Kërko

2018.10.28 Vangelo di domenica 2018.10.28 Vangelo di domenica 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 29-të gjatë vitit “B”

Krishti u shpjegon dishepujve të vet kuptimin e parisë. Çdo shërbim kishtar është gjithnjë përgjigje, që i jepet thirrjes së Zotit e nuk mund të jetë asnjëherë fryt i planeve apo ambicieve personale. Kjo do të thotë ta përputhësh plotësisht vullnetin tënd me vullnetin e Atit, që është në Qiell.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri së bashku në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj here do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 29-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 29-të gjatë vitit “B”

Fjala e Zotit e kësaj së diele të 29-të gjatë vitit liturgjik, na ofron portretin Jezusit Zot, si Shërbëtor i Hyjit e i njerëzimit. Kush kërkon të jetë i pari dhe të sundojë mbi të tjerët, le të bëhet shërbëtor i të gjithëve, na thotë Jezusi në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele nga Marku. Kështu, sipas mësimeve ungjillore, për ta gjetur Zotin në jetë, lypet t’i përveshim mëngët e të shërbejmë, pse duke u shërbyer tjerëve me dashuri, zbulojmë Hyjin. Në këtë të diele kremtohet edhe Dita e 92-të botërore misionare, me temën: “Të rinjtë për Ungjillin”.

Në Leximin e Parë, libri i Izaisë na paraqet figurën e shërbëtorit të mistershëm të Hyjit (Jahvesë), në të cilin tradita e krishterë gjithmonë e ka parë një profeci të Jezusit. Në liturgjinë e kësaj së diele lexojmë një pjesë të poemës kushtuar shërbëtorit të Hyjit, që na paraqitet në gjestin e dhurimit të jetës së tij për shlyerjen e faljen e mëkateve. Profecia fle për një Shërbëtor të Hyjit që qe besnik deri në fund.

Në Leximin e Dytë, Letra e Hebrenjve na ofron një reflektim të madh mbi figurën e Jezusit si Kryeprift i Madh që është afër popullit të vet. Këtë të diele do të dëgjojmë një pjesë, të shkurtër por të thellë e të pasur. Jezusi është Biri i Zotit por edhe vëllai ynë. Kështu për secilin prej nesh mund të jetë urë që na vënë në komunikim e në lidhje të drejtpërdrejtë me Zotin.

Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele nga Shën Marku, Jezusin e shohim përsëri në dialog. Ngjarja e Ungjillit të Markut ku Jakobi e Gjoni i kërkojnë Jezusit të kenë mundësinë të ulën në të djathtën e të majtën e tij, na kujton edhe përgjigjen e Mësuesit Hyjnor, i cili u shpjegoi dishepujve se të mbretërosh do të thotë shërbesh (Mk 10.25-45) dhe na ofron reflektimin mbi kundërshtimin që ekziston ndërmjet dy logjikeve të papajtueshme: asaj të dhurimit të vetvetes e asaj të pushtetit.

Përvoja nga jeta e përditshme nuk e ka stilin e pushtetit e të lavdisë, e duhet të kujtojmë përgjigjen e famshme të Krishtit, në Ungjillin e Markut, mbi atë se si duhet të jetë marrëdhënia që duhet t’i lidhë mes tyre dishepujve e ithtarët e tij: “Mes jush nuk duhet të ndodhë kështu; por nëse dikush nga ju dëshiron të bëhet i madh, le të jetë shërbëtori juaj, dhe nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet shërbëtor i të gjithëve”.

Sundimi e shërbimi, egoizmin e altruizmi, pasja e dhurimi, interesi e bujaria: këto logjika që janë thellësisht në kundërshtim njëra me tjetrën, konfrontohen në çdo kohë e në çdo vend. Nuk ka asnjë dyshim për udhën e shërbimit të zgjedhur nga Jezusi: Ai nuk përkufizohet vetëm duke u treguar atë me fjalë dishepujve të asaj kohe e të sotëm, por e jeton personalisht në trupin e vet. 

Krishti, e merr lavdinë vetëm në saje të qenurit të tij shërbëtor, kështu ligështimi i Apostujve para “ëndrrës së lavdisë” mund të jetë, sikur pohon Qirili i Aleksandrisë, “një nxitje për përvuajturi”. Dhurimi i plotë i vetvetes që Krishti ofroi mbi kryq, le të jetë për ju themel, parim, nxitje e forcë për një fe që vepron në dashuri e bamirësi. Misioni i juaj në Kishë e në botë le të jetë përherë e vetëm “në Krishtin”, përgjigjja ndaj logjikës së tij e jo ndaj logjikës së botës, le të ndriçohet nga feja e frymëzohet nga dashuria që vijnë tek ne nga Kryqi i lavdishëm i Zotit.

                                                        Liturgjia e Fjalës së Zotit 

Leximi i parë Is 53, 2.3.10-11

Sipas riteve hebraike të flisë së shpërblimit një viktimë flijohej për mëkatet e popullit. Jezu Krishti do ta zëvendësojë këtë fli duke flijuar vetveten njëherë e përgjithmonë. Ai që do të ofrojë jetën e tij, duhet të pranojë të kalojë nëpërmjet vuajtjes, duhet të jetojë misterin e vdekjes dhe të ringjalljes së Krishtit.

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Shërbëtori i Tij u rrit porsi pinjolli, porsi rrënja nga toka e thatë. Ishte i përbuzur, më i mbrami ndër njerëz, njeri dhimbjesh, i regjur me vuajtje, si ai, para të cilit mbulohet fytyra, i përbuzur, këndej as s’e çmonin për send! Por Zotit i pëlqeu ta ndrydhë me vuajtje. Nëse e jep jetën e vet fli shpërblyese, do të shohë një trashëgimi jetëgjatë, me anë të Tij do të kryhet vullneti i Zotit. Për shkak të vuajtjes së shpirtit të tij do ta shohë dritë e do të ngihet me njohjen e saj. Shërbëtori im i drejtë do të shfajësojë shumë, mbi vete fajet e tyre do t’i marrë. Fjala e Zotit.

 

Psalmi 33

Na e jep mëshirën tënde, o Zot, sepse në ty shpresojmë

----------

E drejtë është fjala e Zotit,

e të gjitha veprat e tija me besë.

E do drejtësinë e gjyqin,

plot është toka me mirësinë e Zotit.

----------

Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,

mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:

për t’i shpëtuar nga vdekja

e për t’i ushqyer në kohën e urisë.

----------

Shpirti ynë shpreson në Zotin,

ai është ndihma dhe mburoja jonë.

Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,

sikurse ne shpresojmë në ty.

----------

 

Leximi i dytë nga Heb 4, 14-16

Zoti që na ka shpëtuar është një njeri që vuan, i poshtëruar, i vënë në provë ashtu si ne e më shumë se ne. Përballë vuajtjes së Krishtit, asnjë i varfër nuk turpërohet nga mjerimi i vet. Jezusi na mëson se shpëtimi nuk qëndron në mirëqenien dhe në suksesin, por në të pranuarit e gjendjes sonë njerëzore për të bërë të shpërthejë një njerëzim i aftë për të dashur.

 

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, mbasi e kemi Kryepriftin e Madh, Jezusin, Birin e Hyjit, i cili i ka përshkuar qiejt, të jemi të palëkundshëm në dëshmimin e fesë! Sepse nuk kemi Kryeprift që nuk mund të ketë dhimbje për dobësitë tona, mbasi ai vetë i ka sprovuar të gjitha sikurse ne, me përjashtim vetëm të mëkatit. T’i afrohemi, prandaj, plot guxim fronit të hirit, që të fitojmë mëshirë dhe të gjejmë hir për të pasur ndihmë në kohë të duhur. Fjala e Zotit.

Ungjilli Mk 10, 35-45

Apostujt kuptojnë fjalët e Jezusit mbi fatin e tij të vuajtjes vetëm pas vdekjes dhe ringjalljes së tij. Sipas Jezusit personat e realizuar në këtë botë nuk ndryshojnë historinë, ndërsa ata që ndryshojnë botën janë pikërisht njerëzit e persekutuar dhe të kërcënuar. Fati i Krishtit është ai i shërbëtorit të vuajtur që ofron jetën e tij për të tjerët. Vetëm ai që i përngjan atij është i njohur si i madh në mbretërinë e Hyjit.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, iu afruan Jezusit dhe i thanë: “Mësues, dëshirojmë të bësh për ne çka po të kërkojmë.” “Çka dëshironi – u tha Jezusi – të bëj për ju?”

Ata i thanë: “Bëj që në lavdinë tënde të rrimë njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.” Jezusi u përgjigj: “Nuk dini çka lypni. A jeni të zotët ta pini gotën që unë e pi? Ose të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë pagëzohem?”

“Jemi të zotët!” – i përgjigjën ata. Jezusi vijoi: “Vërtet do ta pini gotën që unë e pi dhe do të pagëzoheni me pagëzim me të cilin unë pagëzohem. Por të vë ndokënd të më rrijë në të djathtën ose në të majtën time – kjo nuk është në pushtetin tim ta jap – kjo gjë u përket atyre për të cilët është bërë gati.”

Kur e morën vesh dhjetë tjerët, u hidhëruan në Jakobin e në Gjonin. Prandaj Jezusi i thirri përreth dhe u tha: “Ju e dini se ata që mbahen për sundues të popujve, i sundojnë me ashpërsi dhe qeveritarët e tyre ushtrojnë mbi ta pushtetin e vet. Kështu veç, nuk duhet të jetë ndër ju. Përkundrazi, kushdo prej jush që do të jetë më i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, dhe ai që prej jush do të jetë i pari, le të bëhet skllavi i të gjithëve, sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të qenë shërbyer, por që ai të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë.” Fjala e Zotit!

19 tetor 2018, 17:13