Kërko

Nxënës shkolle Nxënës shkolle 

Motër Teuta Buka: projekti i Kishës Katolike për mbrojtjen e fëmijëve

KKEKSH (Komisioni Kombëtar i Edukimit Katolik Shqiptar) ka filluar një projekt, që orientohet kah mbrojtja e të miturve, kundër abuzimeve seksuale dhe jo seksuale, kundër bullizmit, kundër abuzimeve shtëpiake, mungesës së sigurisë ushqimore dhe asaj strukturore në shkollë. Janë përfshirë të gjitha institucionet katolike shkollore në Shqipëri.

R.SH. - Vatikan

Mbrojtja e të miturve është aktualisht përparësi për Kishën Katolike. Më se një herë, Papa Françesku e ka theksuar këtë në fjalime të ndryshme dhe ka marrë e po merr masa për të zbatuar një sërë rregullash për t’i ruajtur fëmijët nga abuzimet e çdo lloji, në të gjitha ambientet kishtare. Një nga këto ambiente është edhe shkolla. Pikërisht në krijimin e një modeli të vetëm administrimi, që orientohet kah mbrojtja e të miturve, kundër abuzimeve seksuale dhe jo seksuale,  kundër bullizmit, kundër abuzimeve shtëpiake, mungesës së sigurisë ushqimore dhe asaj strukturore në shkollë, janë përfshirë edhe të gjitha institucionet katolike shkollore në Shqipëri. Projekti i sapofilluar varet nga KKEKSH (Komisioni Kombëtar i Edukimit Katolik Shqiptar), kryetar i të cilit është kryeipeshkvi metropolit i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra.

         Projekti 3-vjeçar ka një përgjegjës ndërkombëtar, që është avokati italian Emanuele Montemarano, kreu i organit mbikqyrës të Accredia (Entit Italian të Akreditimit), pra, të organizmit që kontrollon kontrollorët. Ai do të bashkëpunojë me një avokate shqiptare. Por, pse lindi ideja e këtij projekti dhe e zbatimit të tij në Shqipëri? Ҫfarë parashikon ai për 60 institucionet katolike shkollore në Shqipëri? Të dëgjojmë koordinatoren kombëtare të KKEKSH-it, motër Teuta Bukën, saleziane…

Dëgjo intervistën me motër Teuta Bukën dhe me av. Emanuele Montemarano...

Ia drejtuam mikrofonin edhe avokatit italian Emanuele Montemarano, për të na shpjeguar impenjimin e studios së tij në projekt?

         Studioja jonë ligjore, Montemarano, me seli në Romë dhe në Milano, merret me asistencën ligjore për shkollat katolike e për veprat e tjera të Kishës. Nga takimi në KKEKSH doli ideja e një projekti të përbashkët për vendosjen e një sërë procedurash e të një modeli organizativ të përbashkët për shkollat katolike shqiptare, orientuar kah mbrojtja e të miturve nga të gjitha rreziqet, si nga abuzimet seksuale, jo seksuale e nga bullizmi, ashtu edhe nga rreziqe të tjera, për të krijuar kështu, siguri me 360 gradë brenda strukturave. Meqë numri i shkollave është relativisht i vogël – flasim për 60 realitete – menduam të krijojmë një rrjet eksperimental, ku të mbledhim metodat, kriteret dhe dokumentet e përbashkëta, që mund të shërbejnë në të ardhmen edhe për vende të tjera për të uniformuar kriteret organizative, pasi problemet janë të njëjta. Ndërhyrja jonë është shumëdisiplinore, sepse problemi i abuzimeve ka të bëjë me përvoja të ndryshme profesionale, pra, jo vetëm me avokatët, të cilët do të merren me aspektet ligjore, por edhe me profesionistë të tjerë, që do të merren me aspektet e mësimdhënies, me ato psikologjike, mjekësore e informatike. Mendojmë se kjo udhë mund të plotësohet në 3 vjet. Pastaj, vetë KKEKSH-i do ta vazhdojë projektin nëpër shkolla.

         Dua të theksoj se modeli dokumentar, që kemi marrë si pikë referimi, është ai i miratuar në Itali kundër bullizmit e paraqitur më 17 shtator. Është hera e parë në botë që kemi një normë kundër bullizmit, të cilën do ta shtrijmë edhe për abuzimet e tjera. Norma është paraqitur në Itali, së bashku me Fidae-n, që është Federata e shkollave katolike.

Modeli i propozuar është i përshtatshëm edhe për realitete të tjera shkollore? Cilat janë hapat e mëtejshme?

         Më duket e rëndësishme të nënvizoj se kërkimi i këtyre mjeteve juridike të zbatueshme në shkollat e gjithë botës është përgjigje ndaj thirrjes së Papës Françesku për juristët katolikë në Kongresin e tetorit 2017, në Vatikan, mbi të drejtat e të miturve në epokën dixhitale. Rezultati është kapërcimi i ndryshimit ndërmjet legjislaturave dhe krijimi i një grupi normash e procedurash të përbashkëta për të gjitha shkollat katolike, kudo ndodhen. Ligjet ndryshojnë nga një vend në tjetrin, por misioni i shkollave katolike dhe problemet e të rinjve janë të njëjta. Ky është modeli i parë në këtë drejtim e, me siguri, nuk do të jetë i fundit.

(Intervista është marrë me ndihmën bujare të Elidon Dodajt)

30 shtator 2018, 09:00