Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Shpella e Betlehemit Shpella e Betlehemit 

“100 Shpella Betlehemi” në Vatikan: rast për Ungjillëzimin

Ekspozita tradicionale ndërkombëtare e “100 Shpellave të Betlehemit”, do të zhvendoset në Vatikan e do të organizohet nga Këshilli Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri.

R. SH. - Vatikan

 “100 Shpella Betlehemi”, është ekspozitë veprash arti, që nisi të organizohej në vitin 1976, për të mbajtur gjallë një traditë tipikisht italiane,   në rrezik të zhdukej e për ta nxitur të organizohej edhe jashtë Italisë. Titulli “100 Shpella Betlehemi” të kujton numrin e Shpellave që ekspozoheshin, e vijojnë të ekspozohen, që në fillim të kësaj tradite. Sot vizitorët kanë mundësi të admirojnë një mori variantesh e të thellojë njohjen e tyre në lëmin e  artit të Shpellave të Betlehemit si dhe të  cilësive të tyre stilistike.

“100 shpellat e Betlehemit”, në Vatikan

Manifestimi mbahej çdo vit në Romë, në Sallat sugjestive të Bramantes, pranë Bazilikës së Shën Marisë të Popullit, por që sivjet, pasi ka arritur në  edicionin e 43-të, do të zhvendoset. Kjo, edhe për arsye se kohët e fundit organizimi ndeshi shumë pengesa. Atëhere Këshilli Papnor për Ungjillëzimin e  Ri, vendosi  ta organizojë në Vatikan. Prej këndej, do të quhet: “100 Shpella Betlehemi në Vatikan” e do të qëndrojë hapur në periudhën e Krishtlindjes, nga 17 dhjetori 2018 deri më 13 janar 2019 pranë Sallës Shën Piu X, në Via della Conciliazione (Udha e Pajtimit).

Shpella e Betlehemit, si mjet ungjillëzimi

Shpella e Betlehemit - thekson imzot Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e Ungjillëzimit të Ri - pëveçse traditë shumë e bukur kulturore, është edhe mjet i fuqishëm ungjillëzimi. Të shumtë janë njerëzit që, çdo Krishtlindje, ndalohen para misterit të Zotit të mishëruar, që paraqitet nga këto kryevepra arti, për t’u lutur e për të zbuluar dashurinë e Hyut, që bëhet foshnjë për ne.

Larmia e madhe e Shpellave të Betlehemit

Në ekspozitë, Shpellat e Betlehemit përtërihen çdo vit, sepse çdo vit vijnë të reja, nga të gjitha rajonet e Italisë dhe nga 25 vende të tjera të botës: janë vepra artistësh, artizanësh italianë e të huaj, koleksionistësh, amatorësh, studentësh, nxënësish, që nga shkolla fillore, tek ajo e mesme, përfaqësuesish të shoqatave kulturore të angazhuar në veprimtari shoqërore, muzesh kombëtare e të huaja. Shpellat ndërtohen me një mori materialesh, që nga koralet - tek argjendi, porcelani, qelqi, bronzi, qeramika, balta, druri, tapat, kopsat, dritat e makinave të autove e lapsat; janë të lëvizshme e të palëvizshme, me përmasat më të vogla, deri tek përmasat e njeriut.

Zanafilla e Shpellës Betlehemit

Shpella e Betlehemit, për të krishterët, është rikujtim artistik e simbolik i ngjarjes më të madhe të historisë njerëzore: lindjes, në Betlehem, të Jezusit, Shëlbuesit të botës e Zotit, që u bë njeri, për të banuar ndër ne.

Përfaqëson edhe një traditë të rrënjosur thellësisht në kulturën popullore italiane. U realizua për herë të parë në Greccio, pranë Rietit, nga Shën Françesku, si Shpellë  Betlehemi me figura të gjalla. Për të vijuar deri tek ne e tutje, sepse, sipas shumëkujt, pa Shpellë Betlehemi nuk mund të ketë Krishtlindje!

15 tetor 2018, 13:49