Kërko

Shën Mikeli kryeengjëll Shën Mikeli kryeengjëll  (© Biblioteca Apostolica Vaticana)

Engjëjt e Rojes, “shokë udhe”

Sot, Kisha Katolike feston Engjëjt e Rojes, një përkujtim liturgjik, që kremtohet më 2 tetor, që nga viti 1670, datë e caktuar nga Klementi X. Papa Françesku i quajti “shokë udhëtimi”, që na mbrojnë nga e keqja.

R.SH. - Vatikan

Sot, në ditën e dytë të tetorit, Kisha feston Engjëjt e Rojes, të cilëve, Zoti, shpjegon don Salvatore Vitiello, pedagog i Hyrjes në Teologji, në Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit, në Romë, “ua beson, në Provaninë e Tij, realitetet që ka krijuar”, në mënyrë që të ruhen e të mbrohen.

Traditë apo dogmë?

Besëlidhja e Vjetër dhe e Re, Etërit e Kishës, si edhe shenjtorët, e kanë pohuar gjithmonë ekzistencën e Engjëjve. “Duhet të dallojmë dy plane – nënvizon don Vitiello. - Ekzistenca e engjëjve si të tillë i përket trashëgimisë së fesë: në Besojmë themi se Zoti është krijuesi i të gjitha sendeve, të dukshme dhe të padukshme, dhe Engjëjt bëjnë pjesë në realitetin e padukshëm. Ky fakt - thekson – vihet në dukje jo vetëm nga Besojma Nikeo-kostandinopojane, por edhe nga Besojma e Popullit të Zotit ", shpallur solemnisht nga Papa Pali VI, më 30 qershor 1968:

"Ne besojmë në një Zot të vetëm, Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt, Krijuesin e sendeve të dukshme, si kjo botë ku kalon jeta jonë e shkurtër, si edhe të sendeve të padukshme, si shpirtrat e mirëfilltë, të quajtur edhe engjëj ...".

Traditës kishtare i përket ekzistenca e Engjëjve të Rojes, "atyre engjëjve - shpjegon Don Vitiello - të cilët kanë për detyrë ruajtjen e botës, të realiteteve të krijuara materiale, si vetë qytetet ose profesionet, për shembull. Me një fjalë, ekzistenca e Engjëjve, me këtë funksion të veçantë, është pjesë e traditës teologjike".

"T’i kërkojmë Zotit hirin e butësisë, për të dëgjuar zërin e këtij shoku, të këtij ambasadori të Hyjit, që është pranë nesh në emrin e Tij, të lutemi që të na mbajë ndihma e tij” – nënvizon edhe Papa Françesku.

Engjëjt, përsosmëria e Zotit dhe njerëzit

Krijimi i engjëjve pasqyron “përsosurinë e plotë të Zotit”, pasi ata “ndajnë me Hyjin faktin se janë shpirtra të mirëfilltë”, por, shton Don Vitiello, “edhe nëse nuk kanë trup, ata janë njerëz, në kuptimin që kanë inteligjencë, liri dhe vullnet, d.m.th. kanë karakteristikat superiore, të cilat e dallojnë njeriun nga të gjitha gjallesat e tjera”. E gjithnjë Papa Françesku thekson: “Është Shpirti Shenjt që më këshillon, është Engjëlli që më këshillon. Kjo nuk është ndonjë doktrinë plot fantazi për engjëjt: jo, është realitet. Është ajo që Jezusi, që Zoti tha: "Unë po të dërgoj një Engjëll para teje për të të mbajtur, për të të shoqëruar në udhëtim, në mënyrë që të mos gabosh".

02 tetor 2018, 16:24