Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Festa me të rinjtë Sinodalë Festa me të rinjtë Sinodalë  (Vatican Media)

Sinodi: festa e të rinjve me Papën. Zgjidhen anëtarët e Këshillit XV të Zakonshëm.

Fjalët e fundit të Sinodit kushtuar të rinjve, që vijon në Vatikan. Në ditën e parafundit të punimeve, të rinjtë organizuan një çast feste për Papën. U zgjodhën anëtarët e Këshillit XV të Zakonshëm. Të pranishëm, 249 Etër Sinodalë

R. SH. - Vatikan

Punimet e Sinodit i ndërpreu për një çast, festa e përgatitur nga të rinjtë pjesëmarrës, “vënë në skenë”, në pjesën e dytë  të Kongregacionit  të 20-të të Përgjithshëm, në tremen e Sallës Pali VI, me titull: “Faleminderit, Atë i Shenjtë”. Këngë në të gjitha gjuhët e botës e gëzim që mbart të gjitha gazet e  planetit, të pazakonshme për Etërit Sinodalë, të cilëve “iu ngjit” sakaq hareja e ritmi i Eis-me aqui i festës, që zjente përreth. Të pranishmit i shoqëroi edhe muzika e Debussy, luajtur në pianoforte nga kardinali Lorenzo Baldisseri, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve. Papa shprehu mirënjohjen e tij të thellë dhe u dha të gjithëve bekimin - nga  zemra - siç u shpreh ai vetë në gjuhën spanjolle.

Një copëz historie e bërë së bashku

“Jemi me ty e me gjithë ipeshkvijtë e Kishës sonë, edhe në çaste të vështira!”. Kështu i shkruajnë Françeskut të rinjtë pjesëmarrës, në një letër plot përzemërsi. Tekst, që rrafshon çdo mur: autorët i drejtohen Papës në vetën e dytë njëjës, shenjë afërsie reciproke krijuar gjatë katër javëve të punës në Vatikan. Kohë, gjatë së cilës bënë së bashku një copëz historie.

Të rinjtë  janë të vetëdijshëm për këtë, prandaj i shprehin Papës Françesku mirënjohjen dhe gëzimin”. “Idetë e reja - lexohet në tekstin, që  të rinjtë e nënshkruajnë me shkumës ngjyra-ngjyra - kanë nevojë për hapësirë, e ti na e dhe. Bota e sotme, që paraqet për ne të rinjtë mundësi të panjohura, njëherësh me vuajtje po aq të panjohura, ka nevojë për përgjigje të reja e për energji të reja dashurie, ka nevojë të rigjejë shpresën për ta jetuar  lumturinë, e cila provohet kur jep më shumë se merr, duke punuar për një botë më të mirë”. “Të lutemi ta vijosh udhën, që nise!”.

Zgjedhja e anëtarëve të Këshillit për Sinodin e ardhshëm të Zakonshëm

Gjatë pjesës së parë të Kongregacionit, në Sallë u votua për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit XV të Zakonshëm. Etërit Sinodalë, duke votuar sipas zonave gjeografike, zgjodhën 16 ipeshkvij: 1 nga krerët e ipeshkvijve të Kishave Lindore Katolike, dy për Amerikën Veriore, tre për Amerikën latine, tre për Evropën, tre për Afrikën, një për Oqeaninë e tre për Azinë si dhe një kryetar dikasteri e katër anëtarë të emërimit papnor. Gjithsejt, 21 anëtarë.

Mesha përfundimtare

Në këto orë Kongregacioni i 22-të i përgjithshëm po shqyrton dokumentin përfundimtar, që po votohet paragraf për paragraf e që,  për t’u miratuar,  duhet të fitojë dy të tretat e votave. Në tekst do të përmblidhen fjalimet,  diskutimet dhe kontributet e të gjithë pjesëmarrësve në takimin e madh.

I nisur më 3 tetorin e kaluar, Sinodi i të rinjve po i afrohet përfundimit. Veprimtaritë e fundit do të jenë “Letra e Sinodit drejtuar të rinjve të mbarë botës”, që synon të inkurajojë çdo të ri, duke i propozuar baza të forta për të përforcuar shpresën e për të kujtuar se Kisha ecën gjithnjë me Krishtin dhe Mesha e kryesuar nga Papa nesër, në orën 10.00, në Bazilikën e Vatikanit.  

27 tetor 2018, 17:07