Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Bibla Bibla 

Ҫelësi i fjalëve të Kishës: Libri i Jobit

Emblematike rubrika e sotme, në ditëlindjen e kardinalit Ernest Simoni Troshani. Do të flasim për Librin e Jobit e pikërisht si Jobi vuajti vetë kardinali dhe i gjithë populli shqiptar, nën komunizmin e pafe, duke pritur një sinjal nga Zoti. Jobi, ashtu si martirët e komunizmit për brezat e rinj, përfaqëson njeriun në ankth, me mjerimin, por edhe me madhështinë e vet.

R.SH. - Vatikan

Nga 73 librat e Biblës, ai që i kushtohet Jobit është konsideruar, me të drejtë, kryevepra letrare e rrymës sapienciale. Zemra poetike e librit paraprihet nga një dialog në prozë. Jobi, njeri i pasur dhe i lumtur, Zloti e shndërron në një mjeran pa fëmijë e pa pasuri e, së fundi, e sëmur. Ai i mbetet besnik, por pasi ka luftuar ashpër me Të.

Sfida ndërmjet Zotit e Djallit

Në prolog lexojmë diçka, që na turbullon: dialogun ndërmjet Zotit e Djallit dhe sfidën ndërmjet tyre, që ka të bëjë me devocionin e njeriut. Pse njeriu i qëndron besnik Zotit? Duket sikur është kjo pyetja “satanike” nga e cila niset Libri. Nëse Zoti ia heq të gjitha favoret, a do t’i qëndrojë njeriu besnik? Djalli është i bindur se jo, ndërsa Zoti ka besim tek njeriu. Miqtë e Jobit, Elifazi, Bildadi e Zofari, që me çdo mënyrë përpiqen ta ngushëllojnë e pastaj ta qortojnë, nuk e kuptojnë aspak këtë sfidë. Fillimisht, Jobi i pranon fatkeqësitë me përvujtëri:

“Lakuriq dola nga kraharori i nënës e lakuriq do të kthehem atje. Zoti i ka dhënë e Zoti i ka marrë; si ka dashur Zoti, ashtu u bë: qoftë bekuar Emri i Zotit!(Job 1,21)

“Jo”-ja e Jobit për Zotin

Deri këtu, Jobi nuk i ka thënë akoma “jo” Zotit, pavarësisht se e lajmërojnë se i vdiqën fëmijët. Por, gjatë Librit, vjen edhe ky çast, kur Jobi i konsideron të padrejta të gjitha mënxyrat, që i ndodhin, të cilat mendon se nuk i ka merituar aspak e kështu, marrëdhëniet me Hyjin, që dikur ishin të qeta, bëhen dramatike. Jobi pyet veten dhe Zotin pse po i shkakton kaq dhimbje dhe zemërohet nga heshtja e Hyjit. Pikërisht mungesa e Zotit është tema, që përshkon krejt Librin. Temë, që i krijon akthe si njeriut, që beson, ashtu edhe atij, që nuk beson: para së keqes, ku është Zoti?

Jobi nuk kënaqet me formula të gatshme. Pretendon shumë më tepër e fillon ta mbysë Zotin me pyetje, të cilat i shkandullojnë miqtë e tij:

Heshtni pak! Dua të flas vetë,

të dalë ku të dalë, është punë për mua!

 

Atëherë më pyet e do të të përgjigjem,

o po të pyes e ti më përgjigj!

 

Përse faqen kështu ma fsheh?

Dhe më merr për armik tëndin! (Job 13, 13.22.24)

Libri i Jobit është protestë kundër stereotipeve

         E vjen çasti, që Jobi thotë “Jo”! “Jo” zemërimit hynor, që sipas tij, e torturon; “jo” padrejtësisë njerëzore, që vërvitet mbi të pafajshmin pa menduar aspak për pasojat; “jo” shpjegimeve të thjeshtuara fetare; “jo” lidhjes së lehtë mëkat-vuajtje; “jo” së keqes pa shpjegim; “jo” mungesës së Zotit në dramat e njeriut; “jo” Zotit të largët, që nuk hyn në dialog me bijtë e vet. Kjo “JO” është refuzimi i një ideje të caktuar për Zotin e të një feje të caktuar, që nuk shtron pyetje e nuk kërkon përgjigje, prandaj, në fund të fundit, qendrore në protestën e Jobit është kërkimi i fytyrës së Hyjit.

         Libri i Jobit është protestë kundër stereotipeve, kundër një kulture fetare, që nuk e favorizon mendimin e nuk të fton të reflektosh, kundër teorive të vjetra, që përmbajnë nocione të përafërta me të vërtetat e fesë. Jobi i kërkon Zotit t’i shkundë teologët, që mendojnë se dinë gjithçka. Për shembull, vë në diskutim doktrinën e shpërblimit: nuk është e vërtetë që Zoti shpërblen të drejtët e dënon të këqinjtë. Jeta e vetë Jobit tregon se punët janë ndryshe e ai mundohet të dialogojë me Hyjin:

I patëmetë sikur unë të isha,

shpirti im këtë s’do ta dija,

gjithnjë jetën do të përbuzja!

Gjithnjë unë këndej pohoj:

e të pafajshmin edhe të mbrapshtin

Ai i zhduk...(Job 9, 21-22)

         Jobi nuk ka frikë t’ia veshë Zotit përgjegjësinë për disa fakte skandaloze: “Nëse s’është Ai, kush është?” Libri i Jobit mund të krahasohet vërtet me “Prometeun” e Eskilit, me “Komedinë Hyjnore” të Dantes e me “Faustin” e Gëtes, siç thonë shumë studiues? Këtë aspekt do ta shohim në emisionin e ardhshëm.

18 tetor 2018, 17:40