Kërko

2018-02-06 cattolici santi Chiesa 2018-02-06 cattolici santi Chiesa 

Shenjtorët e Javës 23 - 30 shtator

Shenjtorёt i fton besimtarët të luten që çdo i krishterë të ketë miqësi të thellë me Jezusin, për t’ua përcjellë dashurinë e tij të tjerëve.

R.SH. - Vatikan

E diel 23 shtator, Kisha katolike kremton të dielën e 25-të gjatë vitit liturgjik. Gjithnjë më 23 shtator kalendari kujton edhe shën Piut nga Pietralçina, meshtar kapuçin e shën Linit, papë. Kjo ditë na përkujton se edhe sot, si në kohët e largëta, ftohemi të hapim mendjen e zemrën, për t’i bërë vend Fjalës që shëlbon.

Të hënën më 24 shtator, kalendari Kishtar përkujton Lumen Mari Virgjër nga Merçede. Përmes liturgjisë së kësaj dite Jezusi na kërkon t’i pastrojmë zemrat, për të zhdukur prej tyre çdo gjë që na pengon në ecjen drejt Tij. Duke u çliruar nga barrët e panevojshme, mund t’i lartojmë më lehtësisht sytë drejt qiellit e ta ndjejmë veten shumë më të lirë.

Të martën më 25 shtator, bie përkujtimi i shën Firminit, ipeshkëv i Amiensit e martir. Liturgjia e kësaj dite na kujton se njeriu nuk mund të shikojë në errësirë, se kërkon dritë e, prej këndej, se i krishteri, me shembullin e jetës së tij, është i thirrur të jetë dritë në errësirën e botës, që të gjithë të mund ta shikojnë Jezu Krishtin.

Të mërkurën më 26 shtator, kalendari përkujton shenjtorët Kozmain e Damjani, martirë dhe shën Nilin, abat, themelues i manastirit të Grottaferratës, afër Romës. Këtu e në manastire tjera të Etërve Bazilianë jetojnë e veprojnë murgjit e shën Bazilit, të ritit bizantin. Ndër këta murgjër të shën Bazilit, ka edhe shumë arbëreshë. Liturgjia e kësaj dite na kujton se Zoti e do popullin e vet, se i prin drejt së vërtetës, drejt jetës së Amshuar. Zoti zgjedh në histori figura të veçanta për t’i dhënë popullit të vet mesazhe të fuqishme. 

Të enjten më 27 shtator, kalendari kishtar kujton shën Vincenc de' Paolin, meshtar, themelues i Kongregatës së Misioneve e të Bijave të Dashurisë, pajtor qiellor i të gjitha Shoqatave të Bamirësisë. Liturgjia e ditës na kujtojnë se gjithçka kemi, mund të bëhet mjet shëlbimi ose pengesë në rrugën tonë drejt mbretërisë qiellore e se dashuria jonë për Zotin duket në gjërat e vogla, të përditshme.

Të premten më 28 shtator , kalendari kishtar kujton shën Vinceslaun e Bohemisë, martir, shën Lorenc Ruizin me Shokë, martirë. Liturgjia e ditës na kujton se ndjekja e Zotit përjashton çdo kompromis. Në se pranon ta ndjekësh Krishtin, duhet të heqësh dorë nga gjithçka tjetër. E atëherë do të vërejmë me gëzim se që në këtë jetë realiteti ynë nis të ndryshojë e zemra nis të na rrahë me ritmin e Zemrës së Zotit.

Të shtunën e ardhshme, më 29 shtator Kisha na fton të bashkojmë zërat tanë në korin e Engjëjve në festën e Kryeengjëjve Mikelit, që do të thotë ‘Kush është si Zoti’; Gabrielit që do të thotë ‘forca e Hyjit’ e Rafaelit që do të thotë‘ilaçi i Zotit’. Këta kryeengjëj na tregojnë se Hyji nuk na lë kurrë vetëm. Kryeengjëjt, gjithnjë në prani të Zotit e gjithnjë gati për të shërbyer, janë provë e ndihmës që Hyji ia ofron gjithnjë njeriut. 

Të dielën e ardhshme më 30 shtator, Kisha do të kremtojë të dielën e 26-të gjatë vitit liturgjik, e gjithnjë më 30 shtator kalendari përkujton shën Jeronimin, meshtar e doktor i Kishës, që i lutej Zotit t’i jepte diturinë e vërtetë për të kuptuar si duhet Fjalën Hyjnore. Gjithnjë të dielën më 30 shtator kalendari kishtar kujton edhe shën Françesk Borgjia, jezuit.

23 shtator 2018, 10:05