Kërko

Bibla Bibla 

Ҫelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Jobit II

Javën e kaluar, filluam të flasim për Librin e Jobit dhe ju lamë me pyetjen “a mund të krahasohet ky Libër biblik me “Prometeun” e Eskilit, me “Komedinë Hyjnore” të Dantes e me “Faustin” e Gëtes, siç thonë shumë studiues? Sot, do të mundohemi të japim një përgjigje, duke u bazuar, si gjithnjë, në vëllimin “Është ora e leximit të Biblës”, shkruar nga meshtari italian, don Federico Tartaglia.

R.SH. - Vatikan

Libri i Jobit e merr me vete lexuesin në detin e pështjelluar të pyetjeve. Jobi është poeti që, në emër të çdo njeriu, diti t’u japë zë anktheve, shqetësimeve dhe dëshpërimeve, ashtu siç bënë poetët e mëdhenj, që i përmendëm më parë.

“Përse s’vdiqa brenda në krahëror?

Përse s’vdiqa porsa linda?

Përse më mori nëna në prehër?

Përse mëkuar qeshë nga gjinjtë?

Tani vetë në gjumë do të pushoja,

i qetë do të flija në gjumë të përhershëm” (Job 3,11-13)

 

“Pse i mjeri të dalë në dritë?

Pse shpirtthati ndopak të jetojë?” (Job 3,20)

 

“Njeriu që nuk ka rrugëdalje,

të cilit Zoti ia zë shtigjet” (Job 3, 23).

         Duket si mallkim e kështu u është dukur më të shumtëve, gjatë historisë, ky rebelim i Jobit. Krijesat e Zotit duhet t’i binden pushtetit të pashqyrtueshëm të Hyjit, ndërsa Jobi kundërshton. E kërcënon Zotin, duke i kërkuar “ta lirojë nga e keqja”, nga mungesa e Tij para dhimbjes së njeriut. I bërtet Hyjit, sepse është i bindur se ka të drejtë, e konsideron kundërshtar. E megjithëse i inatosur dhe i indinjuar me Zotin e vet, Jobi i qëndron besnik, në një mënyrë të paimagjinueshme prej Djallit, që kishte vënë bast me Hyjin për pabesnikërinë e Jobit.

         Pjesa e fundit e Librit të Jobit befason edhe më tepër. Zoti duket në mesin e shtjellave të stuhisë, pak i zemëruar mund të themi me një eufemizëm, por i lodhur nga pyetjet e Jobit. Tani e ka Ai radhën të bëjë pyetje e të presë, sarkastik, përgjigjet e Jobit:

“Kush është ai që e errëson Provaninë

me ca fjalë që kripë nuk kanë?

Ngjeshu, pra, siç ngjeshen trimat:

unë dua të pyes e ti më mëso!

Kur themelet tokës ia vura ti ku ishe?

Më trego nëse njëmend e di” (Job 38,2-4).

         E si një boksier, grushtat e Zotit e zmbrapsin Jobin deri në qoshen e ringut. Asnjë përgjigje, vetëm pyetje, të cilave Jobi nuk di t’u përgjigjet. Hyji ngul këmbë edhe më e ngre zërin:

 “Prozhmuesi s’do të ndeshet me të Lumin?

Kritikuesi Hyjit t’i përgjigjë!” (Job 40,2)

         Jobi pëshpërit diçka, por i duhet të pranojë humbjen:

“Heu! Pa mend fola! Si të përgjigj?

Me dorë gojën po e kyç!

Një herë fola: s’e përsëris dot!

Dy herë fola: s’vazhdoj dot!” (Job 40,4-5)

         Përfundimi, që presin të gjithë, është rënia e Jobit në tapetin e ringut të Zotit, në knock-down, duke pranuar se i qëndronte besnik Hyjit vetëm kur ishte i pasur. Presim që Djalli ta fitojë bastin me Zotin. Presim që tre miqtë e Jobit të shpërblehen prej Hyjit për fjalët e mençura, që i thonë, ndërsa Jobi të dënohet për kryeneçësinë e tij. Por Hyji vepron ndryshe e i thotë Elifazit, njërit prej shokëve të Jobit:

“Hidhërimi më ka marrë zjarr kundër teje e kundër dy miqve të tu, sepse para meje nuk e keni folur të drejtën si shërbëtori im Jobi” (Job 42,7).

E pastaj, e papritura e fundit:

“Pasi Jobi u lut për miqtë e vet, Zoti e ktheu në gjendjen e mëparshme… Zoti e bekoi gjendjen e tanishme të Jobit më tepër se gjendjen e mëparshme… Pas këtyre ngjarjeve Jobi jetoi njëqind e dyzet vjet… Atëherë Jobi vdiq plot vjet dhe i kënaqur me jetë të gjatë” (Job 42,10.12.16).

         Pse Zoti nuk e dënon Jobin? E pse dënon tre “teologët”, mbrojtësit e tij? Sepse Jobi, shërbëtori i Hyjit, i foli me sinqeritet. Këtë na thotë Bibla. Shpëtimi i Jobit realizohet në një marrëdhënie të ndryshuar me Zotin. “Tani, sytë e mi të shohin”, thotë Jobi, duke dëshmuar se marrëdhëniet e tanishme me Hyjin janë më të sinqerta se më parë. Ndërkaq, tre miqtë flasin si studiues, pa njohur as njeriun, as Zotin. Në varfërinë e tij të plotë, Jobi, që kujtonte se e njihte Zotin, por vetëm kishte dëgjuar për të, tani gjen paqe, sepse kupton se nuk mund të hyjë në mendjen e Hyjit:

“Mirë e di se je i gjithëpushtetshëm,

çka sheston, në gjendje je ta bësh!

Kush është ai që me fjalë të marra

provaninë hyjnore e errëson?

Prandaj fola si i pamend

për mrekullitë që s’i kuptoj” (Job 42,2-3).

         Jobi e zbulon Fytyrën e vërtetë të Zotit (megjithëse të pashqyrtueshme), kur i humbet të gjitha siguritë. E këtu, Djalli kishte të drejtë: përderisa njeriu nuk preket në siguritë e veta, beson dhe e njeh Hyjin me të dëgjuar! Ndoshta, ky është mesazhi themelor i shkruesit të kësaj kryevepre.

Libri i Jobit dokumenton krizën dhe zhvillimin e fesë tradicionale në Izrael, që u hap udhën mendimeve dhe teologjive të reja – progresiste, do të thoshim sot. Është simbol i atyre, që nuk mjaftohen me ligjin e traditës, por kërkojnë përgjigje të reja. Në fakt, Jobi nuk është izralit, vjen nga toka e Uzit, në mbretërinë e Edomit, armike me Izraelin. Por pikërisht ai është në gjendje të shkojë përtej teologjisë tradicionale. Libri i Jobit na pret në ditët e dhimbjes, kur nuk dimë kujt t’ia shprehim dëshpërimin e kur duket sikur nuk kemi ngushëllim. Ato ditë është mirë të kujtohemi se ka në Bibël një Libër, në të cilin njeriu e ngre zërin pa frikë para Zotit e Hyji e pranon edhe zemërimin e tij të pashtrueshëm.

25 tetor 2018, 15:13