Murgjërit trapistë të Tibhirines, në Algjeri Murgjërit trapistë të Tibhirines, në Algjeri 

Algjeria përgatitet për lumnimin e 19 martirëve të krishterë

Riti i 8 dhjetorit në trojet algjeriane, kremtohet për të përkujtuar ata, që deshën të mbeten përkrah vendasve, duke e paguar me jetë, në vitet e terrorizmit islamik, ndërmjet vitit 1994 e 1996. Ipeshkvi i Oran, imzot Jean-Paul Vesco e quan këtë: ngjarje e padëgjuar dhe shenjë e vëllazërisë.

R. SH. - Vatikan

Për imzot Pierre Claverie: “Kremtimi i lumnimit të shtatë murgjërve të Tibhirines dhe njëmbëdhjetë rregulltareve e rregulltarëve në Oran,  është ngjarje absolutisht e padëgjuar, e jo vetëm në Algjeri, por në gjithë historinë e Kishës katolike”. Prandaj shpresohet se do të lërë pas një shenjë vëllazërie në Oran e në mbarë botën”. Kështu shprehet imzot Jean-Paul Vesco, intervistuar nga  gazeta El Watan. Prelati shpjegon se zgjedhja e dioqezës së tij  si vend ku, më 8 dhjetor, në bazilikën e Zojës së Shëna Krygjës, do të zhvillohet ceremonia e kryesuar nga prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Becciu, është kuptimplote, edhe sepse  ndërmjet 19 martirëve  është edhe imzot Claverie, që ishte pikërisht ipeshkvi i Oranit,

Të lumët e ardhshëm ndenjën pranë popullit algjerian, duke e paguar me jetë

Por është edhe një  arsye tjetër. Imzot Claverie u vra natën e 1 gushtit 1996 nga një bombë, që shpërtheu para ipeshkvnisë: “gjaku i tij u përzje me atë të djaloshit mysliman Mohamed Bouchikhi, shoferi i tij. Kjo shenjë, për ipeshkvin, është plot me domethënie e, prej këndej, lumnimet do të kremtohen në Oran. Ipeshkvijtë e Algjerisë uronin pikërisht që të mund ta jetonin lumnimin në vend, edhe që të kujtohej dëshira e këtyre 19 anëtarëve të Kishës për të qëndruar në Algjeri, pranë popullit algjerian - të cilin e donin, e i donte - pa kursyer as jetën për të!

 

31 tetor 2018, 13:17