Algjeria përgatitet për lumnimin e 19 martirëve të krishterë
R. SH. - Vatikan
Për imzot Pierre Claverie: “Kremtimi i lumnimit të shtatë murgjërve të Tibhirines dhe njëmbëdhjetë rregulltareve e rregulltarëve në Oran, është ngjarje absolutisht e padëgjuar, e jo vetëm në Algjeri, por në gjithë historinë e Kishës katolike”. Prandaj shpresohet se do të lërë pas një shenjë vëllazërie në Oran e në mbarë botën”. Kështu shprehet imzot Jean-Paul Vesco, intervistuar nga gazeta El Watan. Prelati shpjegon se zgjedhja e dioqezës së tij si vend ku, më 8 dhjetor, në bazilikën e Zojës së Shëna Krygjës, do të zhvillohet ceremonia e kryesuar nga prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Becciu, është kuptimplote, edhe sepse ndërmjet 19 martirëve është edhe imzot Claverie, që ishte pikërisht ipeshkvi i Oranit,
Të lumët e ardhshëm ndenjën pranë popullit algjerian, duke e paguar me jetë
Por është edhe një arsye tjetër. Imzot Claverie u vra natën e 1 gushtit 1996 nga një bombë, që shpërtheu para ipeshkvnisë: “gjaku i tij u përzje me atë të djaloshit mysliman Mohamed Bouchikhi, shoferi i tij. Kjo shenjë, për ipeshkvin, është plot me domethënie e, prej këndej, lumnimet do të kremtohen në Oran. Ipeshkvijtë e Algjerisë uronin pikërisht që të mund ta jetonin lumnimin në vend, edhe që të kujtohej dëshira e këtyre 19 anëtarëve të Kishës për të qëndruar në Algjeri, pranë popullit algjerian - të cilin e donin, e i donte - pa kursyer as jetën për të!