Kërko

Sinodi i ipeshkvijve me Papën, në Vatikan Sinodi i ipeshkvijve me Papën, në Vatikan 

Veprimtaria javore e Papës dhe e Kishës

Nga Sinodi i Ipeshkvijve, në Vatikan, tek Dita e jetës në Irlandë e në Mbretërinë e Bashkuar e tek një zbulim i rëndësishëm i Spitalit Pediatrik të Krishtit Fëmijë: një javë me Papën e me Kishën.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku hapi në fillim të javës së kaluar me kremtimin e meshës shenjte, Sinodin e Ipeshkvijve kushtuar të rinjve me temë: “Të rinjtë, feja dhe shoshitja e thirrjes”. Homelinë e përqendroi në dy fjalë – ëndrra e shpresa – me synimin për “ta parë drejtpërdrejt fytyrën e të rinjve”, pa u kushtëzuar nga “profetët e fatkeqësive”, ose nga “gabimet e mëkatet” e anëtarëve të Kishës. Ndërkaq, pasditen e 3 tetorit, në fjalën e përshëndetjes, që zgjati gjysëm ore dhe u duartrokit gjatë, falenderimi për të rinjtë dhe ftesa për dialog ndërmjet brezave, duke lënë mënjanë paragjykimet e stereotipet. Që rezultati i Sinodit të mos jetë “vetëm një dokument”.

Gjatë ditëve të para, më se 250 Etërit sinodalë dhe 34 të rinjtë, dëgjues në Sinod, u përpoqën t’i japin përgjigje pyetjes: “çfarë kërkojnë të rinjtë në botë?” Kërkojnë afërsi, u vërejt në shumë prej relacioneve, kërkojnë të shoqërohen, të pranohen, të mos gjykohen; kërkojnë një Kishë që shkon t’i takojë aty ku jetojnë, që u afrohet dhe e ndan jetën me ta. Kur pyeten të rinjtë ç’është për ta Jezusi, përgjigjen “Shëlbuesi – Shpëtimtari”. Kisha sot, ka nevojë për shpëtimtarë që të jetë e besueshme për të rinjtë dhe për gjithë botën.

Nga ana e të rinjve dëgjues u vu në dukje se prania e tyre në Sinod është e rëndësishme, pasi të gjithë janë të interesuar për botën e tyre, por numri është i pakët, vetëm 34. Ndokush prej tyre, si Thomas Andonie, kryetar i federatës së të rinjve katolikë gjermanë, propozon krijimin e një komisioni, që t’i përfaqësojë të rinjtë në Vatikan, në mënyrë që të japin kontributin e tyre për ndryshime konkrete.

Në Sinodin e ipeshkvijve, që do të vijojë deri më 28 tetor në Vatikan, janë të pranishëm edhe dy ipeshkvij shqiptarë: përgjegjësi i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë për rininë, ipeshkvi i Lezhës, imzot Ottavio Vitale, dhe ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, përfaqësues i Konferencës ipeshkvnore ndërkombëtare të Shën Cirilit e Metodit. Javën e kaluar, ne i intervistuam.

                                                                               *****

Sot, në Irlandë, Skoci, Angli dhe Uells, Kisha Katolike kremtoi Ditën e jetës, që këtë vit, u përqendrua në temën e trafikut të qënieve njerëzore dhe të skllavërive moderne. Historia e një vajze nigeriane, e cila është quajtur Daia, pa i përmendur emrin e vërtetë, shërbeu për të diskutuar mbi këtë temë në Irlandë. Si shumë të tjera, edhe Daia është joshur të shkojë në Irlandë me premtime të rreme e pastaj, është hedhur rrugëve të prostitucionit. Viktimat e këtij trafiku, sipas të dhënave të Kishës, janë së paku 100 në vit. Vetë irlandezet, nga ana e tyre, janë skllave të këtij trafiku në Mbretërinë e Bashkuar, ku shifrat flasin për 13 mijë viktima në vit.

                                                                               *****

Ҫmimi Nobel për Paqen iu dha të premten, mjekut gjinekolog kongolez, Denis Mukëege dhe aktivistes irakiane jazide për të drejtat e njeriut, Nadia Murad. Të dy u nderuan me çmimin prestigjoz të Komitetit norvegjez “për impenjimin që t’i jepet fund dhunës seksuale si armë në luftë dhe në konfliktin e armatosur”.

                                                                                *****

U mbajtën sot, në Bosnjë-Hercegovinë, zgjedhjet e ndërlikuara vendore. Vërtet, 3 milion e 275 mijë zgjedhës iu drejtuan kutive të votimit për të rinovuar parlamentin kombëtar, presidencën tripalëshe dhe parlamentet e dy entiteteve: Republikës Srpska dhe Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, e përbërë nga boshnjakë e kroatë. Gjithsej, katër presidentë, dy zv.presidentë, pesë asamble parlamentare dhe dhjetë kantonale.

Gjatë fushatës zgjedhore, partitë politike përdorën një retorikë nacionaliste, kritikuar ashpër nga Kisha Katolike. Për sekretarin e përgjithshëm të Konferencës Ipeshkvnore, imzot Ivo Tomasheviç, “politikanët përdorin ndryshimet tona jo për të gjetur rrugën e drejtë të bashkëjetesës, por për të arritur në pushtet, pa u përpjekur aspak që jeta e njerëzve të përmirësohet përmes një ekonomie funksionuese dhe një kulture, që promovon pajtimin”. Ipeshkvijtë katolikë i ftuan banorët të votojnë për “kandidatë të gatshëm të luftojnë për të drejtat e njeriut e për lirinë fetare, për të krijuar së bashku një atmosferë të mirë e për ta organizuar vendin në mënyrë të tillë, që të tri popujt themelues të kenë të njëjtat të drejta”.

                                                                                  *****

Një sëmundje e re gjenetike e zhvillimit nervor u zbulua javën e kaluar nga ekipi i mjekëve të Spitalit Pediatrik të Krishtit Fëmijë, ne Rome në bashkëpunim me Universitetin Tor Vergata të Romës dhe me Universitetin e Hamburgut. Është patologji shumë e rrallë, që deri tani nuk ishte diagnostikuar.

Në gjithë botën, ekzistojnë vetëm 3 pacientë me këtë sëmundje, 2 prej të cilëve ndiqen nga Spitali i Selisë së Shenjtë. Sëmundjes i është dhënë emrin “Fheig”, përbërë nga incialet e simptomave të saj të rënda: facial dismorfism (dismorfizëm i fytyrës), hypertrichosis (hipertrikozë - mbushja me qime), epilepsy (epilepsi), intellectual disability/developmental delay(defiçit intelektiv/vonesë zhvillimore) dhe gingival overgroëth(hipertrofi e mishit të dhëmbëve). Mjekët zbuluan se zanafilla e kësaj sëmundjeje qëndron në mutacionin e genit KCNK4.

07 tetor 2018, 10:29