Bibla Bibla 

Ҫelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Kishtarit I

Një nga çuditë e Biblës është fakti që Libri i Kishtarit qëndron pranë e pranë me Këngën e Këngëve, për të cilën iu folëm në emisionin e kaluar. Nga pasioni i dy të dashuruarve kalohet në dëshpërimin e këtij mbreti të çuditshëm, që e fillon poemën e vet, duke thënë: “kotësi mbi kotësi e gjithçka është kotësi!” (Kish 1,2), e cila në hebraisht tingëllon: “Havel Havalim”, apo “Tym mbi tym, gjithçka s’është tjetër veç tym”. Siç e kuptuat, sot, do t’ju flasim për Librin e Kishtarit, gjithnjë, sipas vëllimit “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Jo vetëm që Libri fillon me këtë lloj dëshpërimi për gjithçka bëhet tym, por përfundon edhe më me hidhërim: “njeriu nuk e njeh as dashurinë as urrejtjen: para tij gjithçka është kotësi” (Kish 9,1). Bibla është tekst, që flet mbi Zotin, për të folur mbi njeriun e të vërtetën e tij, prandaj, edhe përmes librave si ai i Kishtarit, na thotë se Zoti është një i vetëm, por njeriu është shumë gjëra, është njëmijë mendime, njëmijë emocione e mundësi. Prandaj, Kënga e Këngëve është pranë Librit të Kishtarit, sepse Bibla është këngë polifonike e pikërisht Kishtari apo “Kohelet”, siç thuhet në hebraisht (bashkim, mbledhje, tubim), ndryshon krejtësisht nga Kënga e Këngëve. Pas pasionit e bukurisë së dashurisë, papritmas, bie mjegulla e dendur e asaj, që poetët e kanë quajtur “indiferencë hynore”. I famshëm, kapitulli i parë:

“Ç’fitesë ka njeriu prej të gjithë punës

që bën nën diell?

Një brezni kalon, një tjetër brezni vjen,

kurse toka mbetet gjithmonë e njëjta.

Dielli lind, dielli perëndon

e mezi ç’pret të mbërrijë në vendin e vet

nga prapë lind!

Era merr drejtimin e mesditës, kthehet në perëndim,

fryn duke u endur gjithkah në lëvizje

dhe kthehet në vorbullat e veta.

Të gjithë lumenjtë rrjedhin drejt detit e deti nuk mbushet,

dhe, në vendet nga dalin, atje lumenjtë kthehen

në rrjedhën e vet.

Gjithçka është e mërzitshme.

dhe s’ka njeri që mund t’ia shtjellojë pse-në.

S’ngihet syri me të parë

as s’mbushet veshi me të dëgjuar.

Çka qe

është tani e do të jetë pastaj.

Çka ka qenë bërë

është tani e do të bëhet pastaj:

s’ka asgjë të re nën diell! (Kish 1,3-10).

         Kush është Kishtari? Ҫfarë e mundon kaq shumë? Me kë e ka? Ekspertët thonë se jemi në shekullin III para Krishtit, në Jeruzalem e, se autori mund të jetë një mësues me formim helenist, që jep leksione pranë tempullit. Lind kështu një libër, që mu në djepin e judaizmit, nuk radhitet me mendimin tradicional hebraik, por e vlerëson atë me ashpërsi të paparë, në dritën e mendimit grek. Edhe për Zotin, 32 herë me radhë, përdoret fjala Elohim e asnjëherë tetragrami i shenjtë YHWH. Ky nuk është Zoti i Moisiut; i ngjan më shumë një hyjnie larg nga jeta e njeriut, pa interes për jetën e tij. Duket më afër orëndreqësit të Voltaire se sa Hyjit të apasionuar të profetëve. “Nuk arrij ta imagjinoj se si ora e gjithësisë mund të ecë pa një orëndreqës”. Kështu shkruante Voltaire e kështu duket sikur mendon Kishtari.

         Jemi pra, para një libri biblik, që u paraprin shekujve, përsa i përket botëkuptimit mbi Hyjin, pasi në epokën moderne, shumë kohë më vonë, do të përhapej i ashtuquajturi “këndvështrim deist”, që nuk kërkon marrëdhënie personale e fetare me hyjninë. Ndoshta, edhe për këtë arsye, libri përmban një epilog, që është shtuar më vonë e në të cilin, jo pa një farë ankthi, bëhet përpjekja për t’i vënë fre të gjitha dilemave:

“Përfundimi i bisedimit, pasi u dëgjuan të gjitha:

Druaje Hyjin e mbaji urdhërimet e tija; sepse në këtë e ka tërë vlerën e vet njeriu.

E njëmend, Hyji do t’i qesë në gjyq të gjitha veprat e fshehta, qofshin ato të mira, ose të këqija” (Kish 12,13-14).

         Kishtari shkroi me ndershmëri të vërtetën, i përdori fjalët si gjemba e si gozhda, që të shpojnë e nuk të lënë të qetë. Po ku e ka qëllimin Libri dhe pse bën pjesë në Bibël? Këtë do ta sqarojmë javën e ardhshme, gjithnjë të enjten, në rubrikën “Ҫelësi i fjalëve të Kishës”.

29 nëntor 2018, 12:50