Benedikti XVI Benedikti XVI 

Benedikti XVI: dialog me hebrenjtë, jo mision

Papa i nderit “korrigjon” një artikull të teologut Michael Böhnke dhe hedh poshtë akuzat kundër tij, si insinuata absolutisht të rreme.

R.SH. - Vatikan

Nuk është fjala për “mision”, por për “dialog”: kështu pohon Benedikti XVI në një “korrigjim” për revistën katolike gjermane “Herder Korrespondenz”, lidhur me një artikull të nënshkruar nga teologu i Ëuppertal-it, Michael Böhnke, i cili, në numrin e shtatorit komenton një mendim të Papës së nderit mbi marrëdhëniet ndërmjet hebrenjve dhe të krishterëve.

         Hebraizmi dhe krishterimi, pohon Benedikti XVI, janë “dy mënyra për të interpretuar Shkrimin Shenjt”. Për të krishterët, premtimet që Zoti i bën Izraelit janë shpresa e Kishës e “kush beson në to, nuk vë absolutisht në diskutim bazat e dialogut hebraiko-kristian”. Akuzat e artikullit, vijon, janë “marrëzira groteske e s’kanë të bëjnë aspak me çfarë kam thënë për këtë. Prandaj, e hedh poshtë artikullin si absolutisht të rremë”.

         Ndër të tjera, Böhnke pati shkruar se Benedikti XVI paskësh dëshmuar, në një shkrim të publikuar muajin e korrikut në revistën “Communio”, një kuptim problematik të judaizmit dhe paskësh heshtur për vuajtjet që të krishterët u kanë shkaktuar hebrenjve.

         Në përgjigjen e tij, Benedikti XVI përballon – përveç aspekteve të tjera teologjike – edhe çështjen delikate të misionit ndër hebrenjtë, pra, shtron pyetjen nëse Kisha duhet t’ua kumtojë hebrenjve Lajmin e Mirë të Krishtit. “Një mision ndër hebrenj nuk është parashikuar e as është i nevojshëm”, shkruan Ratzinger. Është e vërtetë, Krishti i ka dërguar dishepujt e vet me mision ndër të gjithë popujt e ndër të gjitha kulturat. Prandaj, “mandati i misionit është universal – me një përjashtim të vetëm: misioni ndër hebrenj nuk ishte i parashikuar e nuk ishte i nevojshëm, thjesht, sepse ata, ndër gjithë popujt, e njihnin ‘Zotin e panjohur’”.

         Përsa i përket Izraelit, pra, - shpjegon Benedikti XVI – nuk është fjala për mision, por për dialog që të kuptohet Jezusi i Nazaretit: a është “Biri i Zotit, Logos” i shumëpritur nga Izraeli – sipas premtimeve bërë popullit të tij – e, pavetëdijshëm, nga gjithë njerëzimi? Rifillimi i këtij dialogu është “detyrë, që na e shtron e tashmja”.

         “Korrigjimi”, për të cilin njofton agjencia e lajmeve KNA, publikohet në numrin e dhjetorit të “Herder Korrespondenz” dhe nënshkruhet “Joseph Ratzinger-Benedikti XVI”. Kujtojmë se shkrimi i Papës së nderit në revistën “Communio” ishte reflektim mbi Dokumentin e ri të publikuar në vitin 2015 nga Komisioni i Selisë së Shenjtë për marrëdhëniet fetare me hebraizmin, që ka për titull “Pse dhuratat dhe thirrja e Zotit janë të pakthyeshme (Rm 11,29). Reflektime mbi çështje teologjike lidhur me marrëdhëniet katoliko-hebraike”, me rastin e 50-vjetorit të Deklaratës konciliare Nostra Aetate. Dokumenti u paraqit, ndër të tjerë, edhe nga kryetari i Komisionit për marrëdhëniet fetare me hebraizmin, kardinali Kurt Koch. Në paragrafin 6 të tekstit lexohet:

         “Është e lehtë të kuptohet se i ashtuquajturi ‘mision, që u drejtohet hebrenjve’ është çështje shumë e mprehtë dhe e ndjeshme për hebrenjtë, pasi, në sytë e tyre, ka të bëjë me vetë ekzistencën e popullit hebraik. Edhe për të krishterët është temë delikate, sepse e konsiderojnë me rëndësi themelore rolin shëlbues universal të Jezu Krishtit e, për rrjedhojë, edhe misionin universal të Kishës. Kisha duhet ta kuptojë ungjillëzimin, që u drejtohet hebrenjve, të cilët besojnë në Zotin e vetëm, në mënyrë të ndryshme në krahasim me atë, që u drejtohet ndjekësve të feve të tjera, ose atyre që kanë botëkuptime të tjera. Konkretisht, kjo do të thotë se Kisha Katolike nuk bën dhe nuk inkurajon asnjë mision institucional, që u drejtohet veçanërisht hebrenjve. Duke pasur parasysh këtë refuzim – parimor – të një misioni insititucional ndër hebrenj, të krishterët janë të thirrur ta dëshmojnë fenë e tyre në Jezu Krishtin edhe para hebrenjve; por duhet ta bëjnë këtë me përvujtëri e ndjeshmëri, duke pranuar se hebrenjtë janë mbartës së Fjalës së Zotit dhe duke pasur parasysh tragjedinë e madhe të Shoah-ut”.

26 nëntor 2018, 17:16