Famullia “Të Ngjiturit e Zojës në Qiell” në Naraç ka gëzuar në festën e inaugurimit të restaurimit të Qelës së famullisë dhe Bekimin e themelit të Kishës së re. Famullia “Të Ngjiturit e Zojës në Qiell” në Naraç ka gëzuar në festën e inaugurimit të restaurimit të Qelës së famullisë dhe Bekimin e themelit të Kishës së re. 

Në Naraç, përurohet qela dhe bekohet guri i themelit të kishës

R.SH. - Vatikan

Në Naraç, në dioqezën e Sapës, besimtarët e famullisë së Zojës së Ngjitur në Qiell morën pjesë me gëzim në meshën e përurimit të qelës e më pas në bekimin e gurit të themelit të kishës së re. Eukaristia u kremtua nga don Emilian Paloka, në praninë e ipeshkvit të Sapës, imzot Simon Kullit dhe të motër Maria Kaletës, martire e gjallë, mbijetuar nga komunizmi. Më hollësisht, të dëgjojmë informacionin e Violeta Marashit…

Dëgjo informacionin e Violeta Marashit...

        INAUGURIMI I QELËS NË NARAÇ DHE BEKIMI I THEMELIT TË KISHËS SË RE

Këtë të dielë, famullia “Të Ngjiturit e Zojës në Qiell” në Naraç ka gëzuar në festën e inaugurimit të restaurimit të Qelës së famullisë dhe Bekimin e themelit të Kishës së re. Në kremtimin e Meshës Shenjte të kremtuar nga famullitari Dom Emiljan Paloka, janë bashkuar të gjithë besimtarët e kësaj famullie, të cilët falenderuan Zotin për këtë dhuratë të çmueshme që po i dhuron kësaj bashkësie në ngritjen e tempullit të Tij, në ngritjen e murit të gjallë ku të mblidhen dhe ti këndojnë himne lavdi Hyjit të Gjithpushtetshëm.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe Ipeshkvi i vendit, Imzot Simon Kulli, i cili së bashku me motër Maria Kaletën, inauguruan Qelën duke zbuluar pllakën përkujtimore, dhe të dy shprehën gëzimin, mirënjohjen dhe falenderimet që më në fund u realizua restaurimi i Qelës famullitare, një vepër kjo që i shërben jo vetëm famullitarit që do jetojë brenda por për mbarë besimtarët kjo derë do të jetë e hapur për mikpritjen e tyre dhe për zhvillimin e aktiviteteve në edukimin dhe formimin fetar e kulturor të brezave të këtij vendi.

Menjëherë pas këtij momenti, të gjithë të pranishmit u zhvendosën 50 metra larg qelës, në vendin ku do të ndërtohet Kisha e re. Imzot Simoni i ndihmuar nga dom Emiljani, bëri bekimin e themelit të Kishës së re, e cila po gjen realizimin e saj tani pas shumë vite pritjeje.

Qela famullitare e Naraçit është ndërtuar që në vitin 1916 falë bujarisë së familjes së meshtarit të vendit, Dom Zef Naraçit, i cili ka qenë daja i Motër Marie Kaletës. Kjo qelë ka një histori të veçantë për vetë faktin se, dom Zef Naraçit i patën vra vëllain e tij Mark Naraçin. Mirëpo edhe pse kjo ngjarje që ju ndodhi ishte tepër e rëndë, familja e dom Zefit e falën gjakun e djalit dhe vëllait të tyre Markut.

Pas faljes së gjakut, familja e vrasësit i bëjnë Dom Zefit dhe familjes së tij një peshqesh dhuratë në vlerën monetare të asaj kohe. Dhe dom Zefi vendos që me paret e gjakut të të vëllait të ndërtojë qelën famullitare të famullisë Naraçit. Në këtë qelë përpara se të mbylleshin kishat në vitin 1967, jetuan meshtarët më në za të Kishës Katolike Shqiptare, të Fesë dhe të Atdheut, që edhe sot janë të Lumturit Martirë Shqiptarë, si Imzot Vinçenc Prendushi dhe Dom Ndoc Suma. Gjatë periudhës së komunizmit, fatmirësisht regjimi i kohës nuk e prishi, por e kthej në shkollë për banorët vendas.

Falë iniciativës së famullitarit aktual, dom Emiljan Palokës, dhe mbështetjes së Ipeshkvit, Imzot Simonit, qela u restaurua plotësisht gjatë këtij viti 

24 tetor 2018, 16:27