Kërko

Java e lutjes kundër persekutimit fetar në Indi Java e lutjes kundër persekutimit fetar në Indi 

Indi: java e lutjes kundër persekutimit fetar

Mbi 1.200 episode diskriminimi dhe dhune kundër të krishterëve në Indi gjatë dy viteve të fundit. Për këtë arsye Persecution Relief organizon një javë lutjeje kundër persekutimit fetar: nisma, në edicionin e saj të dytë, do të përfundojë më 7 tetor. Intervistë me Marta Petrosillo-n e Fondacionit “Ndihmë për Kishën që Vuan”(ACS)

R.SH. - Vatikan

"Qindra mijëra vetë" morën pjesë në javën e lutjes kundër persekutimit fetar në Indi, organizuar nga shoqata ekumenike “Persecution Relief” (Lehtësimi i persekutimeve). Vetëm gjatë dy viteve të fundit, në vend ka pasur mbi 1.200 episode diskriminimi dhe dhune kundër të krishterëve. Gjatë kësaj jave, siç thotë për AsiaNews, pastori Shibu Thomas, themelues i organizatës, u kërkua lirimi i rreth 100 pastorëve dhe besimtarëve të burgosur me dëshmi të rreme për kthime të detyruara në fenë e krishterë. "Ata nuk duan të kenë më frikë për të jetuar në Indi, as të kërcënohen me largim nga shtëpitë e tyre, për shkak të fesë", thekson pastori.

Persekutimi i të krishterëve në Indi

Kjo nismë u bë e nevojshme, për shkak të agresioneve dhe diskriminimit kundër të krishterëve, në një vend, ku shumica janë hinduistë. "Numri i sulmeve ndaj të krishterëve është rritur - thotë për Vatican News, Marta Petrosillo e Fondacionit “Ndihmë për Kishën që Vuan”  - duke kaluar nga 348 në vitin 2016, në 736 në vitin 2017. Kjo rritje varet nga retorika e partive në pushtet, të cilët përdorin flamurin e nacionalizmit hinduist; por edhe nga filozofia hinduiste, e cila beson se vendi duhet të jetë plotësisht hindu". E vazhdon: "Sulmet gjithashtu janë lehtësuar nga atmosfera e pandëshkueshmërisë: ka shumë sulme, për të cilat autorët e krimit, megjithëse janë identifikuar, nuk janë çuar para drejtësisë".

Mohimi i të drejtave themelore

Përndiqen jo vetëm besimtarët dhe barinjtë e Kishës, të cilët burgosen shpesh, për shkak të fesë, por sulmohen edhe vendet e kultit, të cilat mbyllen, ose shkatërrohen. "Në shumë raste - shpjegon Marta Petrosillo - u mohohen të krishterëve të drejtat themelore si mundësia për të pasur ujin e pijshëm". Gjithnjë e më shpesh, përndjekja realizohet përmes një lloj "bojkotimi shoqëror", siç thotë për AsiaNews, Shibu Thomas. Kryepleqtë e fshatit dhe vetë banorët u mohojnë të krishterëve subvencionet qeveritare, racionet ushqimore, ilaçet, arsimimin. Rreziku i një bojkotimi të tillë shoqëror është që të krishterët ta braktisin besimin e tyre për të mbijetuar dhe për të mos u mënjanuar.

Fushata e lutjes: denoncimi dhe solidariteti

"Nismat e tilla janë të rëndësishme, së pari për të denoncuar përndjekjen, që shpesh kalon në heshtje, ose injorohet - pohon Marta Petrosillo - e pastaj, për t’u shprehur afërsi në fe vëllezërve tanë të persekutuar, të cilët vuajnë, sepse ndihen të vetmuar dhe të harruar". “Persecution Relief” është norganizatë ekumenike që përpiqet të ndërgjegjësojë opinionin publik botëror mbi temën e persekutimit fetar. Në fakt, një përqindje e madhe e bashkësisë së krishterë globale nuk është në dijeni se në Indi po shtohet dhe rëndohet persekutimi. Fushata e lutjes synon, pra, "të krijojë vetëdije më të madhe dhe ta ndihmojë Popullin e Zotit ta hapë zemrën” në mbështetje të sivëllezërve. “Persecution Relief” siguron edhe mbështetje ligjore, ekonomike, politike për të krishterët: financon rindërtimin e kishave të shkatërruara, kuron besimtarët e plagosur gjatë sulmeve dhe ofron strehim të përkohshëm për ata, që u shembet shtëpia.

03 tetor 2018, 15:15