Kërko

Martiri della Chiesa albanese martiret shqiptare Martiri della Chiesa albanese martiret shqiptare 

I Lumi Gjon Pantalia, martir, jezuit shqiptar në përvjetorin e martirizimit

Me 31 tetor kujtojmë përvjetorin e martirizimit të jezuitit shqiptar nga Prizreni, Fratel Gjon Pantalia S.J., martir i Krishtit në Shqipëri, i cili u shpall i Lum më 5 nëntor 2016 në Shkodër. I mbylli sytë si martir, më 31 tetor 1947, si dëshmitar besnik i besimit në Zotin dhe i atdhedashurisë.

Po ndalemi te figura e të Lumit Gjon Pantalia, martir, e kujtojmë se ai lindi në Prizren më 2 qershor 1887 në një familje të thjeshtë. Ishte kushëri i nënë Terezës nga ana e s’ëmës.

Fëmijërinë e rininë e parë i kaloi duke punuar si çirak në pazarin e Prizrenit. Në vitin 1906, sapo i kishte mbushur 19 vjetët, hyri në Shoqërinë e Jezuitëve. Noviciatin e bëri në Itali e pikërisht në Soresina, në provincën e Kremonës. Ndonëse eprorët shprehën dëshirën që t’i vijonte studimet për t’u bërë meshtar, Gjoni deshi të mbetej thjeshtë vëlla-ndihmës, që në Shqipëri njihej me emrin fratel.

E, si ndodh shpesh që më të fundmit bëhen pikëmbështetje për të gjithë bashkësinë në të cilën jetojnë, Fratel Gjoni u bë frymëzues i të gjitha veprimtarive shoqërore e kulturore të Kolegjit, njeri-kyç i Institutit të Jezuitëve të Shkodrës, që kishte emrin e Françesk Saverit e që u bë fidanishte e meshtarëve, avokatëve, politikanëve e mësuesve të ardhshëm.

I Lumi Gjon Pantalia kishte një mori detyrash: profesor, këshilltar pedagogjik, shkrimtar, drejtues shpirtëror. Shpëtoi nga arrestimi shumë nga nxënësit e tij shqiptarë, që kërkoheshin në fillim nga ushtritë pushtuese italiane e më pas nga ato gjermane.

Atë Zef Valentini thotë për të: “Me gjithë bagazhin e tij të vogël kulturor, ishte tashmë, praktikisht, poliglot, duke folur e lexuar rrjedhshëm, përveç shqipes së tij, edhe serbishten e duke ia dalë mbarë edhe me turqishten; kishte edhe cilës të mira tregtare, zgjuarsi jo të zakontë dhe sidomos një shkathtësi të pashoq”.

Ata që e kanë njohur e mbajnë si një rregulltar të devotshëm jezuit, që i pëlqente të sakrifikohej për t’u shërbyer të tjerëve, si një punëtor të madh, të palodhur dhe shumë të komunikueshëm.

Atë Gjon Karma, që ishte edhe Eprori i tij, duke i shkruar Vikarit të Përgjithshëm të Jezuitëve më 14 shkurt 1946 për të justifikuar veprimtarinë e tij, jo të lehtë për t’u kuptuar prej sivëllezërve të vet, thotë: “Mund të pyesni bijtë e vërtetë të Shoqërisë...” dhe mes tyre liston Fratel Gjon Pantalinë.

Jezuiti Luciano Fozzer, që jetoi me të në Shkodër gjatë viteve 1938-1940, e përshkruan kështu: “Nuk më është dukur kurrë një shenjtor “kokë ulur”, por një rregulltar “i plotë”, që kryente me besnikëri dhe thjeshtësi detyrat e tij...që ishin të shumta”. Dhe shton: “E mbaj mend si besnik në lutje, të angazhuar në punë, të shoqërueshëm me të gjithë, zbatues i rreptë i pendesave”.  Të gjithë flasin për cilësitë e tij të jashtëzakonshme njerëzore, morale dhe shpirtërore. Ishte mjaft serioz, i kujdesshëm, i drejtë, bujar dhe i përvujtë.

U përpoq, ndonëse tepër i mbikëqyrur, të shpëtonte objekte me vlerë të Kolegjit e të gjente avoketër që pranonin të mbronin meshtarët e arrestuar gjatë persekutimit të tmerrshëm komunist, i cili që nga viti 1945 vuri në shënjestër gjithë bashkësinë katolike e sidomos jezuitët.

Po Gjon Pantalia s’u tremb: përkundrazi. Bëri çmos që veprimtaritë shkollore të vijonin sa më mirë që të ishte e mundur, duke acaruar kështu edhe më keq regjimin e kuq e ateist. Ky acarim kundër tij arriti kulmin pas arrestimit të jezuitëve Atë Gjon Faustit dhe rektorit të Kolegjit, Atë Daniel Dajanit, sepse në këtë periudhë, më shumë se kurrë, frateli mbeti përgjegjës moral i komunitetit të Jezuitëve në Shqipëri.

Për të shmangur reagimet, u arrestua pa bujë në tetorin e vitit 1946. U torturua mizorisht. E rrahën, e munduan me korrent elektrik, i ngulën spica druri të ndezura ndër thonj: provuan mbi trupin e tij gjithë koleksionin e mjeteve të torturës shpikur nga sigurimi famëkeq i shtetit diktatorial. Pastaj e mbyllën në kuvendin françeskan të Gjuhadolit, shndërruar në burg. Qelia e tij ishte ngjitur me Kishën, por ai nuk qe më në gjendje as të gëzohej për këtë, sepse i shkatërruar fizikisht nga torturat.

Pavarësisht nga kjo gjendje, provoi të ikte por, i ligsht siç ishte, gjatë përpjekjeve për t’u larguar, ra nga dritarja dhe theu të dyja këmbët: e lanë të vuante pa u kujdesur fare për të. Ditët e fundit të jetës i kaloi mes dhimbjesh çnjerëzore, deri sa i mbylli sytë si martir, më 31 tetor 1947, si dëshmitar besnik i besimit në Zotin dhe i atdhedashurisë. Për këtë Kisha e ka radhitur në aradhet e të Lumnueshme të martirëve - Jezuitin shqiptar, Vëlla Gjon Pantalinë.

31 tetor 2018, 09:02