Kërko

 Katedralja e Palermos Katedralja e Palermos 

Heparkia e Horës së Arbëreshëve: 8 takime, për të dialoguar si të krishterë me pas-modernizmin

“Tetë takime, një në çdo muaj, deri në maj, për të dialoguar si të krishterë të pas-modernizmit, për t’u njohur, për t’u rinjohur e për të mësuar të jetojmë në botën e sotme, si të krishterë”. Ky, qëllimi i Heparkisë të Horës së Arbëreshëve,.

R. SH. - Vatikan

“Tetë takime, një në çdo muaj, deri në maj, për të dialoguar si të krishterë të pas-modernizmit, për t’u njohur, për t’u rinjohur e për të mësuar të jetojmë në botën e sotme, si të krishterë”. Ky, qëllimi i Heparkisë të Horës së Arbëreshëve, që projekton një udhë me etapa, për të rishkruar, në një farë mënyre, Letrën drejtuar Diognetit.

Duke u nisur nga citimi i tekstit të krishterë, shkruar në greqishten e lashtë nga autori anonim,  që ka shumë mundësi të ketë jetuar në gjysmën e  dytë të shekullit II, Kisha greko-shqiptare e Sicilisë prek tema si identiteti dhe ndryshimet, ndërkulturaliteti, integrimi, pa harruar të flasë edhe për familjen, shoqërinë, qytetarinë e ligjshmërinë. “Ashtu si anonimi i krishterë i shekullit II, që merr mbi vete përgjegjësinë t’i përgjigjet kureshtjes së drejtë të paganit Diogneti - shpjegon don Antonino Paratore, mëkëmbës i përgjithshëm dhe drejtor i zyrës për kulturën në Horën e Arbëreshëve - dëshirojmë të rikujtojmë disa çështje, që na duken posaçërisht aktuale, për të cilat të krishterët duhet të japin vazhdimisht kontributin e tyre. Do të ndjekim disa nga argumentimet e anonimit, që i shkruan Diognetit - shton - për të dhënë përgjigjet tona, për të nxitur dialoget tona me disa nga njerëzit e kohëve tona”. Reflektimet nuk do t’i drejtojnë vetëm priftërinjtë katolikë, por edhe specialistët e sektoreve të ndryshme, që kanë lidhje me argumentin. Takimet do të mbahen në famullinë San Nicolò dei Greci, në “Martorana” të Palermos, gjithnjë të shtunave, në orën 18. Mund të marrin pjesë - shton don Paratore – të gjithë njerëzit vullnetmirë, posaçërisht katekistët, prindërit, nunët e pagëzimit e të krezmimit, prindërit e fëmijëve, që rrëfehen për herë të parë e edhe ata, që përgatiten për martesë.

Nuk është aspak diskutim i lehtë. Mjafton të kujtojmë një shprehje të vetme nga Letra e famshme drejtuar Diognetit: “Mos beso se do të mund ta mësosh nga njeriu, misterin e fesë të të krishterëve” (Diognetit, IV,6).

17 tetor 2018, 13:17