Nëna jonë Terezë: Shenjte në shërbim të të fundmëve

Nënë Tereza…mjafton t’i kujtosh emrin, për ta përfytyruar menjëherë të përkulur mbi trupat e njerëzve, të flakur, në fill të mortjes, në skajet e skutat e rrugëve të Planetit. Për botën, bij të mjerimit; për Nënën, bij të Zotit. Për botën, njerëz, pa kurrfarë dinjiteti! Për Nënë Terezën, përplot me dinjitetin e dhuruar nga vetë Zoti.  Misioni i saj në periferitë e qyteteve të mëdha e të vogla e në periferitë ekzistenciale, mbetet përgjithnjë dëshmi e gjallë e pranisë së Zotit ndërmjet të varfërve. “Mendoj se ndoshta do ta kemi vështirë ta quajmë Shën Tereza. Shenjtëria e saj është aq pranë nesh, aq e ëmbël dhe e frytshme, sa dashur pa dashur do të vijojmë ta quajmë ‘Nënë Tereza’”. Me këto fjalë Papa Françesku e kujtonte  Nënë Terezën, me rastin e shenjtërimit, më 4 shtator 2016.

Kush ishte Tereza e Kalkutës?

I thonë e Kalkutës. Po është edhe krenaria jonë! E Shqipërisë. E shqiptarëve! Ikonë feje për ne e për gjithë botën! E pohoi vetë, gjithnjë, me plot gojën “me gjak jam shqiptare!”. E shqiptarja 18 vjeçare, e shtyrë nga dëshira për t’u bërë misionare, hyri në insititutin e Motrave të Zojës Loretos, ku mori emrin motër Tereza, për nder të Shën Terezës së Krishti Fëmijë. As që i shkonte mendja asokohe se me të, Kisha do të kishte tri Shën Tereza të mëdha! U nis nga Shkupi - për në Irlandë e që aty, në Indi….

Misionaret e bamirësisë

Në vitin 1946, gjatë shtegtimit me tren, nëpër udhët e Indisë së largët, Nënë Tereza ndjeu “thirrjen në thirrje” që e nxiti të themelonte, katër vjet më pas, bashkësinë rregulltare të Misionareve të Bamirësisë, Kongregatë që do të njihej zyrtarisht nga kryedioqeza e Kalkutës.

Në botën e të varfërve

Në vitin 1948, motra imcake, gjithnjë me buzagazin e shndritshëm në fytyrë, veshi për herë të parë sarin bardh e blu e doli nga kuvendi, për të shkuar në periferitë e mjera të Kalkutës, pranë të varfërve më të varfër. Me Rruzare në dorë,  u nis ta kërkonte e t’i shërbente Krishtit në njerëzit më të padashur, më të pakujdesur, më të flakur”. Pas pak shembullin e saj e ndoqën disa nga nxënëset.    Njëra pas tjetrës… Derisa u bënë aq shumë sa “të pushtonin botën”.

Tërheq vëmendjen e botës

Pasi mori lejën nga Pali VI për ta shtrirë edhe përtej Indisë, veprimtarinë e Misionareve të Bamirësisë, popullariteti i motrës së vogël, me fe të fortë si shkëmbi, u përhap në të katër anët. Të gjithë shikonin sesi gruaja imcake, delikate, mbështjellë me sarin bardh e blu, po fitonte një nga një zemrat e gjithë njerëzve - e edhe zemrën e Botës! Besimtare e jo besimtare. E kjo bindje u thellua edhe më shumë, kur mediat nisën t’i kushtojnë vëmendje miqësisë së saj me Gjon Palin II.

Nobel për Paqen: Fjalim në mbrojtje të jetës

Admirimi për Nënë Terezën i kapërceu edhe kufijtë e fesë, aq sa shoqëria civile  ta vlerësonte me Çmimin Nobel për Paqen, më 1979: “Për sherbimin në mes të të varfërve më të varfër”. Me këtë rast, e vetëdijshme se nuk po i fliste sallës, por vetë botës, Motra e vogël, gjithnjë buzagaze, e përdori fjalimin si mjet për t’i drejtuar njerëzve mesazhin kundër abortit. E famshme fraza: “Nëse një nënë  arrin deri atje, sa të vrasë fëmijën e saj, e kush mund t’i ndalojë burrat t’ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?”. I madh, angazhimi i Nënë Terezës në favor të jetës, kundra abortit. Angazhim, që vijoi gjithë jetën. E nënvizoi edhe Gjon Pali II në homelinë me rastin e lumnimit: “Vijonte të thoshte - kujtoi Gjon Pali II -  ‘Po të dëgjoni se ndonjë grua nuk do ta mbajë fëmijën e mendon ta abortojë, bindeni të ma japë mua. Unë do ta dua, duke parë në të një shenjë të dashurisë së Zotit”.

Lumnimi

Nuk kishin kaluar mirë as dy vjet pas vdekjes kur, me që fama e shenjtërisë së saj mori dhenë, Gjon Pali II lejoi hapjen e Çështjes së Shenjtërimit. Kështu, më 19 tetor 2003, Nënë Tereza u shpall e Lume. Në homelinë e rastit, Gjon Pali II theksoi: “Madhështinë e saj e shikojmë në aftësinë për të dhënë pa marrë asgjë, për të dhuruar “deri në dhimbje”. Gjithë jeta e saj ishte “Ungjill i gjallë” .

Trashëgimi i Motrës imcake, ikonë e dashurisë së krishterë

E gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës dëshmojnë gëzimin, që buron nga dashuria dhe vlerën e gjërave të vogla, të bëra me dashuri. E flasin edhe për pasurinë e pamasë, që i la trashëgim vendit ku pati lindur, Shqipërisë dhe mbarë botës. La pas motrat e saj, Misionaret e bamirësisë, që e mbajnë gjithnjë gjallë emrin e Nënës në mbarë botën! Kudo kalojnë engjëjt me sarin bardh e blu, aty është edhe Ajo. Sot më e fortë se kurrë,  sepse ndërmjetësuese për të gjithë ne, nga qielli!

04 shtator 2018, 14:11