Kërko

2018.10.07 Vangelo di domenica 2018.10.07 Vangelo di domenica  

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 28-gjatë vitit “B”

“Eja pas meje” – është ftesa e Jezusit. E kjo është thirrja e krishterë që buron nga propozimi i dashurisë së Zotit e që mund të realizohet vetëm kur edhe ne i përgjigjemi me dashuri.

R. SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 28-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 28-gjatë vitit “B”

Liturgjia e kësaj së diele na propozon temën e pasurisë dhe të thirrjes së Zotit. Leximi I na thotë se urtia është më e çmueshme se pasuria. Leximi II na flet për Fjalën e Hyjit, që është e gjallë, efikase dhe e mprehtë. 

Ungjilli na tregon një të ri të pasur, që e ndjen thirrjen e Jezusit, por nuk është guximtar për ta pranuar thirrjen hyjnore, sepse është i kapur për pasuritë e veta tokësore. I varfër është i pasuri, kur di të dhuron. Pra, Ungjilli i kësaj së diele na flet për një  djalosh të pasur, që gjunjëzohet para Jezusit për ta pyetur ç’duhet të bëjë për të trashëguar jetën e pasosur. Ky i ri, kishte dëshirë të zjarrtë t’i dëgjonte fjalët e Jezusit. Ishte njeri i mirë. Që në rini të parë, kishte jetuar sipas Urdhërimeve të Tënzot. I mirë, pra, po kjo nuk i mjaftonte: donte diçka më shumë. Shpirti i Zotit e nxiste në kërkim. Jezusi e shikon me dashuri e i bën propozimin: “Shit gjithë ç’ke pas shpirtit, eja pas meje e prediko Ungjillin”. Po ai, kur i dëgjoi këto fjalë, u nxi në fytyrë e iku e shkoi shpirtngrysur, sepse kishte shumë pasuri.

Zemra e tij e shqetë, pikërisht sepse Shpirti i Shenjtë e nxiste t’i afrohej Jezusit e ta ndiqte, ishte zemër e mbushur plot, e ai nuk mori guximin ta zbrazë. E zgjodhi: paratë. Zgjodhi zemrën e mbushur plot me para. Po nuk ishte hajdut, kriminel, jo, jo, jo! Ishte njeri i mirë: nuk kishte vjedhur kurrë. Kurrë nuk kishte mashtruar kënd: paratë e tij ishin të ndershme. Por zemrën e kishte të burgosur aty, të lidhur me paratë e nuk mund të zgjidhte lirisht. Në vend që të zgjidhte ai, zgjodhën paratë për të.

Sa të rinj, e ndjejnë në shpirt thirrjen për t’iu afruar Jezusit, e janë tejet entuziastë. Nuk kanë turp të gjunjëzohen para Tij, ta dëshmojnë publikisht besimin e tyre në Krishtin. E duan edhe ta ndjekin, por, kur e kanë zemrën plot me gjëra të tjera e nuk janë aq guximtarë sa ta zbrazin, kthehen mbrapsht, e gëzimi i tyre shndërrohet në trishtim. Edhe sot shumë të rinj ndjejnë thirrjen, por nganjëherë del diçka, që i pengon. Duhet të lutemi, që zemra e këtyre të rinjve të zbrazet. Të pastrohet nga interesat, nga dashuritë e tjera, të bëhet zemër krejt e lirë. O Zot, dërgona, motra e priftërinj, mbroji nga idhujtaria e kotësisë, nga idhujtaria e vetëmburrjes, idhujtaria e pushtetit, idhujtaria e parasë. Të lutemi, që këto zemra të përgatiten për ta ndjekur nga afër Jezusin.

I riu i Ungjillit të kësaj së diele të 28-të gjatë vitit kishtar, njeri shumë i mirë, bëhet shumë i mjerë. Ka shumë të rinj të tillë, sot. Prandaj duhet t’i lartojmë Zotit një lutje të dalë nga e gjithë zemra. Është lutja: “Ndihmoji, o Zot, këta të rinj, të jenë të lirë, jo skllevër; ndihmoi ta kenë zemrën vetëm për Ty, e kështu thirrja jote të zbresë në zemrat e tyre e të japë fryt’. E kjo është lutja për thirrje meshtarake e rregulltare. Duhet të lutemi shumë. E të jemi gjithnjë të vëmendshëm: thirrjet janë. Duhet t’i ndihmojmë të rriten, të lutemi, që Zoti të hyjë në këto zemra e t’u japë gëzimin e patregueshëm e të lum, të cilin e provon çdo njeri, kur e ndjek nga afër Jezusin”.          

                                                                    Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë   Urt 7, 7-11

Hebrenjtë kanë provuar gjatë shekujve magjepsjen nga urtia e popujve që banonin rreth tyre.  Nga egjiptianët kanë mësuar se madhështia e vërtetë qëndron në të diturit; nga grekët kanë marrë kuptimin e bukurisë dhe të harmonisë së gjërave.  Po çfarë janë këto të mira pa pasur një pamje të thellë të realitetit?  Urtia e vërtetë është ajo që vjen nga Hyji, e cila i sheh gjërat ashtu siç janë realisht dhe njeh vlerën e vërtetë të tyre në raport me Hyjin.

Lexim prej Librit të Urtisë

U luta e më qe dhuruar mençuria, u përluta e më erdhi shpirti i urtisë. E çmova atë më shumë se mbretëritë e fronet, për asgjë e mbajta pasurinë në krahasim me të. Gurin e paçmueshëm as që e krahasova me të, sepse i gjithë ari në krahasim me të është si pak rërë, e argjendi për krah saj vlerësohet si baltë.  E desha më tepër se shëndetin e bukurinë dhe e parapëlqeva më fort se dritën, sepse shkëlqimi i saj nuk di të shuhet kurrë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 90

Na e jep, o Zot, urtinë e zemrës

Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona

që zemra jonë dijen ta mbërrijë.

Kthehu, o Zot! Deri kur kështu?

Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!

 

Na e ndiko në mëngjes mëshirën tënde,

e do të gëzohemi e do të galdojmë

të gjitha ditët e jetës sonë.

Gëzona për ditët që na mundove,

për vjetët që i kaluam në mjerim.

 

Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu,

shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!

Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë,

bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona,

të përparojë vepra e duarve tona.

 

Leximi dytë

Shpesh predikimet tona janë një sërë fjalësh boshe, ndryshe nga Fjala e Hyjit që është e mprehtë, e efektshme dhe provokuese.  Ajo denoncon pamëshirshëm dyfytyrësinë tonë, por është një fjalë që na çliron dhe u përgjigjet nevojave tona më të thella.

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese. Është më e mprehtë se çdo shpatë dy tehesh. Përshkon aq sa ndan frymën dhe shpirtin, gjymtyrët dhe palcin, edhe shqyrton ndjenjat dhe dëshirat e zemrës. Nuk ka krijesë të fshehur para saj. Gjithçka është cullak e zhveshur para syve të Atij, të cilit do t’i japim llogari. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

 

Aleluja. Aleluja.

Ati i Zotit tone Jezu Krishtit t’ju japë Shpirtin e dijes, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij.

Aleluja.

 

Ungjilli   Mk 10, 17-30

Në kohën e Jezusit hebrenjtë mendonin që të mirat dhe pasuritë ishin shenja të bekimit të Hyjit.  Por Jezusi ka jetuar si i varfër dhe u ka mësuar apostujve që të jetojnë në të njëjtën mënyrë.  Të krishterët e parë kanë jetuar një jetë të varfër duke pranuar të japin edhe jetën në momentin e persekutimit.  Por nuk ishin vetëm dhe të pambrojtur: ishin të bindur se duke imituar Jezusin i jepnin kuptim jetës së tyre e cila pasurohej nga jeta e Hyjit.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, kur Jezusi doli në rrugë, një njeri u lëshua vrap, ra në gjunjë para tij dhe e pyeti: “Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?” Jezusi i përgjigji: “Pse më thua ‘i mirë’? Askush s’është i mirë përveç një Hyji të vetëm! Urdhërimet i di: Mos vrit! Mos the kurorën! Mos vidh! Mos dëshmo rrejshëm! Mos bëj kurrfarë padrejtësie! Ndero babën tënd e nënën!”

Ai u përgjigj: “Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që prej rinisë sime.”  Atëherë Jezusi e shikoi ëmbël, i pëlqeu dhe i tha: “Të mungon edhe një gjë: shko, shit çka ke, ndajua skamnorëve e do të kesh thesar në qiell; atëherë kthehu e eja pas meje!” Djaloshi u prish kur e dëgjoi këtë fjalë, dhe, i trishtuar, u largua, sepse kishte prona të shumta. Jezusi, pasi e hodhi shikimin përreth, u tha nxënësve të vet: “Sa vështirë do të hyjnë pasanikët në Mbretërinë e Hyjit!” 

Nxënësit mbetën shtang të habitur prej këtyre fjalëve të tija. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha: “Bijtë e mi! Sa vështirë është të hyhet në Mbretërinë e Hyjit! Më lehtë është të përshkohet deveja nëpër veshë të gjilpërës se të hyjë i pasuri në Mbretërinë e Hyjit!” Nxënësit çuditeshin edhe më tepër dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Atëherë kush do të mund të shëlbohet?” Jezusi ua nguli sytë dhe tha: “Sa për njerëz, njëmend, është punë që s’bëhet, por jo për Hyjin: Hyji mund të bëjë gjithçka.”

Atëherë Pjetri mori fjalën e i tha: “Qe, ne lamë çdo gjë e erdhëm pas teje.” Jezusi i përgjigji: “Për të vërtetë po ju them: s’mund të ketë asnjë njeri që la për shkak timin e për shkak të Ungjillit shtëpinë, ose vëllezërit, ose motrat, ose nënën, ose babën, ose fëmijët, ose arat, e të mos marrë tani, në këtë botë, edhe pse me salvime, njëqind herë aq shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, e, në botën e ardhshme, jetën e pasosur.”  Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

11 tetor 2018, 18:47