtarit, në shërbim të të varfërve, të Papës e të Kishës.

R.SH. - Vatikan

“Atë Pedro Arrupe u tregua ‘njeri i Zotit e njeri i Kishës”, ishte i jashtëzakonshëm dhe i apasionuar”. Fama e tij është spontane, e vazhdueshme dhe i qëndron kohës. Kështu shkruan eprori i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezusit, atë Arturo Sosa, në një letër, me të cilën lajmëron hapjen e çështjes së lumnimit për atë Pedro Arrupen, eprorin e 28-të të jezuitëve në periudhën 1965-1983.

Cilësitë e atë Pedro Arrupes

         Jezuitë e jo, vijon atë Sosa, janë dëshmitarë të cilësive të tij të jashtëzakonshme: “dëshira për të plotësuar në gjithçka vullnetin e Zotit Atë, rrënjosja e tij në Jezu Krishtin, besimi në Shpirtin Shenjt si udhërrëfyes i Kishës, besnikëria e pamohueshme për Atin e Shenjtë, ‘Mëkëmbësin e Krishtit mbi tokë’, shpirti i tij misionar, besnikëria personale në mënyrën tonë të veprimit, ndjeshmëria për gjendjet dramatike shoqërore, dashuria dhe afërsia e tij për të varfërit”. Atë Sosa i njeh meshtarit jezuit forcën për risimin e jetës së bashkësisë, mishërimin e traditës injaciane në të, por edhe në Kishë e shoqëri, në përgjithësi. Kujton se atë Arrupe mori pjesë në Koncilin II të Vatikanit, ku bëri thirrje “kundër padrejtësive”. Nënvizon impenjimin e tij në favor të refugjatëve, të pajtimit, të ekumenizmit e të dialogut ndërfetar.

Më 5 shkurt 2019, nisja e mundshme e çështjes

         Ҫështja e lumnimit është nisur nga dioqeza e Romës, vendi ku vdiq atë Pedro. Sapo të merret “nihil obstat”(asgjë kundër) i Selisë së Shenjtë dhe pëlqimi i ipeshkvijve më afër Romës, në Konferencën Ipeshkvnore Italiane, si edhe të verifikohet se nuk ka asnjë pengesë nga Populli i Zotit, shkruan së fundi eprori i jezuitëve, atë Sosa, “më 5 shkurt 2019, në 28-vjetorin e vdekjes së tij, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, do të mbahet sesioni i hapjes formale të çështjes”.

16 nëntor 2018, 14:38