Kërko

Shtatë shenjtorët e rinj të Kishës Katolike Shtatë shenjtorët e rinj të Kishës Katolike 

Kisha Katolike pasurohet me pesë shenjtorë të rinj

Një laik, dy meshtarë e dy murgesha, themeluese kongregatash femërore, u shpallën sot shenjtore së bashku me Papën Pali VI dhe me imzot Oscar Romero.

R.SH. - Vatikan

I riu punëtor, Nunzio Sulprizio: gjithë të mirat vijnë prej Zotit

         Kumti i shëlbimit të Krishtit për gjithë njerëzimin, gjestet dhe fjalët e Tij tingëllojnë akoma sot në botë, përmes zërit, jetës dhe dëshmisë së burrave e grave, që e kanë gjetur lumturinë në zemrën e Birit të Zotit e ua çojnë atë të tjerëve. Nunzio Sulprizio, që u shpall sot shenjt nga Kisha Katolike, është lajmëtar i vërtetë i lumturisë, që shpërthen në zemrën e atyre, të cilët e ndiejnë se Krishti i do. Jetim, i keqtrajtuar nga i ungji, u sëmur me gangrenë në këmbë e u ligështua sa s’ka ku të shkojë më, por duroi gjithçka me shpirt të qetë e të gëzuar, ngushëlloi bashkëvuajtësit e, pavarësisht se i varfër, u përpoq t’i ndihmonte si mundte ata, që i rrethonte mjerimi.

Famullitar i popullit: meshtari Vincenzo Romano

         “Meshtar i veshur me drejtësi”, arsye gëzimi për besimtarët, siç këndon Psalmi 132, një nga ata, që u shpallën sot shenjtorë është edhe don Vincenzo Romano. Qe Papa Pali VI - sot, shenjt së bashku me të - që e lartoi në nderimet e altarit në bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, më 17 nëntor 1963, ndërmjet dy seancave të para të Koncilit II të Vatikanit. Në Torre del Greco, pranë Napolit, ia kushtoi jetën arsimimit të fëmijëve dhe kujdesit për nevojat e punëtorëve e të peshkatarëve.

Don Francesco Spinelli: nga lutja në bamirësi

         “Kisha gjithnjë përshtypjen se jam në praninë e një meshtari shenjt, që ia pati kushtuar jetën lavdisë së Zotit dhe shpëtimit të shpirtrave. Mjaftonte të rrije me të për të ndjerë parfumin e virtyteteve të tij meshtarake. Vështrimi engjëllor, pasqyrë e gjallë e shpirtit, dashamirësia me të cilën trajtonte të pasur e të varfër, meshtarë e laikë, dashuria që dukej qartë nga fjalët e konfirmuara me vepra, ishte për ne shkollë e madhe, që na nxiste drejt shenjtërisë në jetën meshtarake, për të cilën don Francesco Spinelli ishte shembull i gjallë”. Ky portret i bukur, shkruar më 24 shkurt 1928 nga famullitari i Sirones, në Lecco të Italisë, don Fimoli, përmbledh mrekullisht mirë shenjtërinë e don Spinelli-t, që u shpall shenjt sot.

Nazaria Ignacia March Mesa: në minierat e Orurit

         Në Oruri, qendër minerare ne veri të Bolivisë, pështjelluar nga tensione shoqërore e politike, një murgeshë e vogël me shtat, por me forcë të madhe shpirtërore, në fillim të shekullit XX, doli në rrugë për të çuar Fjalën e Zotit në miniera, në fermat e indiosve, në burgje, në tregje, duke mbështetur betejat e punëtorëve dhe duke punuar për promovimin e gruas. Quhej Nazaria e Shën Terezës së Krishtit (e Avilës), në shekull, Nazaria Ignacia March Mesa, e në vitin 1925, themeloi kongregatën e Motrave Misionare kryqtare të Kishës. Sot, shenjte.

Maria Caterina Casper: përtej kufijve konfesionalë

         Për Caterina Kasper, rregulltare gjermane, që ka jetuar në shekullin XIX, nuk ekzistonin kufij konfesionalë për të shprehur dashurinë ndaj të afërmit, përmes punës edukative dhe kujdesit për të sëmurët. Lindur më 26 maj 1820 në Dernbach, në Ëesterëald - në atë kohë, dioqeza e Trier-it, ndërsa tani e Limburgut – ishte e shtata ndër fëmijët e shumtë të një familjeje fshatarësh. Aty përjetoi mjerimin e madh të popullsisë fshatare: toka ishte e varfër, klima, e ashpër dhe të korrat, të pakta. Themeloi Institutin e Shërbëtoreve të Varfëra të Jezu Krishtit për t’i shërbyer Zotit në nevojtarët.

14 tetor 2018, 13:13