Atë Bernard Caruana e imzot George Frendo Atë Bernard Caruana e imzot George Frendo 

Fillon nesër Sinodi dioqezan në Tiranë. Flet atë Bernard Caruana

Për herë të parë pas komunizmit, në Tiranë, mblidhet një Sinod dioqezan. Tema e tij, caktuar e dashur nga kryeipeshkvi, imzot George Frenda, është "Ungjillëzimi i ri". Intervista e Elidon Dodajt me atë Bernard Caruanën, misionar domenikan, që shërben në Durrës, me përgjegjësi të veçantë për Sinodin.

R.SH. - Vatikan

Fillon nesër, në Tiranë, për herë të parë pas komunizmit, Sinodi dioqezan mbi “Ungjillëzimin e Ri”, mbledhur nga kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo, njëkohësisht, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë. E gjithë Kisha ftohet të reflektojë si duhet t’u kumtojë Ungjillin e Krishtit shqiptarëve të sotëm; si është në gjendje ta shndërrojë njeriun bashkëkohor kjo forcë ungjillore; cilat janë mënyrat më të mira që Ungjilli i mishëruar të japë fryte të begata. Me këto synime, delegatët dioqezanë do të marrin pjesë në meshën e kremtuar nga imzot George Frendo, në katedralen e Shën Palit në Tiranë, gjatë së cilës do të thonë Besojmën me dorë në Ungjill e do t’i luten Shpirtit Shenjt t’i shndrisë në këtë udhë sinodale. Seanca e parë e Sinodit do të fillojë në orën 11.45. Gjatë saj do të përcaktohen grupet e punës dhe mënyra e vijimit. Pas kësaj dite, pjesëmarrësit do të punojnë sipas grupeve, për t’u mbledhur pastaj, më 19 janar, 16 mars dhe 18 maj 2019 – seancat e tjera të Sinodit. Më hollësisht për këtë ngjarje të rëndësishme në jetën e Kishës Katolike, të dëgjojmë intervistën e realizuar nga Elidon Dodaj me atë Bernard Caruanën, misionar domenikan, që shërben në Durrës, me përgjegjësi të veçantë për Sinodin...

Dëgjo atë Bernard Caruanën...

Përshëndetje Atë Bernard, jemi vetëm pak përpara Hapjes së Sinodit Dioqezan të Arqidioqezës Tiranë - Durrës, mund të ndajmë së bashku për dëgjuesit e Radio Vatikanit dhe Vatican News disa momente që i paraprijnë këtij Sinodi të parë Dioqezan.

1- Ju jeni duke punuar ngushtësisht pranë Imzot Frendos, për këtë Sinod, mund të jepni një pasqyrë të përgjithshme rreth kësaj ngjarje fort të rallë për Kishën në Dioqezë, por edhe në vend?

Duhet të them që shpallja e vendimit të Arqipeshkvit në takimin e Këshillit Presbiteral më 8 maj 2017 të mbledhë një Sinod Dioqezan ka qënë për të gjithë ne një shtrëngatë. Fillimisht kemi menduar në fakt që ky ishte thjesht një propozim për një të ardhme të largët, por vullneti i arqipeshkvit ishte këmbëngulës dhe pikërisht në të njëjtin takim u ndërtua një Komision Qendror për Sinodin Dioqezan. Tema e Sinodit është “Ungjillëzimi i Ri” në arqidioqezën tonë. Që në atë moment kemi filluar të ëndërrojmë. Sfida e parë ishte të zberthenim temën në mënyrë që ta kuptonim më shumë. Sfida e dytë ishte si do të zhvillohet Sinodi.

Bëhet fjalë për një ecje kishtare që intensifikohet gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës në këtë Kishë vendase. Si mund të angazhohemi për t’ua shpallur Ungjillin njerëzve të kohës sonë që janë të gjallëruar nga shpresa, por njëkohësisht, shpesh të trazuar nga frika dhe ankthi? Si mund të qëndrojmë besnikë dhe njëkohësisht shërbëtorë ndaj Lajmit të Mirë? Çfarë mund të bëjmë sot, konkretisht në dioqezën tonë, me këtë energji të fshehur të Lajmit të Mirë, që është në gjendje ta godasë thellësisht ndërgjegjen e njeriut bashkëkohor? Deri në çfarë pike dhe si është në gjendje kjo forcë ungjillore ta shndërrojë me të vërtetë njeriun e sotëm? Cilat metoda duhet të ndjekim si dioqezë për të shpallur Ungjillin derisa fuqia e tij të mund të japë fryte? Këto janë vetëm disa pyetje sfiduese që kanë edhe si qëllim ta shkundin Besimin Katolik të konceptuar thjesht si trashëgimi kulturore në zbulimin e fesë si përvojë dinamike miqësie me Jezusin.     

Sinodi, nga greqishtja σύνοδος (synodοs) është e përbërë nga pjesëz syn (së bashku) dhe odos (ecje). Bëhet fjalë atëherë për një ecje të përbashkët. Edhe pse mund të ketë këndveshtrime të ndryshme dhe pengesa të llojllojshme, ecja mbetet një, shikimi mbetet një. Sinodi atëherë, si një nga trashëgimitë më të çmuara të Koncilit II të Vatikanit, është një rast i volitshëm për një bashkëpunim të frytshëm ku gjitha realitet e Arqidioqezës të kërkojnë njohuri dhe maturi të veçantë për të mirën e gjithë Kishës; një kanal i përshtatshëm për ungjillëzimin e botës së sotme, konkretisht në Arqidioqezën tonë të Tiranë - Durrësit.

Dioqeza jonë është një realitet me shumë ngjyra. Shumë tradita bashkohen për të dëftuar krijimtarinë e një kombi që përpiqet, me kalimin e kohës, jo pa hasur vështirësitë historike dhe shoqërore, ta kuptojë dhe ta mishërojë, në vendin e vet, përvojën e gjallë të besimit katolik. Një dioqezë padyshim heterogjene!

2 – Cili itinerar është ndjekur si përgatitje për këtë Sinod Dioqezan?

Pas shpalljes së vendimit nga ana e arqipeshkvit është ndjerë menjëherë nevoja që të këshillohemi më ndonjë dioqezë tjetër jashtë Shqipërisë që ka jetuar tashmë këtë përvojë kishtare. Kemi thirrur në fakt sekretarin e përgjithshëm për Sinodin Dioqezan të Barit, i cili na ka ndihmuar jo pak me këshillat e tij, sidomos përsa i përket organizimit të Sinodit.

Kemi kuptuar që së pari duhet të dëgojmë! Kë të dëgjojmë? Së pari zërin e Shpirtit Shenjt. Është hartuar në fakt një lutje për të shoqëruar ecjen e Sinodit. Së dyti, zërin e popullit nëpërmjet fazës shumë të rëndësishme të konsultimit. Shoshitja nuk është ndonjë teknikë organizative e aq më pak modë e kësaj papnie por qëndrim i brendshëm që rrënjoset në një akt feje. Në Shqipëri themi “duke parë e duke bërë”. Në këtë kontekst vlen më shumë të thuash “duke dëgjuar, duke bësuar dhe duke vepruar”. Atëherë na shoqëron gjithmonë ftesa e Papës Françesk, i cili në fjalimin që mbajti kur është hapur Sinodi i të rinjve në Romë falënderoi së pari etërit sinodalë për punën që kishin bërë deri në atë moment duke përgatitur dokumentet e rëndësishme, por njëkohësisht i ftoi që t’i jepnin mundësinë secilit ta ndjente rezonancën e gjërave të thëna në zemrën e vet ose gjatë diskutimeve, për t’u thelluar e për të kuptuar çfarë i kishte bërë më shumë përshtypje. Këtë e thotë shpesh arqipeshkvi: që nuk mund t’i mësojmë të tjerët nëse nuk mësojmë nga të tjerët, dhe nuk mund të mësojmë nga të tjerët nëse nuk jemi të gatshëm të dëgjojmë. Puna jonë atëherë nuk është kufizuar në zyra, por edhe në rrugë.

Atëherë duke shmangur rrezikun e klerikalizmit, duke shmangur virusin e vetëreferimit dhe përfundimeve të nxituara, kemi menduar që të mbledhim dy Asamble Dioqezane, të cilat i kanë dhënë mundësinë ipeshkvit që të na japë udhëzimet e nevojshme përsa i përket temës së Ungjillëzimit dhe aktualizimin e tij. Duhet të themi që pjesëmarrja në këto asamble dioqezane ka qënë shumë pozitive dhe inkurajuese. Kanë qenë më të vërtet një përvojë e të qenurit kishë dioqezane shumë e fortë. Shumë kanë pranuar thirrjen e arqipeshkvit për këtë moment soditjeje dhe bashkimi. Nga të gjithë pjesëtarët e asamblesë u prit me entuziazëm e hare idea e një Sinodi në dioqezën tonë. Faza tjetër e konsultimit filloi me shpërndarjen e një pyetësori nëpër dioqezë me temën Kisha që jemi, Kisha që duam të jemi. Një hapësirë shumë e dobishme që i është dhënë çdo bësimtari ose njerëzve me vullnet të mirë që të japin propozime, sugjerime dhe vërejtje të ndryshme. Në të njëjtën kohë, nga ana e së drejtes kanonike arqipeshkvi bashkë më këshillin e tij hartuan një rregullore për Sinodin Dioqezan. Kurse për anën doktrinale kemi ndjerë nëvojën që të mbeshtetemi tek disa dokumente kishtare si për shembull dokumentet shumë të pasura të Koncilit Vatikani II-të,  Nxitjes Apostolike Evangelii Nuntiandi të Papës Pali VI dhe patjetër Porosinë Apostolike Gëzimi i Ungjillit (Evangelii Gaudium) të Atit të Shenjtë Françeskut.

3 - Cilat janë disa nga elementet dhe momentet që gjatë këtij Sinodi do të takoheni më shpesh? (takimet e asamblesë sinodale, puna në grupe, sa do të jenë grupet e punës, n.q.s. mund të bashkëndajmë për dëgjuesit dhe lexuesit tanë)

Sipas ecjes mjaft të ngjeshur që kemi përmendur, kemi caktuar 10 (dhjetë) komisione ose grupe  pune, që do të diskutojnë vitin e ardhshëm (në katër seanca ) tematikat e ndryshme që zbërthejnë temën e Ungjillizimit. Këto përfshijnë: Kisha si Bashkësi Ungjillëzuese, Kisha dhe Kultura, Meshtarët, Rregulltarët dhe Thirrjet, Besimtarët Laikë, Kerygma dhe Katekeza, Kremtimet Liturgjike, Diakonia dhe Drejtësia, Martesa dhe Familja, Adoloshentët dhe të Rinjtë, Mjetet e Komunikimit. Do të jemi 75 veta Sinodalë nga e gjithë dioqeza, që përfshijnë 27 meshtarë, 14 motra dhe 34 laikë (17 burra dhe 17 gra). Pra kemi një përfaqësim të bukur të laikëve, që përfshijnë edhe disa të rinj.  

3- Një kremtim ndryshe, i pari deri tani në Dioqezë. Cilat janë disa nga momentet kyçe të Meshës së Përurimit të shtunën më 24 nëntor?

Mësha e përpurimit të Sinodit e udhëhequr nga arqipeshkvi metropolit Imzot Gjergj Frendo bashkë me ipeshkëvijtë, meshtarët dhe besimtarët laikë të pranishëm në Tiranë, përmban një liturgji shumë magjepse. Ipeshkvi, meshtarët bashkë me popullin do të mblidhen në oborrin e Kishës Katedrale në Tiranë. Në këtë moment fillestar, ipeshkvi fton besimtarët e pranishëm, në mënyrë të posaçme anëtarët e Sinodit, që të kujtojnë thirrjen e tyre pagëzimore dhe që të marrin seriozisht ftesën e Sinodit si një akt patjetër qeverisjeje ipeshkvore dhe njëkohësisht një ngjarje bashkimi e gjithë kishës dioqezane, në këtë moment rreth tryezës eukaristike. Proçesioni drejt Kishës shoqërohet me këndimin e litanive duke kërkuar ndërmjetësimin e të gjithë shenjtërve, sidomos të Zojës së Këshillit të Mirë, të Sh. Palit (Pajtori i arqidioqezës sonë), të Shenjtes Terezë të Kalkutës si edhe të të Lumëve Martirë Shqiptarë.

Jane dy momente shumë domethënese gjatë liturgjisë së hapjes së Sinodit. Së pari, pas homilisë, anëtarët e Sinodit, duke vendosur dorën mbi Shkrimin e Shenjtë, do të japin dëshmi për besimin e tyre publikisht duke shpallur me fe të palëkundshme të vërtetat e përgjithshme dhe të veçanta që përmbahen në Simbolin e fesë.

Së dyti, pas kungimit do të thuhet lutja e ashtuquajtur ADSUMUS. Kjo është një lutje shumë e lashtë e Kishës dhe përdoret në hapjen e Sinodëve, Koncijve ose mbledhjet baritore të veçanta Kishtare. Lutja fillon pikërisht me një pohim: sumus ad, “jemi përpara teje”. Është një lutje drejtuar Shpirtit Shenjt dhe ne e thërrasim në ndihmë gjatë ecjes sinodale. Kjo shënon atëherë një hapje jo vetëm horizontale, mes besimtarëve shpesh të bllokuara nga mangësitë e tyre, por edhe një hapje vertikale d.m.th. mes besimtarëve dhe Shpirtit Shenjt-Zot që mbush Kishën me oksigjen, me ajër të pastër nëpërmjet frymëzimeve të shumta. Kjo shpjegon edhe pse atë ditë do të përdoret ngjyra e kuqe gjatë liturgjisë pikërisht për të nënvizuar praninë e pandërprerë dhe gjithmonë aktive të Shpirtit Shenjt brenda Kishës.

Një himn krejtësisht kushtuar këtij Sinodi dhe një ikonë simbolike...

Gjatë ecjes sinodale do të kemi një ikonë të Shën Palit i cili në Letrën e tij drejtuar Romakëve, duke përshkruar shërbesën e tij misionare si ungjillëzues, pohon që qysh prej Jeruzalemit e përqark në Iliri (dhe atëherë edhe në Shqipëri) e ka përhapur Ungjillin e Krishtit.

Himni i Sinodit mban titullin Ju jeni kripa e tokës, ju jeni dhe drita e botës. Refreni propozon një citim nga Ungjilli sipas Mateut (5, 13-16). Është një pjesë nga predikimi i famshëm i Jezusit mbi Mal. Pasi kishte përuruar Mbretërinë e Hyjit nëpërmjet programit jetësor të të krishterëve (Lumturitë), tani thekson dy tipare tonat të jashtëzakonshme si krijesa të reja në Krishtin Jezus: të thirrur jo vetëm për të qënë dishepujt e Tij, por edhe sidomos apostuj, d.m.th. të dërguar drejtpërdrejt nga Jezu Krisht për të përhapur Lajmin e Mirë në botë. Përtej përdorimeve të tjera të saj, kripa është një mënyrë ruajtjeje, gjithashtu dhe jep shije. Ajo e ruan ushqimin nga prishja dhe i jep shije atij. Në këtë mënyrë pra, Hyji na ka besuar botën, për ta ruajtur dhe për t’i dhënë shije asaj. Kjo arrihet, duke shfaqur dashurinë e Hyjit dhe duke ndarë Fjalën e Hyjit përmes Shpirtit Shenjt, në fushën tonë të veprimit: në familje, me miqtë, fqinjët, kolegët etj. Drita zbulon, ajo tregon dhe shfaq rrugën. Drita drejton. Të jesh drita e botës do të thotë që të drejtosh dhe të udhëheqësh ata që janë në botën tënde. Ne jemi qyteti i ngritur në majë të malit i cili nuk mund të fshihet.

Strofat pasqyrojnë ato tematika kryesore që zbërthejnë bërthamën e Sinodit siç janë hartuar gjatë fazës përgatitore dhe njëkohësisht shërbejnë si një “katekezë” e vogël. Ato përfshijnë: familjen, kishën shtëpiake; Kishën, e konceptuar si një bashkësi, e pandashme prej Krishtit, të ungjillëzuar dhe ungjillëzuese; rëndësia parësore e dëshmisë së jetës; domosdoshmëria e një shpalljeje të hapur dhe gëzimi si pjesë themelore e besimit të krishterë.

Dëgjo muzikën e himnit...
23 nëntor 2018, 13:38