Caritasi dioqezan i Sapës organizon takimin me Personat me Aftësi Ndryshe
R.SH. - Vatikan
Dioqeza e Sapës, përmes Caritasit dioqezan, organizoi pranë famullisë së “Zojës Rruzare” në Dajç të Zadrimës, takimin për rreth 170 Personat me Aftësi Ndryshe nga të gjitha famullitë e dioqezës. Gjatë takimit u lutë Rruzarja e Shenjtë, në përgjigje edhe të Papa Françeskut, për të lutur uratën e Rruzares për Kishën gjatë tetorit, u kremtua Mesha e Shenjtë, udhëhequr nga ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, dhe u vijua me drekën vëllazërore, shoqëruar me muzikë nga artistët e zonës, që ofruan kontributin e tyre falas për Personat me Aftësi Ndryshe. Më hollësisht nga Vau-Dejës, të ndjekim shërbimin e Violeta Marashit......
TAKIMI PE PERSONAT ME AFTËSI NDRYSHE
Famullia “Zoja Rruzare” në Dajç të Zadrimës, ka qenë vendi mikpritës i takimit të radhës me Personat me Aftësi Ndryshe, organizuar nga Caritas Dioqezan Sapa. Kjo shtresë tashmë janë pjesë aktive e jetës dioqezane, ku tregohet një vëmendje maksimale për kujdesin dhe mbështetjen për t’u integruar më lehtësisht në përditshmërinë e jetës së tyre, jo vetëm personale por edhe atë shoqërore dhe komunitare.
Takimi filloi me Rruzaren e Shenjtë në përgjigje edhe të Papa Franceskut, i cili na fton të gjithëvë që të lutemi me Rruzaren gjatë këtij muaji, dhe këto lutje i kushtohen kishës në mbarë botën. Menjëherë pas Rruzares, u kremtua Mesha e Shenjtë, qendra e bashkimit të çdo të krishteri, udhëhequr nga bariu i grigjës së Sapës, Imzot Simon Kulli, i cili në fjalën e tij të rastit falenderoi Zotin për dhuratën e jetës së këtyre personave, ku nëpërmjet institucionit bamirës të Caritasit dhe falë punës së vullnetarëve dhe bashkëpunimit të të gjithë atyre që ndihmojnë dhe japin kontributin e tyre në ecjen vëllazërore, mundësohet kjo iniciativë në përkujdesjen e Personave me Aftësi Ndryshe.
Pas Meshës, takimi vijoi edhe me drekën vëllazërore në një klimë mjaft festive, shoqëruar dhe me muzikë live, ku artista të zonës, japin kontributin e tyre falas në gëzimin e zemrave të Personave me Aftësi Ndryshe, duke krijuar kështu një kreativitet sa më social ashtu edhe kulturor.
Dreka u organizua nga Caritas Sapa, po vlen të përmendet mikpritja e famullitarit të kësaj famullie, dom Angjelin Krygja, i cili në bashkëpunim me motrat dhe të rinjtë e famullisë i dhanë ngjyra harmonie në çdo pikëpamje këtij takimi.
Ishin të pranishëm rreth 170 persona nga të gjitha famullitë e dioqezës, të cilët u shoqëruan nga famullitarët dhe motrat përgjegjës, si dhe familjarët e tyre. E kjo mënyrë bashkëpunimit tregon një zhvillim të shoqërisë shqiptare, duke i përfshirë Personat me Aftësi Ndryshe në sferat e jetës sociale, për t’iu bërë të mundur integrimin dhe mosdiskriminimin në shoqërinë apo vendin ku jetojnë