Psalmet Psalmet 

Ҫelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Psalmeve

A mund të diskutojmë për sportin, pa e praktikuar atë? A mund të flasim për ushqimin, pa e ngrënë? Njësoj, a mund të flasim për Biblën, pa u lutur kurrë? Të gjithë e dimë se ndryshe janë fjalët e ndryshe, përvoja. Prandaj, në Bibël, nuk mund të mos përfshihej edhe Libri i Psalmeve, i lutjeve të Izraelit. Atij ia kushtojmë emisionin e sotëm, duke u bazuar, si gjithnjë, në vëllimin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Gjëja e parë, që duhet thënë për Librin e Psalmeve është se asnjë nga fetë më të lashta nuk na ka lënë një përmbledhje të krahasueshme me atë të Biblës. Psalteri mund të quhet Libri i Lutjeve Hebraike, që vijon, edhe sot, funksionin e tij në kishat e krishtera. Mund të pohojmë pra, se çdo ditë, të krishterë e hebrenj thonë të njëjtat lutje.

Renditja e 150 Psalmeve

Në dorëshkrimet më të rëndësishme, renditja e 150 Psalmeve është e njëjtë, por ndryshon numërimi. Psalmet 9 e 10, si edhe Psalmet 114 e 115 të tekstit hebraik (i ashtuquajtur Masoretik) janë bashkuar në një në traditën e lashtë greke, që quhet “e Shtatëdhjetëve” dhe, në Vulgatën latine, e cila, për shekuj me radhë, ka qenë i vetmi variant i përdorur nga Kisha Katolike. Psalmet 116 dhe 147 të Tekstit Masoretik janë ndarë më dysh, në Shtatëdhjetët dhe në Vulgatë. Kjo është arsyeja që në të gjitha Biblat do të gjeni një numërim të dyfishtë për Psalmet, duke filluar nga Psalmi 9.

Psalteri ndahet në pesë libra

Psalteri paraqitet i ndarë në pesë libra, karakterizuar nga një doksologji(lavd për Hyjin) përfundimtare. Kjo ndarje e lashtë, që i përket të paktën shekullit të dytë para Krishtit, riprodhon ndarjen në pesë libra të Torah (Bibla hebraike), për të nënvizuar kështu autoritetin e Psalterit: edhe ai është Torah! Doksologjia përfundimtare e çdo libri shoqërohet me një lumni, që e gjejmë brenda çdo Psalmi, me të cilin mbyllen pesë librat: 41,2; 72,17; 89,16; 106,3; 146,5.

Të gjitha këto lutje, zakonisht, ndahen në katër grupe të mëdha:

-         Himnet, ose këngët e lavdit;

-         Falenderimet (private e publike);

-         Vajtimet (private e publike);

-         Këngë mbretërore, ose mesianike.

Psalmet janë përgjigjja e Izraelit për fjalën e Zotit

Këto kompozime kanë të përbashkët faktin se janë lutje, fjalë të dialogut të Izraelit me Zotin e vet. Me këtë perspektivë të veçantë, ato bëjnë pjesë në strukturën teologjike qendrore të marrëdhënieve të Izraelit me YHWH: “besëlidhjen”. Psalmet janë përgjigjja e Izraelit për fjalën e Zotit, për ndërhyrjen e Tij në histori.

Ka Psalme, që komunikojnë një lirizëm të jashtëzakonshëm dhe të paharrueshëm, të tjerë transmetojnë terrorin për fatet e besimtarit e të popullit, e akoma, ka Psalme që ftojnë për ngazëllim e të tjerë, që komunikojnë zemërim. Ajo, që i bashkon, është se janë lutje, ku del në pah zemra e njeriut dhe mundimet e tij, paqja e gjetur vetëm në Zotin, në mrekullitë e Gjithësisë së krijuar prej Tij dhe në veprat e bëra për Popullin e vet. Psalmet janë çaste, gjatë të cilave Izraeli flet me Hyjin e vet dhe e bën këtë spontanisht, duke ndjekur këtë partiturë me 150 nota, e cila, njëkohësisht, mëson si të lutesh e mëson edhe si të bësh pjesë në të njëjtën histori e në të njëjtin popull.

Në emisionin e ardhshëm, 10 nga Psalmet më të bukura

Ju ftojmë sot ta hapni këtë Libër, për t’i hyrë brenda, që të merrni pjesë në historinë mijëvjeçare, e cila nis me mbretin David, kalon nëpër cetrën dhe nëpër rapsodët e tempullit, përshkon shekujt e me meloditë e saj frymëzon këngët në sinagoga, në manastire, në kuvende, në kisha, me ato që mbeten lutjet më të kënduara të krejt njerëzimit. Të enjten e ardhshme, do t’ju njohim me 10 nga Psalmet më të bukura.

04 tetor 2018, 13:51