Agu, në muzg Agu, në muzg 

Sinodi: françeskani Tasca citon Battiatin: “Të gjesh agun, në muzg”

Eprori i françeskanëve Atë Tasca, në Sinod: “Të rinjtë nuk janë problem, por pjesë e kërkimit të rrugëzgjidhjes së problemeve të Kishës”.

R. SH. - Vatikan

“Të rinjtë nuk janë problem, por pjesë e kërkimit të rrugëzgjidhjes së problemeve të Kishës”. Këto, fjalët e atit Marco Tasca, epror i përgjithshëm i Urdhërit të Françeskanëve, në Sinod. Për këtë rast, frati kujtoi Shën Françeskun, që kundronte rrezen e parë e të fundit të diellit e vërente sa vështirë është ‘ta gjesh agun në muzg’. ‘Dritën në vagëllim…’. E ndoshta prandaj, duke folur sot, gjatë takimit të shkurtër në Sallën Gjon Pali II, zgjodhi një frazë nga kënga e Franco Battiato-s: “Sa vështirë ta gjesh agun në muzg”, për të përcaktuar sfidën e Sinodit të Ipeshkvijve kushtuar të rinjve, që vijon në Vatikan.

“Duhet, kur është nevoja, edhe t’i korrigjojmë të rinjtë, por pa harruar të jemi gjithnjë gati për të na korrigjuar - nënvizoi atë Tasca. Është fjala për dëgjim të dyanshëm, e sidomos, për të dëgjuar çka na thonë të rinjtë me gatishmërinë e tyre, me stilin e tyre, në mënyrën e tyre”.

Të rinjtë – nënvizoi përfaqësuesi i françeskanëve - nuk janë këtu për t’u ankuar, por për ta ndërtuar së bashku Kishën. Nuk duan të jenë problem për Kishën. Nuk bëhet fjalë për Kishën dhe të rinjtë, por për të rinjtë e Kishës. Pa harruar se “agimi nuk gjindet lehtë në muzg”. E duke kujtuar se “rreze agimi” për Kishën, janë pikërisht të rinjtë.

15 tetor 2018, 15:09