Kërko

E Lumja Clelia Merloni E Lumja Clelia Merloni  

E Lumja Clelia Merloni

Sot, pranë Bazilikës romake të Shën Gjonit në Lateran, u shpall e lume Nënë Clelia Merloni, Themeluese e Institutit të Motrave Apostulle të Zemrës së Krishtit.

R. SH. - Vatikan

Sot, pranë Bazilikës romake të Shën Gjonit në Lateran, u shpall e lume Nënë Clelia Merloni, Themeluese e Institutit të Motrave Apostulle të Zemrës së Krishtit, vdekur më 1930. Kremtimin e kryesoi i dërguari i Papës, prefekti i Kongregatës për çështjet e Shenjtorëve, kardinali  Becciu.

“Zemra e saj rrahu njëherësh me rrahjet e zemrës së Krishtit, nësa i përgjigjej armiqësisë e përbuzjes me dashuri". Gjë aspak e lehtë - kujtoi kardinali Giovanni Angelo Becciu në homelinë e Meshës së lumnimit të Clelia Merlonit.  Hirësia e tij skicoi portretin e një gruaje, jeta e së cilës qe plot vuajtje e mundime. Jetë me vulën e Kryqit!  Me sytë drejtuar gjithnjë kah Zoti, posaçërisht në orën e provës. Kardinali foli gjatë edhe për kalvarin e saj, kur për shkak të shpifjeve e hoqën nga drejtimi e, pastaj, edhe nga instituti, që e kishte themeluar me shumë flijime. Kalvar i frikshëm. Me vetmi e izolim, me ligshtimin e shëndetit e me vuajtje, deri në kufijtë e dëshpërimit. Ishe çati i takimit me Dhëndrin e saj, Krishtin e Kryqëzuar!

Duke përshkruar çastet më të rëndësishme të jetës së Nënë Clelia Merlonit, Kardinali Becciu nënvizoi se përballë Zemrës së Krishtit, e Lumja e re pranoi gjithnjë  dëshirën për t’u pajtuar me të gjithë, duke gjetur forcë t’i falte ata, që e përndiqnin pa faj pa mëkat. Ndonëse kishte karakter të fortë, u tregua thellësisht e butë në çastin e ndjesës, duke i harruar shpejt fyerjet e pësuara e duke dëshmuar kështu, pushtetin fitimtar të dashurisë. Së fundi, kardinali vuri në dukje se "Nënë Clelia i deshi të gjithë, posaçërisht më të ligshtit, e punoi për të gjithë, posaçërisht për edukimin fetar të  breznive të reja”.

Nënë Clelia Meloni lindi në Forlì, më 10 mars 1861, në familjen e Teresa Brandinellit dhe Gioachino Merlonit, industrialist i pasur. Në moshën 33 vjeçare, së bashku me tri mikesha, bëri hapin e parë për themelimin e Institutit të Motrave Apostulle të Zemrës së Krishtit, në Viareggio. Qëllimi ishte të vijohej misioni i Shën Margherit-ës Alacoque: të punohej për ta njohur e për ta dashur Zemrën e Krishtit. Kongregata u bë shumë shpejt e njohur.

Të shumënumërta, edhe veprat e saj, brenda e jashtë Viareggio-s, Për shkak të vdekjes së të atit të Clelia-s, e  lojës së fatit, shkaktuar nga një mbarështues i paaftë, Apostullet e reja u detyruan t’i braktisnin shumë vepra e të largoheshin edhe nga Viareggio. Po Provania Hyjnore nuk i lëshoi dore e Kongregata, e themeluar me aq zell e dashuri për Krishtin, nuk u shua, madje mori hov të ri, e nxitur dhe e ndihmuar nga imzot Giovanni Scalabrini, ipeshkëv i Piaçencës, që i nisi Apostullet me mision sa në Itali, aq edhe jashtë saj: në Amerikën Jugore (Brazil, San Paolo e Parana) e edhe në Amerikën e Veriut (SHBA). Nënë Clelia Merloni vdiq në Romë, më 21 nëntor 1930, duke u lënë pas një trashëgimi shumë të pasur shpirtërore. bijave të saj.

 [ Audio Embed Një nga bijat shqiptare të Nënë Clelias na flet sot për këtë trashëgimi. Të dëgjojmë motër Majlinda Topallin]

03 nëntor 2018, 13:51