Kapitulli i përgjithshëm i kapuçinëve Kapitulli i përgjithshëm i kapuçinëve 

Zgjidhet Eprori i përgjithshëm i Fretërve të Vegjël Kapuçinë

U zgjodh Eprori i Përgjithshëm i Fretërve të Vegjël Kapuçinë: është fra Roberto Genuin da Falcade.

R. SH. - Vatikan

Eprori i Përgjithshëm i Fretërve të Vegjël Kapuçinë është fra Roberto Genuin da Falcade. U zgjodh që në votimin e parë me 101 vota, nga 188 fretërit, që marrin pjesë në kapitull, ardhur nga mbarë bota. Përfaqësojnë  më se dhjetë mijë rregulltarë, të përhapur në të pesë kontinentet. Ndërmjet tyre, edhe kapuçinët, që shërbejnë në Shqipëri, por që nuk kanë ende provincën e tyre të pavarur.

Fra Robert, që rihap serinë e etërve të përgjithshëm kapuçinë italianë,  ka një jetëshkrim për t’u respektuar. I lauruar në Universitetin Papnor Lateranens Summa cum laude (me rezultate të shkëlqyera), ka qenë disa herë epror lokal, mësues e, për nëntë vjet, Epror i përgjithshëm i Trivenetos. Aktualisht ishte epror i kuvendit të Roveretos (Tn). Pasi mori pjesë dy herë në Kapitujt e përgjithshëm, për gjashtë vjetët e ardhshme do  t’i prijë Urdhërit, prania e të cilit ndjehet fort, edhe në Shqipëri, kryesisht në atë veriore, duke nisur nga Lagjja Liria, në breg të Bunës, ku kapuçinët kanë hapur një shkollë për romët, që banojnë rreth kuvendit të tyre. Janë të pranishëm edhe në shumë fshatra të tjera, si për shembull, në Nenshatë e në Hajmel. Oratoret e tyre ndiqen posaçërisht nga të rinjtë, që organizojnë një mori veprimtarish interesante. Një pjesë e mirë e fretërve janë të huaj, kryesisht italianë, të varur nga provinca e Pulies, por kanë edhe thirrjet e tyre ndërmjet të rinjve shqiptarë, disa prej të cilëve tashmë kanë veshur zhgunin françeskan me kapuçin karakteristik, që i dallon nga dy degët e tjera kryesore të bijve të Shën Françeskut: fretërit e vegjël dhe ata konventualë. Shumë shpesh dalin jashtë mureve të kuvendeve të tyre, për të zhvilluar veprimtari nga më të ndryshmet, në zonat malore të veriut, si Razma, për shembull.

03 shtator 2018, 13:40