Kërko

Bibla Bibla 

Atë Gjergj Guxeta në përvjetorin e vdekjes

Atë Gjergj Guxeta është themeluesi i Seminarit greko-shqiptar të Palermos më 1734, ku u përgatiten ipeshkvijtë, meshtarët, atdhetarët e shkrimtarët më të njohur arbëresh të Sicilisë.

R.SH. - Vatikan

Më 21 nëntor 1756 ndërroi jetë në Partiniko (Partinico) arbëreshi i madh atë Gjergj Guzzetta. Nuk mund të flasim për shkrimtarët klerikë që mbajtën gjallë gjuhën e kulturën e të parëve ndër arbëreshët e Sicilisë, pa përmendur së pari Atë Gjergj Guxetën, themeluesin e Seminarit greko-shqiptar të Palermos më 1734, ku u përgatiten ipeshkvijtë, meshtarët, atdhetarët e shkrimtarët më të njohur arbëresh të Sicilisë.
Është Atë Guzzetta (1682 - 1756) ai që hodhi themelet e ndërtesës së kulturës arbëreshe, ku do të ruheshin të paprekura gjuha dhe traditat shqiptare në Sicili. Në shkollën e tij qe edukuar pothuajse e gjithë inteligjencia e kolonive të ishullit me një frymë që pajtohej plotësisht me trashëgiminë fetare e kulturore të Atdheut të etërve.
Seminari palermitan u bë farka e poetëve të ardhshëm, që çuan më tej traditat e krijuara nga paraardhësit e Atë Guxetës. Këta paraardhës e patën filluar shumë shpejt ndër seminaret e dioqezave latine edukimin e meshtarëve të rinj, me kulturë të gjerë humaniste dhe me njohuri të thella në liturgjinë bizantine.

Ndërkohë prifti shqiptar nga Sicilia, atë Gjergj Guxeta, me shkrimet e veta ngrinte zërin në mbrojtje të Kombit shqiptar dhe siguronte mjetet për themelimin e Seminarit të Palermos, që do të bëhej një nga vatrat kryesore të kulturës dhe të atdhetarizmit shqiptar, çerdhe e një plejade shkrimtarësh e poetësh të shquar, të gjithë katolikë.
Emri i Atë Gjergj Guxetës na sjell menjëherë në mendje edhe zbulimin e ‘Mesharit’. Kujtojmë se kopja e vetme e Mesharit të Buzukut, ardhur deri në ditët tona, u zbulua rastësisht më 1740 në bibliotekën e Kolegjit të Propaganda Fides prej ipeshkvit gjakovar imzot Gjon Nikollë Kazazit (1702-1752) kur, si Argjipeshkëv i dioqezës së Shkupit, ishte për vizitë në Romë. Pas këtij zbulimi, imzot Kazazi kumtoi se kishte gjetur "një meshar të lashtë shqiptar të rrëgjuar nga koha". Ipeshkvi gjakovar imzot Kazazi bëri një kopje fragmentesh të tekstit e ia dërgoi atë Gjergj Guxetës. Dihet se në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë libri bënte pjesë në koleksionin e pasur të kardinalit Stefan Borxhia, që më vonë përfundoi në Bibliotekën e Vatikanit. Pas shumë vitesh harrimi, Meshari u nxor në dritë nga imzot Pal Skiroi (Paolo Schirò, 1866-1941).

21 nëntor 2018, 17:18