19 tetor, lumnimi i Nënë Terezës. Fraza të shenjtes, që prekin zemrën
R.SH. - Vatikan
Shqiptarët kudo ndodhen përkujtojnë sot 15-vjetorin e lumnimit të Nënë Terezës, shenjtes shqiptare të bamirësisë. Themeluesen e motrave me sari bardh e blu, që shihen në çdo qoshe ku ka mjeranë, e shpalli shenjtore Papa Françesku më 4 shtator 2016. E sot i përkujtojmë hapin e parë drejt njohjes së shenjtërisë së saj nga ana e Kishës, lumnimin. Po e bëjmë, duke kujtuar disa prej vlerave për të cilat luftoi në jetë, duke dëshmuar dashurinë e saj të madhe për njerëzit e duke tërhequr vëmendjen e gjithë botës në favor të të varfërve, të të sëmurëve e të të pambrojturve, përmes sakrificave e punës së saj të palodhur.
Shumë i afroheshin murgeshës së vogël shqiptare për ta pyetur: “Si ia bën?”, “Nga e merr forcën?”, “Ҫfarë përfiton nga gjithçka bën?” Mijëra pyetje, të cilave iu përgjigj me përvujtëri e urti, të dyja, dhurata të jashtëzakonshme të Shpirtit Shenjt, duke i ftuar gjithnjë njerëzit ta shoqëronin e ta shihnin me sytë e tyre punën e saj.
Nga këto përgjigje e nga letrat e Nënë Terezës mund të nxirren fraza të mrekullueshme, që me siguri, prekin zemrat. Ja disa prej tyre, kushtuar familjes dhe fëmijëve:
Dashuria fillon në shtëpi: më parë vjen familja, pastaj vendi apo qyteti yt.
Ҫ’mund të bësh për paqen në botë? Shko në shtëpi e duaje familjen tënde?
Fëmijët janë si balonat: i mëson të fluturojnë, por nuk fluturojnë si do ti. I mëson të ëndërrojnë, por nuk ndjekin ëndrrat e tua. I mëson të jetojnë, por nuk bëjnë jetën tënde. E megjithatë, në çdo fluturim, në çdo ëndërr e në çdo jetë do të mbetet përgjithmonë vula e mësimit, që u ke dhënë.
Përpiquni të dikoni në zemrat e fëmijëve dashurinë për shtëpinë. Gjejeni mënyrën që ata të dëshirojnë me zjarr të rrinë me familjen. Shumë mëkate do të shmangeshin nëse njerëzit do ta donin me të vërtetë shtëpinë e tyre.
Dashuria e vërtetë duhet të dhembë gjithmonë. Duhet të jetë e dhimbshme ta duash dikë, e dhimbshme ta lësh dikë. Ndoshta, do të të duhet të vdesësh për të. Kur martohemi, heqim dorë nga çdo gjë për ta dashur njëri-tjetrin. Nëna i jep jetën të birit e vuan shumë. Vetëm atëherë – [kur e ndiejmë dhimbjen] – duhemi sinqerisht. Fjala dashuri interpretohet kaq keq e njerëzit abuzojnë me të.
Mos prit të mbarosh universitetin, të dashurohesh, të gjesh punë, të martohesh, të bësh fëmijë e t’i sistemosh, të biesh me dhjetë kile… [mos prit] të arrijë e premtja mbrëma, ose e diela paradite, pranvera, vera, vjeshta, ose dimri… nuk ka çast më të mirë se aktuali për të qenë i lumtur. Dhuroja veten krejtësisht Zotit. Përmes teje, Ai do të bëjë gjëra të mëdha, me kusht që ti të besosh më shumë në dashurinë e Tij se sa në brishtësinë tënde.
Dhurata më e bukur? Falja. Ajo e domosdoshmja? Familja.
Cila është humbja më e madhe? Shkurajimi! Kush janë mësuesit më të mirë? Fëmijët!
Prindërit duhet të jenë të besueshëm, jo të përsosur. Fëmijët duhet të jenë të lumtur, jo të na bëjnë ne të lumtur.