Kërko

Imzot Ottavio Vitale, ipeshkëv i Lezhës(djathtas) me don David Xhuxhën Imzot Ottavio Vitale, ipeshkëv i Lezhës(djathtas) me don David Xhuxhën 

Fjala e imzot Ottavio Vitale në Sinodin e Ipeshkvijve

Duke u nisur nga përvoja e Kishës në Shqipëri, fjala e ipeshkvit të Lezhës, imzot Ottavio Vitale, në Sinodin e Ipeshkvijve kushtuar të rinjve, që vijon në Vatikan.

R.SH. - Vatikan

Në Instrumentum Laboris të këtij Sinodi, një kapitull i kushtohet “Thirrjes, në dritën e fesë”, e në brendësi të tij gjendet paragrafi “thirrja për të ndjekur Jezusin”.

         Duke u nisur nga përvoja e Kishës në Shqipëri, mund të dëshmoj se, me të vërtetë, tema e thirrjes paraqitet si një kategori baritore, mbi të cilën Kisha mund e duhet ta thellojë apostullimin e vet në shërbim të të rinjve të sotëm e për të cilën u parapriu kohëve shën Hanibali Maria i Francës, apostull i Lutjeve për Thirrjet.

         Ҫ’duhet bërë që të rinjtë të tërhiqen nga Jezusi dhe të zbulojnë se në Të gjejnë të vërtetat themelore të jetës së tyre? Është e nevojshme që ta njohin, por jo në mënyrë “intelektuale”, si “objekt të mendimit”. Duhet gjetur mënyra që ata ta takojnë Atë realisht, të hyjnë në kontakt me Të, duke e përjetuar. E kjo, në thelb, është e mundur në dy mënyra, të lidhura me njëra-tjetrën.

         Mënyra e parë është lutja e, në veçanti, adhurimi eukaristik. Vetë të rinjtë janë të vetëdijshëm për rëndësinë e gjunjëzimit para të Shenjtnueshmit Sakrament. E thanë këtë qartas, pjesëmarrësit e mbledhjes parasinodale në Dokumentin përfundimtar të takimit, duke u bërë zëdhënës të shumë bashkëmoshatarëve. Por kjo doli edhe në një sondazh të kohëve të fundit, në të cilin morën pjesë të rinj katolikë nga dioqeza të ndryshme të Shqipërisë, promovuar nga Komisioni “Laikët, të rinjtë dhe familja” i Konferencës Ipeshkvnore. Në përgjithësi, mund të thuhet se, në ndryshim nga disa vjet më parë, të rinjtë e sotëm nuk e refuzojnë lutjen dhe adhurimin eukaristik, duke i konsideruar të padobishme. Përkundrazi, i vlerësojnë shumë. E atëherë, duhet të kemi kujdes e të mos i identifikojmë të rinjtë e sotëm me ata të rinisë sonë: do të rrezikonim mosnjohjen e botës së tyre dhe dështimin e propozimit tonë edukativ.

         Mënyra e dytë me të cilën të rinjtë mund të hyjnë në kontakt me Jezusin është prekja e korpit të Tij në humanitetin e plagëve, fizike e shpirtërore, të shumë njerëzve, shpesh bashkëmoshatarë të tyre, që vuajnë për arsye të ndryshme.

         Duke u kthyer tek fjalët, që thashë në fillim, mund të pohojmë se tema e thirrjes është kategori baritore, mbi të cilën Kisha mund e duhet ta thellojë apostullimin e vet në shërbim  të të rinjve të sotëm. Pikërisht sepse në veprimtarinë tonë baritore jemi në shërbim të jetëve, që janë gati për të shprehur gjithë potencialin e tyre, prandaj e kemi për detyrë t’u ofrojmë një horizont botëkuptimor, ku mund të gjejë vend madhështia e këtij potenciali.

         Është e nevojshme që të rinjtë të bëhen “kundrues aktivë”, siç thoshte don Tonino Bello. Kundrues dhe aktivë, njëkohësisht. Kundrimi i vërtetë nuk i kundërvihet veprimtarisë në shërbim të Mbretërisë që vjen. Është baza e domosdoshme për të mos rënë në një aktivizëm, që të boshatis dalëngadalë e rrezikon t’i largojë të rinjtë nga Mbretëria e Zotit e jo t’i afrojë. Duhen ndihmuar të rinjtë të jenë kundrues, aq sa fytyra e Zotit të pasqyrohet në jetën e tyre; e të jenë aktivë, me qëllim që ta shpallin me vepra se kanë gjetur në Jezu Krishtin përgjigjen e vërtetë për t’i dhënë kuptim jetës.

         T’i shoqërojmë të rinjtë në udhën e tyre të jetës, që të bëhen kundrues dhe aktivë: kjo është ndihma më e madhe, që mund t’u japim atyre për shoshitjen e thirrjes.

11 tetor 2018, 14:24