Shën Injaci Antiokisë, ipeshkëv e martir Shën Injaci Antiokisë, ipeshkëv e martir 

Më 17 tetor kalendari kujton Shën Injacin e Antiokisë, ipeshkëv e martir

Asnjë nga Etërit e Kishës nuk e shpreh me thellësinë e Shën Injacit dëshirën e zjarrtë të bashkimit me Krishtin e me jetën në Të. Tek Shën Injaci shkrihen dy rryma shpirtërore: ajo e Palit, e prirur plotësisht drejt bashkimit me Krishtin e ajo e Gjonit, e përqendruar mbi jetën në Jezusin, dy rryma që të çojnë në përpjekjen për t’i përngjarë Krishtit.

R.SH. - Vatikan

17 tetori është data e martirizimit të Shën Injacit, ipeshkvit të tretë të Antiokisë, qyteti më i rëndësishëm në Siri e në mbarë botën e lashtë, pas Romës dhe Aleksandrisë. Mjafton të kujtojmë se ipeshkvi i parë i këtij vendi ishte vetë Shën Pjetri. E Injaci qe pasardhësi i tij i denjë, një nga shtyllat e Kishës, ashtu siç ishte edhe Antiokia shtyllë e botës së lashtë. 

Nuk qe shtetas romak e me sa duket, nuk kishte lindur i krishterë. Madje të dhënat dëshmojnë se ishte në moshë të pjekur, kur u kthye në fenë e krishterë. Por kjo nuk e pengoi të bëhej bari tepër i zellshëm. 

Ndërsa ishte ipeshkëv i Antiokisë, perandori Trajan nisi ta persekutonte Kishën, duke mbytur njëri pas tjetrit njerëzit më të shquar për urti e shenjtëri në hjerakinë e saj. I arrestuar e i caktuar për t’u flakur në mes të bishave të egra, Injaci arriti në Romë i lidhur me vargonj, pas një udhëtimi të gjatë e të lodhshëm. Në kryeqytetin e Perandorisë bëheshin përgatitje të ethshme për festime të mëdha në nder të perandorit, fitimtar në Dakí, e martirët e krishterë do të shërbenin për shfaqjet e cirkut, ku do të shqyheshin nga bishat.

Gjatë shtegtimit të tij nga Antiokia në Romë, Injaci Ipeshkëv shkroi shtatë letra, që konsiderohen jo më pak të rëndësishme se letrat e Shën Palit. Në këto letra, ipeshkvi që po shkonte drejt një vdekjeje të tmerrshme, i porosiste besimtarët të largoheshin nga mëkati, të ruheshin nga Gnostikët e sidomos, të çelnikosnin unitetin e Kishës. Shën Injaci i Antiokisë ngul këmbë, me mësime e figura, mbi vlerën e bashkimit themelor që i lidh ndërmjet tyre të gjithë besimtarët në Krishtin.

Kërkonte edhe një gjë tjetër, duke iu drejtuar posaçërisht të krishterëve të Romës: të mos ndërhynin për ta shpëtuar nga martirizimi. “Ju nuk humbisni asgjë – u shkruante - ndërsa unë humbas Zotin, në se shpëtoj nga dhëmbët e bishave. Nuk do të kem kurrë më një fat të tillë për t’u bashkuar me Të. Më lini, prandaj, të flijohem tani, që elteri është gati. Të bashkuar të gjithë në një kor të vetëm, këndoni: “Zoti u denjua ta çojë nga Lindja në Perëndim Ipeshkvin e Sirisë”.

Në përfundim shpërthente, duke krijuar një nga figurat më të famshme në historinë e Martirëve: “Më lini të jem ushqim për bishat, të cilat do të më bëjnë të shijoj Hyjin. Jam grurë i Hyjit. Duhet të bluhem nga dhëmbët e egërsirave, që të bëhem bukë e Krishtit”. E, si arriti në Romë në vitin 107, ipeshkvi i Antiokisë u blua vërtetë nga dhëmbët e bishave të pafajshme të cirkut, për të cilat Martiri gjeti shprehje poetike të pazakonshme: “Përkëdhelini – shkruante – që të jenë varri im; të mos lënë gjë prej gjëje nga trupi im e të mos trazohet askush për të më varrosur!”.

17 tetor 2018, 12:57