Kërko

Fushata zgjedhore në Bosnjë-Hercegovinë Fushata zgjedhore në Bosnjë-Hercegovinë 

Mesazh i ipeshkvijve të Bosnjë-Hercegovinës për zgjedhjet e 7 tetorit

“Mos u gënjeni nga premtime bosh e nga dukja e atyre kandidatëve politikë, të cilët, e dini se nuk kanë dëshmuar ndonjë integritet moral e politik me vepra dhe nuk i mbajnë premtimet!” Kjo është thirrja e re e Konferencës Ipeshkvnore të Bosnjë-Hercegovinës, në prag të zgjedhjeve të ardhshme politike, më 7 tetor. Njoftimin e jep agjencia katolike e lajmeve Sir.

R.SH. - Vatikan

Në dokumentin e nënshkruar nga ipeshkvi i Banja Lukës, imzot Franjo Komarica, besimtarët katolikë, shumica me origjinë kroate, inkurajohen “ta japin me përgjegjësi votën” për kandidatin apo partinë, e cila synon “ta bëjë atdheun një vend, ku çdo njeri, kudo ku jeton, të gëzojë të njëjtat të drejta njerëzore e liri fetare e ku çdo komb të ketë të drejta të barabarta e ta ndjejë se i mbrohet identiteti përpara dy popujve të tjerë” (atij boshnjako-mysliman dhe atij serbo-ortodoks).

Lista e kritereve për kandidatin “koherent”

         Ndër kriteret për zgjedhjen e kandidatit, që përmenden në tekst, edhe impenjimi “për të respektuar çdo njeri, për mbrojtjen e familjes e të martesës, për promovimin e vlerave themelore si e vërteta, drejtësia, liria e dashuria”, impenjimi për të vlerësuar punën e njeriut, për të “solidarizuar me të varfërit e nevojtarët”, për mbrojtjen e pasurisë së përbashkët, për “lirinë e ndërgjegjes e të kultit”.

Gjendja e ndërlikuar shoqëroro-politike në Bosnjë-Hercegovinë

         Mesazhi kujton gjendjen e ndërlikuar politike e shoqërore të Bosnjë-Hercegovinës, më se 20 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Paqes, në Dayton, më 1995, e cila, në fakt, nuk ka gjetur zgjidhje për problemet e luftës. Ndër to, “korrupsioni i përhapur, për shkak të mungesës së zbatimit të ligjit nga ana e politikanëve aktualë”, “mijëra banorët që, për të mbijetuar, kanë emigruar”, si edhe “opinioni i gjerë që politikanët vendas nuk shqetësohen për të mirën e përbashkët e për përmirësimin e vërtetë të gjendjes juridike, shoqërore e politike të të gjithëve, por vetëm për interesat e tyre e të partive të tyre”.

Dënimi i çdo forme të intolerancës e të ekstremizmit

         Pasi dënon çdo formë intolerance dhe ekstremizmi, dokumenti i ipeshkvijve boshnjakë nxit për “falje, pajtim, besim, solidaritet dhe bashkëjetesë”, duke këshilluar të mos u jepet vota kandidatëve me të kaluar të dyshimtë.

27 shtator 2018, 13:33