Kërko

Gesucristo Gesucristo 

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 26-të gjatё vitit kishtar “B”

Në Ungjillin e kësaj së diele, Jezusi na mëson se si njё bashkësi besimtarёsh duhet ta ketë zemrën e hapur për të pritur e për të pranuar të mirën kudo ajo lulëzon e nga kushdo që bëhet, sepse e mira nuk është pronë ekskluzive e një grupi apo ndonjë tjetri.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të dielës së 26-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Me këtë të diele përfundojmë shtatorin e hyjmë në muajin tetor, të cilin Kisha në mënyrë të posaçme ia kushton nderimit të Shenjtënueshmes Mari Virgjër dhe Misioneve në botë.

Ungjilli kësaj së diele, na ofron mësimin e Jezusi mbi atë që duhet të karakterizoj jetën e dishepujve të tij, të bashkësisë së tij dhe e të çdo njeriu që vërtetë dëshiron të jetë i krishterë.

Pas thirrjes për ta marrë mbi vete kryqin çdo ditë e për t’u bërë, më përvujtëri, shërbëtor i të gjithëve, për çka foli pjesa e Ungjillit i dielës së kaluar, Jezusi, në Ungjillin e kësaj së diele, na mëson se “Kushdo që do t’ju japë të pini një gotë ujë në emër të Krishtit, nuk do ta humbë shpërblimin e vet”.

Në Ungjill Jezusi ua bënë të ditur dishepujve dhe ne, se edhe jashtë Kishës ka njerëz që në  jetën dhe me veprat e tyre frymëzohet nga Ai e nga shembulli Tij. Por nuk mungon aq qortimi qё të mos bëhemi shkandull për tjerët, me sjellje dhe stil të një jete të pandershme.

Jezusi na kujton si duhet të jetoj dishepulli, bashkësia e tij me zemër të hapur, me një vizion të hapur të jetës, për ta pritur e pranuar të mirën kudo që ajo lulëzon e nga kushdo që bëhet, sepse e mira nuk është pronë ekskluzive e një grupi apo ndonjë tjetri; Zoti nuk është pranë e kësaj apo asaj Kishe apo bashkësie të veçantë. E mira është e Zotit dhe vetëm Zoti, vetëm Ai e ka të drejtën e autorësisë mbi të mirën, kudo e nga kushdo që ajo bëhet.

Dashuria përmes së cilës arrijmë ta dallojmë e njohim në fytyrën e çdo njeriu, vet fytyrën e Zotit, dhe përcaktimi për të ecur gjurmëve të ungjillit, janë aq të nevojshëm sa që shërbejnë për t’i përforcuar në fe të krishterët e paqëndrueshëm e të luhatshëm. Pra, zemra e hapur, dashuria, radikaliteti ungjillor: janë një projekt që nuk realizohet kurrë njëherë e përgjithmonë, por vetëm me ndihmën e Zotit, në mënyrë graduale, hap pas hapi duke bërë mirë e jetuar jetën tonë të përditshme, sipas vullnetit të Tij Hyjnor. Për këtë, ta kërkojmë në lutje mbështetjen dhe hirin e Tij Hyjnor.

Dëgjo emisionin e plotë...

                                              Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi I Num 11,25-29
Dy burra që nuk i përkisnin grupit të të shtatëdhjetëve të zgjedhur nga Moisiu, marrin Shpirtin e profecisë. Për këtë arsye Jozuehu është xheloz për ta dhe i kërkon Moisiut t’i ndalojë që të profetizojnë. Shpirti i Hyjit fryn aty ku do. Është e nevojshme të dimë të njohim veprimin e tij dhe të pranojmë me përvujtëri ndërhyrjet e tij kudo që të shfaqen.

Lexim prej Librit të Numrave (11,25-29)

Në ato ditë, Zoti zbriti në re dhe zuri të bisedojë me Moisiun. Nga shpirti që ishte në Moisiun mori dhe u dha shtatëdhjetë burrave pleq. Kur Shpirti pushoi mbi ta, filluan të profetizojnë, por këtë nuk e bënë askurrë më. Porse dy pleq ndenjën në tëbanishtë. Njëri quhej Eldad e tjetri Medad. Edhe mbi ta pushoi Shpirti. Edhe këta ishin shënuar, por nuk erdhën te tenda. Kur filluan të profetizojnë në tëbanishtë, vrapoi një djalosh e i tregoi Moisiut me këto fjalë: “Eldadi e Medadi po profetizojnë në tëbanishtë!” Jozuehu, biri i Nunit, që Moisiu e kishte zgjedhur t’i shërbejë qysh të ri, tha menjëherë: “Ndalojua, Imzot, Moisi!” Kurse Moisiu përgjigj: “Po a ke smirë për mua? Eh, po të ishte e mundur që i tërë populli të profetizojë e Zoti t’ia jepte Shpirtin e vet!” Fjala e Zotit.  Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 18/19,8.10-14)
Urdhërimet e Zotit japin gëzim


I përsosur është Ligji i Zotit,
shpirtin përtërin;
për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,
të miturve u jep dijen.

E panjollë është frika e Zotit,
nuk ndërron në shekuj të shekujve;
gjyqet e Zotit janë të vërteta, të gjitha njënjë të drejta.

Më të çmueshme se ari, se më i pastri ar,
më të ëmbla se mjalti, se hoja që rrjedh mjaltë.
Ruaje shërbëtorin tënd, o Zot, prej krenisë,
që të mos më zotërojë ajo;
atëherë do të jem i patëmetë,
i pastër krejtësisht prej mëkatit të madh.

Shërbëtori yt me kujdes i mëson:
t’i mbash ato është fitesë e madhe.
Porse kush i heton gabimet?
Më pastro, o Zot, prej mëkateve të fshehta

Leximi II Jak 5,1-6
Është skandaloze, pohon apostulli Jakob, që një i krishterë zotërues i pasurive të mëdha, harron të varfrit që kanë të drejtë të jenë të ndihmuar. Nuk ekziston një pasuri individuale dhe kolektive që të jetë e pafajshme: do të thotë, kombet e pasura apo personat e pasur janë pasuruar gjithnjë e më shumë në kurriz të kombeve të varfra apo të personave të varfër.

Lexim prej Letrës së shën Jakobit apostull ( 5,1-6)

Kujdes, tani ju, o pasanikë! Qani dhe vajtoni për të këqijat që do të vijnë mbi ju! Pasuria juaj u kalb dhe petkat tuaja i brejti tenja. Ari dhe argjendi juaj u ndryshk dhe ndryshku i tyre do të bëhet dëshmi kundër jush dhe do ta hajë trupin tuaj porsi zjarr! Keni mbledhur visare për ditët e fundit! Ja! Paga që u hëngrët punëtorëve që ju korrën arat, bërtet; dhe ofshama e korrëtarëve arriti në veshët e Zotërisë së ushtrive! Jetuat mbi tokë plot luks dhe u këndellet në ëndje të prujta, i ushqyet zemrat tuaja për ditën e therjes! E dënuat, e vratë të drejtin: ai nuk ju kundërshton. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.

Aleluja. Aleluja.
Fjala jote, o Zot, është e vërteta: na shenjtëro në të vërtetën.
Aleluja.

Ungjilli Mk 9, 38-43.45.47-48
Jezusi qorton dishepujt që nuk tolerojnë dhe u kujton atyre që askush nuk mund të monoplizojë besimin në Krishtin. Të veprojnë në emër të tij do të thotë që ata duhet të pranojnë vetveten, të rinjihen si vëllezër: ja një nga shenjat dalluese të Kishës primitive. Kështu duhet të jetë gjithmonë Kisha armike e çdo diskriminimi, shenjë dhe vend vëllazërimi.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut (9, 38-43.45.47-48)
Në atë kohë, Gjoni i tha Jezusit: “Mësues, e pamë një njeri që i dëbonte djajtë në Emër tënd. Ne ia ndaluam, sepse ai nuk na ndiqte.” Jezusi i tha: “Mos ia ndaloni! Sepse s’ka njeri që të mund të bëjë mrekulli në Emrin tim e menjëherë pastaj të flasë keq për mua. Kush nuk është kundër nesh, është me ne. Ai që do t’ju japë të pini një gotë ujë përse jeni të Krishtit, për të vërtetë po ju them: me siguri nuk do ta humbë shpërblimin e vet. Porse, për atë që mëson ndonjërin prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua të mëkatojë, do t’ishte më mirë t’i varej rreth qafës guri i mullirit e të hidhej në det. Prandaj, nëse dora jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh dorëcung në jetë se me të dy duart të shkosh në ferr – në zjarr që s’fiket kurrë. E nëse këmba jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh në jetë i çalë se t’i kesh të dy këmbët e të hidhesh në ferr. Po qe se edhe syri yt të çon në mëkat, nxirre! Më mirë është për ty të hysh në Mbretërinë e Hyjit me një sy se t’i kesh të dy e të hidhesh në ferr ku krimbi i tyre nuk cof e zjarri nuk fiket.
Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Disa reflektime:

Ekziston ndër njerëz, e madje edhe në besimtarë, tundimi i monopolizimit të Zotit. Kush është Zoti i vërtetë, a mund ta shtrembërojë njeriu imazhin e Tij të vërtetë? Janë këto pyetjet dhe drita që liturgjia e kësaj të diele na ofron.

Shpirti i Zotit vepron lirisht, Ai mund t’i nxjerrë bijë të Abrahamit edhe nga gurët, zëri i tij mund të dëgjohet e të bëjë të dëgjohet nga njerëz dhe mjetet njerëzore të paparashikuara dhe të pamenduara. Zoti është i lirë në shpërndarjen e dhuratave të tij, i cili vepron përtej skemave mendore e strukturave të ngurtësuara njerëzore, duke lejuar profecinë edhe jashtë “tendës”.

Leximi i parë nga Libri i Numrave na paraqet zemërimin e Jozuehut, i cili duke parë se Shpirti i Zotit shkon përtej kufijve të ngurtë të rendit të shtatëdhjetë pleqve, i drejtohet Moisiut me kërkesën e tij integraliste “Ndaloji!”. Përballë këtij këndvështrimi të shërbesës së shpëtimit si zotërim dhe privilegj, Moisiu i përgjigjet duke kremtuar shkëlqimin e lirisë dhe të bujarisë së Perëndisë.

Ky është edhe qëndrimi i Jezusit në ungjillin e Markut. Ai i fton dishepujt e tij të respektojnë dhe të presin me besim, duke parë në ata “që nuk janë të tanët” jo një armik ose konkurrues, por një sintoni të brendshme që mund t’i shndërrojë në miq dhe bashkërrugëtues të besimit. Jezusi i fton dishepujt e tij të ekzaminojnë sjelljen e tyre shoqërore (këmba dhe dora) e personale (syri) për të shmangur që siguria e krenarisë vetjake të kthehet në një rrënjë ligësie për vëllezërit që janë ende në kërkim të Zotit.

Institucionet janë nisëm e Zotit, por është i rëndësishëm edhe përdorimi i tyre. Profetët nuk pushojnë së kujtuari se Hyji është i lirë në mënyrë sovrane. Ai mund të heqë dorë nga tempulli, nëse ai nuk i shërben adhurimit të Tij, mbretëria e Davidit mund të mbarojë, nëse mbretërit nuk i shërbejnë Atij. Zoti Jahve mund të arrijë edhe të dëshirojë tejkalimin e kufijve të ngurtë të popullit të Izraelit.

Edhe Krishti i përdor institucionet fetare të kohës së tij, por me liri e duke i tejkaluar ato. Shpirti Zotit fryn aty ku dëshiron dhe nuk është i lidhur nga asnjë strukturë njerëzore. Tundimi i përhershëm i besimtarit është ajo e “sekuestrimit” të Zotit, e monopolizimit, duke e mbyllur Zotin në siguritë vetjake, duke e përkufizuar atë në strukturat dhe institucionet tona.

Për ne, atëherë, bëhet urgjente nevoja e njohjes dhe e pranimit të përjetshmërisë së Zotit dhe lirisë së Tij, kërkimi i vullnetit të Tij në jetën tonë të përditshme. Këtë e kishte kuptuar më së mirë Shën Tereza e Lisieux-së, e kuptojnë të gjithë ata besimtarë që nuk pretendojnë ta bëjnë Zotin pjesë të skemave të tyre mendore, por qëndrojnë në kundrimin magjepsës të përjetshmërisë dhe të lirisë së Tij, që është burim shpëtimi për të gjithë.

Për këtë arsye kremtojmë Eukaristinë e ditës së Diel, për këtë arsye edhe për ne besimtarët e këtij çasti historik, Eukaristia kthehet në një përvojë çliruese dhe hiri, për t’u mbushur dhe për ta bërë të tonën mendësinë e këndvështrimin e Zotit të vdekur e të Ngjallur për shpëtimin tonë.
“Edhe nga krenaria shpëtoje shërbëtorin tënd, o Zot,
që të mos ketë pushtet mbi mua.
Atëherë do të jem i panjollë,
do të jem i pastër nga mëkati” (Ps. 18/19)

26 shtator 2018, 11:23