Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 Katedralja e Poznan, Poloni Katedralja e Poznan, Poloni 

Takim i nivelit të lartë i Kishës Katolike të Evropës, në Poznań

Kryetarët e Konferencave Ipeshkvnore të vendeve evropiane do të takohen në Poznań (Poloni).

R. SH. - Vatikan

Kryetarët e Konferencave Ipeshkvnore të vendeve evropiane do të takohen në asamblenë e tyre plenare, që do të mblidhet në Poznań (Poloni), më 13 deri më 16 shtator 2018. Në emër të Konferencës Ipeshkvnore Polake, takimin e këtij viti do ta mikpresë kryeipeshkvi Stanisław Gądecki, kryetar  i Konferencës Ipeshkvnore të Polonisë, metropolit i Poznań dhe zëvendës-president  i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE).

Solidariteti dhe vullnetariati do të jenë temat kryesore të takimit. Do të rikujtohet edhe historia e Polonisë, kur lëvizja Solidarność luajti rol të dorës së parë për shembjen e komunizmit në mbarë Evropën - pohon kryeipeshkvi Gądecki. Pjesëmarrësit në Asamble do të diskutojnë sidomos për vullnetariatin e të rinjve e të të rriturve, parë si angazhim ungjillor për jetën e Kishës e të shoqërisë, që bashkon Evropën. Rrethana, që më shtyu ta mikpres këtë takim, ishte historia  e Kishës dhe e Atdheut tonë. Sivjet kremtojmë 1050-vjetorin e dioqezës së parë në Poloni. Pikërisht dioqeza e Poznań. E njëkohësisht kremtojmë edhe 100-vjetorin e rifitimit të pavarësisë së Polonisë. Prandaj kjo ngjarje e pashembullt, takimi i ipeshkvijve të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës në Poznań, do të jetë diçka e jashtëzakonshme, që do ta nënvizojë edhe më shumë këtë kremtim të dyfishtë - pohoi kryeipeshkvi Gądecki.

Në asamble do të marrin pjesë kardinali Angelo Bagnasco, metropolit i Gjenovës dhe kryetar i CCEE; kardinali Vincent Nichols, kryeipeshkëv i Westminster dhe zëvendës-kryetar i CCEE, si dhe kryetarët e Konferencave Ipeshkvnore të vendeve evropiane. Të pranishëm, edhe kardinali Marc Ouellet, prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë si dhe kryeipeshkvi Salvatore Pennacchio, Nunc Apostolik në Poloni.

Kujtojmë se Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (Consilium Conferentiarum Episcoporum Europae) u themelua më 1971. Konferencat e veçanta ipeshkvnore do të përfaqësohen nga presidentët e tyre. Detyra e Këshillit është të koordinojë bashkëpunimin e Kishave vendase të Evropës.

 

04 shtator 2018, 14:18