Papa Pali VI (Giovanni Battista Montini) - imzot. Oscar Arnulfo Romero Galdamez Papa Pali VI (Giovanni Battista Montini) - imzot. Oscar Arnulfo Romero Galdamez 

Pali VI dhe imzot Romero: dy jetë dhuruar Kishës

Rreth 70 mijë vetë do të marrin pjesë në meshën, që do të kremtohet të diel në Shën Pjetër për shenjtërimin e shtatë shenjtorëve të rinj, ndërmjet të cilëve, Papa Pali VI dhe kryeipeshkvi i San Salvadorit, imzot Oscar Arnulfo Romero. Po i kujtojmë shkurtimisht figurat e tyre, këto ditë në qendër të vëmendjes të botës së krishterë

R. SH. - Vatikan

“Njerëz të shenjtë, njerëz  të fesë, të lutjes, që ia kushtuan gjithë vetveten Ungjillit, Pali VI dhe imzot Romero pasqyruan në jetën e tyre, dritën e shkëlqyer të Krishtit”. Kështu i përshkruan, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, kardinali Angelo Becciu, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve dhe kardinali Gregorio Rosa Chávez, ipeshkëv ndihmës i San Salvadorit.

Pali VI, dëshmitar i fesë

Duke folur për figurën e Palit VI, kardinali Becciu u ndalua posaçërisht tek disa  tipare të veçanta të Papës Montini, si dashuria për lutjen edhe përvujtëria “jo artificiale, por thellësisht e natyrshme”, që shprehej në gjestin tipik të përkuljes për të puhtur tokën. Jeta e tij - vijoi prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve - qe  dhanti për Zotin e për Kishën. Buzëqeshte rrallë, por dinte ta përballonte vuajtjen me kthjellësi të jashtëzakonshme.

Kardinali Becciu: Pali VI, njeri i kthjelltë

Pali VI e çoi përpara Koncilin II të Vatikanit, duke përballuar një mori kundërshtimesh, posaçërisht pas Enciklikës “Humae Vitae”. Me këtë të fundit- vuri në dukje prefekti Becciu - diti të përballojë qetësisht humbjen e  popullaritetit, sepse i përgjigjej ndërgjegjes së tij e nuk kërkonte duartrokitje.Vinte gjithnjë në rend të parë Zotin, ndërgjegjen e Kishën. U bë, kështu, lajmëtar i dritës së Krishtit, që nuk do të shuhet kurrë nga stuhitë e historisë.

Imzot Romero, njeri i pajtimit

Duke paraqitur shkurtimisht shenjtorët e tjerë dhe ngjarjet në program, edhe në Romë, për ta kujtuar imzot Oscar Romeron, kardinali Gregorio Rosa njoftoi se, ndërmjet mijëra njerëzve ardhur nga të katër anët e botës, në Meshën e shenjtërimit do të jenë të pranishëm edhe pesë mijë bashkatdhetarë të Shenjtit të ri.

U ndalua, pastaj, posaçërisht, tek ky njeri tejet i ndrojtur e njëkohësisht tejet trim, që i tregoi popullit të vet se e vetmja rrugë për pajtimin e Vendit ishte shndërrimi i zemrave.

Një pistë argjentinase për vrasjen e Romeros

Duke iu përgjigjur një pyetjeje në gjuhën italiane, kardinali Chavez ceku një pistë argjentinase, për të shpjeguar vrasjen e Romeros. Akoma sot – kujtoi Kardinali - nuk dihet emri i atij, që e qëlloi për vdekje më 24 mars 1980, në San Salvador. “E kishin paralajmëruar të ruhej - vijoi - por ai ia kushtoi Zotit vuajtjen dhe gjithë jetën e tij! E pranoi vullnetarisht martirizimin.

Jetë të shkrira për Kishën

Gjithnjë duke u folur gazetarëve, kardinali Becciu njoftoi se Benedikti XVI nuk do të jetë i pranishëm në Meshën e shenjtërimit të së dielës e se Pali VI do të vijojë të pushojë në paqe në Kriptën e Vatikanit, mbasi në testamentin e tij  shkruhet se dëshiron të “hyjë në dhe”. Për kardinalin, si Papa Montini, ashtu edhe Romero, janë njerëz që dhanë gjithçka për Kishën.

 

12 tetor 2018, 14:54