Dom Simon Jubani gjate kremtimit te Meshes ne varreza te Shkodres 1990 Dom Simon Jubani gjate kremtimit te Meshes ne varreza te Shkodres 1990 

28 vjetori i Meshës publike në Shkodër që shënoi fillimin e rënies së komunizmit

Kremtimi i kësaj Meshe, për Shqipërinë, shënoi fillimin e rënies së regjimit të diktaturës ateiste komuniste, hapjen e shtegut drejt rifitimit të lirisë qytetare e fetare dhe hapat e parë të një shoqërie demokratike në Vend.

R.SH. - Vatikan

Me 4 nëntor, kujtojmë 28 vjetorin e kremtimit të Meshës së Shenjtë ndër varrezat e Shkodrës, udhëhequr nga prifti dom Simon Jubani. Kremtimi i kësaj Meshe i vitit 1990, për Shqipërinë, shënoi fillimin e rënies së regjimit të diktaturës ateiste komuniste, hapjen e shtegut drejt rifitimit të lirisë qytetare e fetare dhe hapat e parë të një shoqërie demokratike në Vend.

Prifti dom Simon Jubani, njihet si një nga qytetarët dhe meshtarët shqiptarë, që ka vuajtur gjithë jetën, i persekutuar në burgjet komuniste, po edhe si ai që sfidoi regjimin e diktaturës ateiste e komuniste në emër të Zotit e të Atdheut.

Dom Simoni e sfidoi publikisht diktaturën ateiste komuniste, me aktin  e shenjtë të kremtimit të Eukaristisë – Meshës, akt ky të cilin regjimi i paTënzon e kishte ndaluar rreptësishtë, duke menduar se do t’ua ndalonte besimin qytetarëve, për çka mbylli Kisha e Tempuj kulti, për çka vrau priftërinj, klerikë të feve të ndryshme dhe qytetarë besimtarë që besonin në Zotin.

Po, dom Simon Jubani e sfidoi regjimin diktatorial ateist me aktin më të shenjtë të krishterë, me kremtimin e Eukaristisë (Meshës) që sjell, kremton, përkujton e shpall praninë e Krishtit Zot në mesin e popullit të tij. Eukaristia përherë kujtoi e vazhdon të na kujtojë se e Mira ngadhënjen mbi të keqen, Drita mbi errësirën, Dashuria mbi urrejtjen, Ringjallja mbi vdekjen. Qe pikërisht Eukaristia Shenjte që kumtoi Agimin e një epoke të re për shqiptarët.

Kështu, data e 4 nëntorit 1990, që mbeti e paharruar në mendjen dhe zemrën e shkodranëve e të të gjithë shqiptarëve, dëshmoi se populli shqiptar që nuk e kishte harruar Zotin, që nuk e kishte mohuar fenë e as vlerat më fisnike, edhe pas një gjysmë shekulli ateizmi e terrori shtetëror.

Atë ditë të 4 nëntorit 1990, një grup i vogël besimtarësh, në sa pastronin, nën një shi të imtë vjeshte, varret e të dashurve, të thyera e të përdhunuara, në prag të shkatërrimit të plotë, panë të mahnitur një meshtar që ngjitej në altarin e sajuar me një tryezë të thjeshtë, në kapelën e djegur të Varrezës së Shkodrës e që fillonte kremtimin e Meshës, ende nën diktaturë.

Sot, pas 28 vjetësh, po kujtojmë Meshën kremtuar në varreza të Shkodrës nga dom Simon Jubani, pikërisht me protagonistin. Nga arkivi zanor i Radio Vatikanit kemi shkëputur një pjesë nga intervista e dom David Xhuxhës realizuar me rastin e 10-të vjetorit të Meshës së 4 nëntorit 1990 me dom Simon Jubanin, që kujton, kontestualizon e vlerëson atë akt të shenjtë e atë ngjarje historike për popullin e Shqipërisë. Ta dëgjojmë..............

një pjesë nga intervista e dom David Xhuxhës realizuar me rastin e 10-të vjetorit të Meshës së 4 nëntorit 1990 me dom Simon Jubanin
04 nëntor 2018, 09:54