Kërko

Përmbytje në Paraguaj Përmbytje në Paraguaj 

Thirrje e Kishës për klimën: të zbatohet Marrëveshja e Parisit

Kryetarët e organizmave kontinentale të Konferencave Ipeshkvnore dhe organizata të tjera katolike paraqesin, në Vatikan, një thirrje urgjente dhe ambicioze për të vepruar kundër ndryshimeve klimatike.

R.SH. - Vatikan

Kisha, në nivelin global, kërkon “një ndërhyrje ambicioze dhe urgjente në favor të klimës”. Me një thirrje të nënshkruar nga pesë kryetarë organizmash katolike në nivelin kontinental, ipeshkvijtë e Kishës Katolike i ftojnë qeveritë të ndërmarrin nisma të menjëhershme për “të përballuar e për të kapërcyer pasojat shkatërrimtare të krizës klimatike”. Thirrja e përbashkët mban firmën e CIDSE-s (Aleancë ndërkombëtare e agjencive katolike për zhvillimin, të cilat punojnë së bashku për vendosjen e drejtësisë globale), të Karitasit Ndërkombëtar dhe të Lëvizjes Katolike Botërore për Klimën.

Të zbatohet Marrëveshja e Parisit

         Me një nismë të paraqitur sot, në selinë e Radios sonë, Kisha i fton politikanët të zbatojnë Marrëveshjen e Parisit për njerëzit e për planetin. Kërkon gjithashtu, që “konferenca e ardhshme e OKB-së për ndryshimet e klimës, COP24, që do të mbahet në dhjetor të këtij viti, në Katovice të Polonisë, të jetë një gur kilometrik në rrugën e përvijuar në Paris, më 2015”.

Nënshkruesit e dokumentit

         Thirrja nënshkruhet nga kryetari i CCEE-së (Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës), kardinali Angelo Bagnasco, kryeipeshkëv i Gjenovës; nga kryetari i FABC-së (Federata e Konferencave Ipeshkvnore Aziatike), kardinali Oswald Gracias, kryeipeshkëv i Bombeit; nga kryetari i FCBCO-së (Federata e Konferencave Ipeshkvnore Katolike të Oqeanisë), imzot Peter Loy Chong, kryeipeshkëv i Suvës; nga kryetari i COMECE-s (Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian), imzot Jean-Claude Hollerich, kryeipeshkëv i Luksemburgut dhe; nga kryetari i SECAM-it (Simpoziumi i Konferencave Ipeshkvnore Afrikane), imzot Gabriel Mbilingi, kryeipeshkëv i Lubangos.

Baza, “Laudato si’” e Papës Françesku

         Nënshkruesit shpjegojnë se janë nxitur “nga puna e bërë prej shumë protagonistëve të guximshëm, të cilët vijojnë të përhapin mesazhin e Papës në enciklikën ‘Laudato si’, brenda e jashtë bashkësive katolike”. Në thirrje, kërkohen “ndryshime të shpejta dhe të thella, duke i rezistuar tundimit për të gjetur zgjidhje teknologjike afatshkurtra”. Përgjegjësit kishtarë të Azisë, Afrikës, Oqeanisë dhe Evropës theksojnë rëndësinë e “masave konkrete për të shkuar drejt ndarjes së drejtë të burimeve e të përgjegjësive, në kuadrin e së cilës, ndotësit më të mëdhenj të ambientit  të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre politike e të respektojnë impenjimet financiare në favor të klimës”.

Gjashtë pikat më të rëndësishme

         Në thirrje kërkohet “të mbahet ngrohja globale nën 1,5° Celcius; të kalohet në stile jetese, më të përshtatshme për ambientin; të respektohet dija e bashkësive indigjene; të vihet në jetë një ndryshim gradual i paradigmës së financave, në përkim me marrëveshjet botërore mbi klimën; të shndërrohet sektori energjitik, duke i dhënë fund epokës së lëndëve djegëse fosile në favor të energjive ripërtëritëse; të rimendohet sektori bujqësor, me kujdes të veçantë për nxitjen e agroekologjisë, në mënyrë që të gjithë të furnizohen me ushqim të shëndetshëm”.

Ndryshimet duhet të shihen që në Katovice

         “Është i nevojshëm dhe urgjent një ndryshim i thellë ideor në çështjet e klimës. Duhet ta shohim këtë shndërrim në konferencën për klimën, në Katovice. Mund ta shpëtojmë planetin dhe ata, që rrezikojnë më shumë nga kushtet meteorologjike ekstreme, por kemi nevojë për një vullnet politik”, që shkon në këtë drejtim, pohoi, gjatë konferencës për shtyp, Sekretari i përgjithshëm i Karitasit Ndërkombëtar, Michel Roy.

Photogallery

Nënshkrimi i Thirrjes
26 tetor 2018, 14:27