Bibla Bibla 

Ҫelësi i fjalëve të Kishës: Kënga e Këngëve

Flasim sot për Librin e Këngës së Këngëve, gjithnjë, sipas vëllimit “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Më mbulo me të puthuna të buzëve tua!

Ma e kandshme se vena asht dashtënia jote (KK 1,2)

         Kështu fillon një nga Librat më të bukur të Biblës, megjithëse ndokujt mund t’i duket i çuditshëm, Libri i Këngës së Këngëve, për të cilin do t’ju flasim sot, gjithnjë, sipas vëllimit “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia. Kujtojmë se një nga përkthimet më të bukura të këtij Libri është bërë nga françeskani shqiptar, atë Daniel Gjeçaj. I tij është versioni “Kanga e Kangëve”, që do të përdorim sot.

         Libri i kritikuar fillimisht, pasi nuk kuptohej arsyeja pse duhej të bënte pjesë në Bibël, më pas, u pranua, me kusht që të konsiderohej metaforë e dashurisë së Zotit për popullin e vet dhe e dashurisë së Krishtit për Kishën e vet. Kështu, hebrenjtë e lexojnë ditën e Pashkëve për të kremtuar dashurinë e Zotit e ne, të krishterët, e kemi kthyer në librin e mistikëve e të dasmës shpirtërore me Hyjin. Vetëm disa pjesë të poemës, i dëgjojmë të lexohen nëpër martesa të zakonshme, si për shembull, kjo:

Një za! I dashtuni em!

Qe, po vjen

tue këcye nëpër male,

tue u hjedhë nëpër kodrina.

I dashtuni em ia ngjanë një kaprolli,

apo një dreni.

Qe, ai rrin

mbas murit tonë;

shikjon prej dritorjet,

mbas kafazit të sajë prigion. (KK 2,8-9)

         Vetëm vonë teologët e Kishës filluan të nxjerrin në pah se Libri flet për dashurinë njerëzore, për pasionin, për sensualitetin e një burri e të një gruaje, që lënë kokën pas njëri-tjetrit. Zoti përmendet vetëm një herë e nuk ka gjurmë të Ligjit, të Moisiut, të profetëve, të Tempullit. Natyrshëm, dikush mund të pyesë: ç’bën ky Libër në Bibël?

         Duke lexuar Këngën e Këngëve kemi përpara një tekst (humanist), që i thur himne dashurisë, pa u shqetësuar për asgjë tjetër. Nuk flitet për familjen, për lindjen e fëmijëve, për besnikërinë, për premtimet, që natyrisht, janë gjëra të shenjta e jashtëzakonisht të rëndësishme, por duket se lihen jashtë për një çast e mund të presin pas dere. Gjithçka që në Psalme përdoret për të madhëruar Zotin, këtu përmendet për të kujtuar bukurinë e dy të dashuruarve:

Sa e bukur je, miknesha eme,

sa e bukur je:

sytë tú janë pëllumba,

të mshehun mbas degërmisë.

Flokët tú porsi tufë dhishë

që zdrypin brijash të Galaadit!

Dhambët tú porsi një grigjë delesh mbas të qethunit

që dalin jashtë prej ujit;

ecin dy e ka dy

e kurrnjë s’asht pa shoqe!

Buzët tua janë si shirit purpurit,

e goja jote e mbushun asht me hirë,

këto faqet tua – kuq si kokrra e shegës,

vetojnë nëpër velin tand.

Qafa jote, si pyrgu i Davidit

luginën që sundon.

Njëmijë mburoja varun janë në tê,

si të ishin armatime për kreshnikë.

E gjitë tú janë porsi dy drenusha

Binjoke të një demi

që gjejnë kullosë ndër lila! (KK 4,1-5)

         Dashuria është e vetmja gjë, që ka pushtetin për të na dhuruar lumturinë e na e jep atë edhe përmes ndjenjave, të cilat, nganjëherë, bëhen tirane e komandojnë mendjen e zemrën. Kështu, dashuria kthehet në një lloj sulmi, të cilit nuk mund t’i rezistohet:

“Çou, e dashtuna eme,

e bukura eme, e eja!

Përsè, qe, se dimni ka kalue,

shiu ka mê, moti asht davaritë;

lulet kryet e qitën nëpër ara,

kthej koha e kangës,

zani i turtullit ndihet tashma

në ograjat tona,

Fiku frytet e para i ka shejë,

e hardhijat në lule, aromën shpërndajnë.

Ҫou, miknesha ime,

bukuroshja eme, eja!

O pëllumbesha eme,

që rrin ndër plasa të shkambijve,

ndër vrimat e rrëmoreve,

diftoma fëtyrën tande,

ban që ta ndiej zanin tand,

përsè zani yt asht i ambël,

e fëtyra jote, hyjrí” (KK 2,10-14)

         Bukuria… Eskpertët thonë se Kënga e Këngëve ka ngjashmëri të mëdha me këngë të lashta dashurie egjiptiane, por Libri biblik nuk është i mbushur thjesht me to. Na thotë dy gjëra: feja nuk ka pse të vihet në siklet nga pasionet e ndjenjat, e së dyti, është vetëm shpirti ai, që i mëson ndjenjat të mos e shpërdorojnë bukurinë. Kënga e Këngëve na tregon se shpirti mund të kënaqet me sensualitetin, duke e jetuar e duke e kremtuar pa skrupuj, por edhe pa teprime, sepse vetëm shpirti di ta ushqejë atë zjarr, i cili, nëse mbetet thjesht epshor, shuhet pashmangshëm. Të shohin të dashuruarit nëse ka gjurmë poezie, kënge, vizioni e pritjeje në dashurinë e tyre; nëse ka një ekstazë dashurie që i paraprin, e udhëheq dhe e shoqëron ekstazën e ndjenjave. Kënga e Këngëve na thotë se dashuria është punë shpirti, që e kupton kënaqësinë e ndjenjave e të pasionit, pikërisht për bukurinë me të cilën ato reshen mbi trup dhe e veshin atë. Për ta ndjerë këtë bukuri, duhet shpirt. Kënga e Këngëve na zbulon kështu, se jemi më afër Zotit, vetëm kur dashuria na mbledh lëmshin në grykë, vetëm kur e provojmë mrekullinë e pështjellimit nga bukuria, e vetmja arsye, për të cilën mund të shkruhen këto rreshta:

Më thadro posi vulë në zemër tande,

si vulë mbi krahin tand,

përsè e fortë posi deka, asht dashtënia,

e epshi – përvëlues porsi ferri;

flakët e sajë janë porsi gjuhët e zjarmit,

janë flaka e Zotit!

As ujnat pa fund dashtëninë s’mund ta shkimbin,

s’mund ta përlajnë lumejtë.

Ndokush po të epte tanë pasunitë e shtëpisë,

në shkëmbim të dashtënisë,

dtjetër s’kish me fitue, veçsè përbuzje. (KK 8,6-7)

Vërtet, asgjë s’është më e rëndësishme se dashuria, asgjë.

22 nëntor 2018, 17:29