Versioni Beta

Cerca

Vatican News
2018.08.29 Mother Teresa with differently abled persons 2018.08.29 Mother Teresa with differently abled persons 

Shën Nënë Tereza: ‘Vepra ime është Vepra e Zotit’

Nënë Tereza në Kalkutë zbulon dramën e heshtur të të varfërve, të moshuarve, të fëmijëve, që të braktisur vdisnin në rrugët e indiferencës. Dëgjon zërin e Krishtit që i thotë: “Lëre kuvendin e shko të ndihmosh të varfërit, jeto me ta, ndër ta e si ata”. Bindet: shkon të jetojë në mes të barrakave e plehrave dhe fillon të mbledhë më të dëshpëruarit e të dëshpëruarve, sidomos lebrozët. Aty ku të tjerët shihnin veç dhimbje e dështim, ajo sheh fytyrën e Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Po i afrohemi 5 shtatorit, ditës kur kalendari kishtar përkujton e kremton Shën Nënë Terezën, themeluesen e Misionareve të Dashurisë, bijën e motrën shqiptare, Nënë e Engjëllin e të varfërve. Po 5 shtatori është edhe data e kalimit të Ganxhe Bojaxhiun në amshim, në vitin 1997, në Kalkutë (sot Kolkatë), në moshën 87 vjeçare.

Jeta dhe dëshmia e kësaj dishepulle të vërtetë të Krishtit, së cilës më 5 shtator i kremtojmë në festën liturgjike, janë një ftesë për ne shqiptarët dhe për të gjithë Kishën për t’i shërbyer me besnikëri Zotit në më të varfërit e më nevojtarët. Dhe të vazhdojmë ta ndjekim shembullin e saj e të jemi gjithkund mjete të dashurisë hyjnore.

Nënë Tereza ndodhej në Indi si drejtoreshë e një shkolle të një kongregate fetare. Në Kalkutë zbulon dramën e heshtur të të varfërve, të moshuarve, të grave e të fëmijëve, që të braktisur nga kjo botë, vdisnin në rrugët e indiferencës. Dëgjon zërin e Jezu Krishtit që i thotë: “Lëre kuvendin e shko të ndihmosh të varfërit, jeto me ta, ndër ta e si ata”. Bindet: shkon të jetojë në mes të barrakave e plehrave dhe fillon të mbledhë më të dëshpëruarit e të dëshpëruarve, sidomos lebrozët. Aty ku të tjerët shihnin veç dhimbje e dështim, ajo sheh fytyrën e Krishtit.

Fillesa e një vepre të vështirë kërkon impenjim të madh e frymëzim të madh. E aq më shumë vijimi i kësaj vepre, organizimi i saj. Kështu thuhet në librin ‘Jeta ime’, në të cilin Nëna e bamirësisë na tregon se vepra e saj është ‘Vepra e Zotit’.

“Një ditë një nëpunës i lartë i qeverisë indiane më tha: “Si ne, ashtu edhe ju zhvillojmë të njëjtën veprimtari shoqërore. Por ndryshimi ndërmjet jush e nesh është shumë i madh: ju punoni për dikë, ne për diçka”.
Ai e dinte se ‘dikushi’ ynë është Jezusi. Një Jezus i fshehtë, i cili zbulohet nën dukjen e dhimbshme të atyre që vuajnë në rrugë e në lagjet e jashtme të qyteteve tona.
Nga që kongregata është ende tepër e re, eproret tona nuk e kanë fituar akoma përvojën e duhur.
Prandaj u them motrave:
“Duhet të jeni të mira me to e t’i kuptoni. Në to duhet të shikoni dorën e Zotit të mirë, që përpiqet të shkruajë një mesazh të bukur dashurie për secilën nga ju, duke përdorur një laps të thjeshtë, ndoshta edhe me majë të thyer. Prandaj duhet të nisemi nga Zoti, për ta kuptuar atë që shkruan lapsi”.
Në zgjedhjen e veprave të apostullimit të Misionareve të bamirësisë nuk ka planifikim, as ide të paracaktuara.
Punën tonë e nisim në përkim me nevojat dhe mundësitë që na paraqiten.
Zoti mori mbi vete detyrën të na tregojë ç’dëshron nga ne orë për orë.
Giithçka ishte vepra e Hyjit.
Asgjë s’ishte vepra ime.

03 shtator 2018, 13:17