Vizita private e Papës në Shtëpinë e Motrave të Nënë Terezës në Tejgaon Vizita private e Papës në Shtëpinë e Motrave të Nënë Terezës në Tejgaon 

Motrat e Shën Terezës së Kalkutës, kujtojnë Nënën e të vegjëlve

Dje u kremtua festa e Shën Terezës së Kalkutës, vdekur 20 vjet më parë e shenjtëruar nga Papa Françesku më 4 shtator 2016. Motrat e Bamirësisë, që vijonë misionin ndërmjet të varfërve më të varfër, e kujtuan me shumë dashuri, në të katër anët e botës.

R. SH. - Vatikan

Dje u kremtua festa e Shën Terezës së Kalkutës, vdekur 20 vjet më parë e shenjtëruar nga Papa Françesku më 4 shtator 2016. Papa e kujtoi shenjtoren me një tweet. Ishte ftesë për të çuar kudo paqen, me buzëqeshje e me vepra bamirësie, si Nënë Tereza. E, sidomos lutje: “Shën Nënë Terezë, lutu për ne!”.

Mbrëmë ipeshkvi ndihmës i dioqezës së Romës, imzot Gianrico Ruzza, kremtoi Meshën në San Gregori al Celio, Kisha romake e motrave të bamirësisë.  Motra Cyrene, Provinciale e Misionareve të Bamirësisë për Italinë, e kujton Nënën themeluese, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

“E kujtuam me të varfërit tanë, duke ndarë bashkë me ta festën, duke kremtuar me ta e me vullnetarët e bashkëpunëtorët tanë.  E kujtuam si nëna e të vegjëlve, nëna e  dhembshurisë, e mëshirës. Nënë Tereza  thoshte gjithnjë: për Jezusin, me Jezusin, Jezusit, përmes Jezusit. Si në historinë e çdo thirrjeje, në historinë e shenjtorëve shikojmë se protagonist është gjithnjë Jezusi! Nënë Tereza nuk deshi kurrë të ishte protagoniste. Jezusi ishte i dashuri, Zoti, thesari më i çmuar, të cilin ajo ua çonte të gjithë atyre, që takonte. E ishte pikërisht Jezusi, të cilin e prekte posaçërisht në njerëzit e flakur në rrugë të madhe, në të munduarit e në të gjithë ata, që i njohu e i mirëpriti pa dallim feje as kombësie. Prej këndej, dëshmia e saj na fton ta jetojmë të njëjtën dashuri, që rrok çdo njeri, sidomos atë që vuan, të bëjmë tonat lumturitë e varfërisë në shpirt e të thjeshtësisë! Është Nëna e të vegjëlve, prandaj do të thosha se Nënë Tereza na rikujton fjalët e saj: “Duhet të bëhemi të vegjël, për të hyrë në zemrën e Zotit”.

Papa në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, në katekizëm solli si shembull, të krishterët e sëmurë, që ngushëllohen me një paqe, krejt të panjohur nga dëfrimtarët e hedonistët. Jeta bëhet e bukur, kur nis e mendon mirë për historinë tënde, kur e kupton se në këtë jetë gjithçka ishte hir. Stili i Nënë Terezës…

Po, mjafton një buzëqeshje, një shikim, një takim sysh, sepse sot, përfat të keq, jemi gjithnjë për ngut në jetën tonë, mezi ia hedhim sytë njëri-tjetrit… Po kur  shikohemi, atëherë vërejmë tek tjetri figurën e Zotit. Paqja nis me një buzëqeshje - thoshte Nënë Tereza: me gjëra të vogla, por të bëra me dashuri tejet të madhe!

Ju vijoni të jeni të pranishme edhe atje, ku është bërë e vëshirë  të qëndrosh?

Jemi të pranishme në Libi, e jemi akoma edhe në Siri. Nuk i lëmë të varfërit tanë… Nuk mund ta lëmë, sidomos, Jezusin, që është në më të varfërit. Ai na do atje! E ne atje jemi. Në Jemen, pavarësisht nga martirët në Aden; në Odeida e në Sana’a. Pavarësisht nga persekutimet, që sot janë kudo. Ne e kemi dhënë jetën tonë, ia kemi dhuruar të tërën Jezusit… Jemi të sigurta se Ai na mbron, na ngushëllon, ne e të varfërit tanë. Ky - trashëgimi që na la Nënë Tereza!

 

05 shtator 2018, 17:44