Imzot Romero, në nderimet e altarit Imzot Romero, në nderimet e altarit 

Imzot Romero: mik i të varfërve dhe i paqes

Në atmosferën e ritit të shenjtërimit të imzot Óscar Romero, që kremtohet në Sheshin e Shën Pjetrit nga Papa Françesku, historiani dhe biografi Roberto della Rocca, flet për Shenjtin e ri martir,

R. SH. - Vatikan

Imzot Óscar Arnulfo Romero Galdámez ishte në qendër të vëmendjes sa nga ana e së djathtës, aq e së majtës. Për disa, ishte politikan revolucionar në kuptimin më pozitiv të fjalës, ndërsa për të tjerë, në kuptimin më negativ. Ishte apo s’ishte  politikan, revolucionar apo subversiv, kjo varej nga mënyra si e shikonin. Në të vërtetë,  ai ishte thjesht njeri i Kishës, siç e pati quajtur Gjon Pali II. E nënvizon këtë edhe Roberto Morozzo della Rocca, pedagog  i historisë bashkëkohore pranë Universitetit “Roma Tre” dhe autor i “Oscar Romero, jetëshkrim”, botuar këto ditë nga San Paolo, pas rishikimit e përditësimit. Pak para ritit të shenjtërimit, që do të kremtohet të diel nga Papa Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit, njëherësh me atë të Palit VI, Françesco Spinelli-t, Vincenzo Romano-s, Maria Katerina Kasper-it, Nazaria Ignazia-s së Shën Terezës së Jezusit dhe Nunzio Sulprizio-s, autori - i cili punoi për çështjen e kanonizimit - propozon frytin e studimit të tij historik kushtuar kryeipeshkvit të San Salvadorit, në Amerikën Qendrore, vrarë më 24 mars 1980 nga skuadrat e vdekjes, të lidhura me pushtetin politik të së djathtës ekstreme vendase.

Luftërat, e keqja më e keqe

Morozzo della Rocca - shkruan në parathënie Andrea Riccardi, themelues i Bashkësisë së Shën Egjidit - rikrijon “portretin e vërtetë të ipeshkvit të vrarë, që qe mbuluar nga një korë e trashë polemike dhe ideologjike. E vranë në altar! Kur po kremtonte Meshën. Në një kohë tejet delikate për Salvadorin. “Besoj se ishin të shumtë - vëren della Rocca - ata që dëshironin të shpërthente lufta civile, ndërsa ai ishte kështjellë kundër kësaj lufte. Fliste për paqen. Kërkonte të ndërhynte praktikisht ndërmjet palëve kundërshtare e ishte njeriu më i rëndësishëm i vendit; predikimet e tij, të transmetuara përmes radios, i ndiqnin të gjithë; fjala e tij  peshonte rëndë edhe në arenën ndërkombëtare. Të dielave, pas liturgjive, rrethohej nga turma gazetarësh, në pritje të fjalës së Burrit, që s’e njihte frikën. Imzot Romero donte ta mbronte popullin e vet nga lufta, që është e keqja më e madhe.

Kundërshtarët e Romeros

“Shikohej me sy të keq, sidomos nga oligarkia, që kishte në dorë gjithë pushtetin në vend; pushteti zyrtar ishte ai i regjimit ushtarak, por vetë ky regjim lidhej me oligarkinë e udhëhiqej prej saj. Në të vërtetë - shpjegon historiani -  u vra nga një ‘skuadron i vdekjes’, domethënë, nga grupet e çmendura të së djathtës ekstreme, që shquheshin për ushtrimin e  dhunës. Në këto rrethana, Konferenca ipeshkvnore ishte e ndarë: disa ipeshkvij, si Arturo Rivera Damas, i cili qe pasardhësi i tij, e mbështetën, të tjerët - kush më pak e kush më shumë, nuk ia përkrahën qëndrimin.

Zë i të pazëve

I mbeti atij angazhimi të mbronte paqen dhe popullin. “Çdo të diel, gjatë  predikimeve, vinte në dukje çka kishte ndodhur në vend, në mënyrë që t’u jepte zë desaparecidos-ve, atyre që zhdukeshin pa gjurmë, viktimave e familjeve të tyre. Ishte gjithnjë në mbrojtje publike. E predikimin e shikonte si një nga mënyrat për t’u thënë atyre, që  ushtronin dhunën: “Ki mendjen, mbasi dihet mirëfilli tashmë se shtypi është i regjimit e nuk flet, po unë flas, e pra është një zë, që flet”. Imzot Romero nuk pretendonte se thoshte të vërtetën, por, një një farë mënyre,  njerëzit e kuptonin se zëri i tij ishte zë i së vërtetës, de verdad, thoshin. E kështu ai nisi të thirrej: “Zë i të pazëve”, voz de los sin voz.

Mrekullia

Pak para se të mbushen tre vjet nga lumnimi, më 23 maj 2015, në San Salvador, imzot Romero shpallet Shenjt. “Ndjehet një lidhje e fortë shpirtërore ndërmjet Romeros e Papës Françesku, gjë që, në radhë të parë, del në pah posaçërisht në fjalimin e dashurisë për të varfrit e edhe, në radhë të dytë, në dashurinë për Amerikën Latine - kujton historiani. Por duhet thënë se Papa Françesku e ndoqi me korrektësinë më të madhe procesin kanonik. Po kujtojmë vetëm një shembull: tani Romero bëhet shenjt për një mrekulli. Për shërimin e një gruaje, që ishte në prag të vdekjes, pasi kishte lindur e që u shërua në pak orë. Në mënyrë krejt të pashpjegueshme nga shkenca. Por duhet kujtuar se para kësaj mrekullie, gjithashtu shkencërisht të pashpjegueshme, ndodhen edhe tri të tjera, të cilat nuk u pranuan nga specialistët.

Në lartësinë e altarit

Kështu imzot Romero lartohet në altar si njeri i Kishës, mbrojtësz i desaparecidos-ve, mik i të varfërve dhe i paqes, zë i të pazëve, ndërmjetësues pranë Zotit për të gjithë ata, që i kundërvihen luftës e dhunës, në emër të lirisë dhe të jetës!

14 tetor 2018, 15:07