Santi Simone e Giuda Taddeo Santi Simone e Giuda Taddeo  (© Musei Vaticani)

Më 28 tetor kalendari kishtar kujton Shenjtorët Apostujt Simoni Kananeu e Juda Tadeu

Zoti ynë Jezu Krishti caktoi udhëheqësit, mësuesit e botës dhe përhapësit e mistereve të tij hyjnore. Deshi që ata të shkëlqenin si pishtarë e të ndriçonin jo vetëm viset e Judenjve, por mbarë botën. Apostujt e Krishtit qenë shtyllat dhe themelet e së vërtetës.

R.SH. - Vatikan

Më 28 tetor kalendari kishtar kremton shenjtorët Simoni e Juda Tadeu, Apostuj, zëri i të cilëve vijon të përhapet në mbarë botën, për t’u prirë popujve të rinj në rrugën e Ungjillit

Shën Simoni i ditës së sotme është i dyti me këtë emër ndër dishepujt e Jezusit. I pari ishte Simoni, të cilit Jezusi vetë ia ndërroi emrin e ia bëri “Çefa”, domethënë Pjetër.

Ndërsa Simoni që përkujtojmë sot quhej ndryshe Kananitasi, ose Zeloti. Emri i tij del në listat e apostujve, por Libri i Shenjtë nuk na jep ndonjë hollësi mbi të. E kështu që nuk dihet asgjë e sigurtë në lidhje me këtë apostull. Sipas traditës ka qenë misionar si gjithë apostujt e tjerë, madje disa janë të mendimit se pati arritur deri në Angli për ungjillëzim dhe se më pas u martirizua nga Persët.

Po ashtu edhe Shën Juda Tade, nuk duhet ngatërruar me Judë Iskariotin i cili e tradhëtoi Jezusin. Përkundrazi Shën Juda, i mbiquajtur “Tade” – nga fjala aramaike “Thad”, që do të thotë i ëmbël, i mëshirshëm, i dashur, zemërgjerë, ishte vëllai i Jakut, apostullit tjetër. Të dy këta ishin të bijtë e Alfeut dhe Marisë të Kleofës. Alfeu vetë ishte vëllai i Shën Jozefit, prindit e kujdestarit të Jezu Krishtit. Kështu që Juda Tade dhe Jaku mund të quhen kushërinj të Jezusit.

Judën Tade e njohim nga pyetja që i drejton Jezusit gjatë Darkës së Mbrame (Gjn, 14.24: “Zot, pse duhej që ti të na shfaqeshe ne e jo të gjithë botës?”, por edhe nga letra e tij ku qorton nxitësit e ngatërresave të cilët i quan “re pa shi që era i çon andej e këndej.”

Sidoqoftë, Shën Juda Tade, ndonëse nderohet pak, është një nga shenjtërit me fuqi të jashtëzakonshme, dhe tradita e quan Pajtor të Pastrisë dhe të Çështjeve që duken të Pazgjidhshme. E në fakt tradita nuk gabon sepse vetë Jezusi, kur iu shfaq në vegim Shën Brigjidës, e cila gjendej në një hall të madh, i tha t’i drejtohej këtij Shenjti që të ndërhynte për të. Shën Brigjida iu lut Shën Judës Tade dhe sakaq problemi që e mundonte u zgjidh

"Zoti ynë Jezu Krishti caktoi udhëheqësit, mësuesit e botës dhe përhapësit e mistereve të tij hyjnore. Deshi që ata të shkëlqenin si pishtarë e të ndriçonin jo vetëm viset e Judenjve, por mbarë botën. Apostujt e Krishtit qenë shtyllat dhe themelet e së vërtetës”.

Këtë bindje, që e kanë të gjithë të krishterët, e patën posaçërisht të krishterët e bashkësive të para, shumë prej të cilëve u pagëzuan drejtpërdrejtë nga apostujt. Apostuj ishin edhe Juda e Simoni, të cilët Kisha katolike i përkujton në të njëjtën ditë.

 

28 tetor 2018, 16:02